Shqipëria në Eurosong me vokal të veçantë, por jo me produkt të mirëfilltë artistik

Kritikë/ Shqipëria këtë vit arriti të dërgonte në Eurosong një vokal të veçantë, një grup të talentuarish, por edhe kësaj here paraqitja shqiptare nuk arriti të sillte një produkt të mirëfilltë artistik. Prapavija mbështetëse e Bushpepës dhe grupit të tij në skenë, nuk ishte kujdesur shumë për krijimin e një imazhi artistik të plotë, si nga ana vokale, veshjet, diksioni apo prezantimi

Prolog

Në mbrëmjen e 12 majit 2018, duke risjellë në kujtesë pas rreth 5 muajsh funddhjetorin e kaluar, ndoqa jo pa kërshëri edicionin e 63-të të Eurovision Song Contest (ESC). Prej 15 vitesh fillimi i muajit maj bëhet shumë i nxehtë në mendjet dhe shpirtrat e gjithë shqiptarëve kudo ato ndodhen. Fakti që i kemi munguar këtij festivali të këngës evropiane 48 vjet, i bën bashkëkombësit e mi shumë të ndjeshëm ndaj kësaj ngjarjeje artistike, e cila për hir të vërtetës, qoftë nga tejmbushja me elemente gjeopolitike apo edhe nga mungesa e impulseve afatgjata artistike, ka humbur prej kohësh peshën e madhe që ka patur deri nga fillimi i viteve 90’, kur edhe konkurrenca mediale ka qenë shumë herë më e kufizuar nga ç’është tani. Më shumë sesa një arenë dhe skenë këngësh evropiane, ESC është kthyer sot në një mjet politik qokash fqinjësh, apo edhe planesh të shkoqitura mirë të firmave menaxhuese të këngëtarëve/rrymave aktuale. Nga ana tjetër kam dashur gjithmonë t’i shikoj gjërat me syrin e ftohtë dhe pa asnjë notë triumfale patriotike, sepse vetëm kështu mendoj që mund t’i referohemi sado pak një lloj neutraliteti profesional, shumë i domosdoshëm dhe vetëkritik në lidhje me çdo prezantim të këngës shqiptare në ESC. Edhe pse gjithmonë i shtroj pyetjen vetes, nëse me të vërtetë një pjesëmarrje në ESC është një pikë referimi e reale në lidhje me identitetin apo profilin artistik të këngës shqiptare, duke ndjekur natën finale të ESC 2018, ajo çfarë më bëri të ndjehem gjithmonë mirë ishte fakti i të paturit në atë spektakël të tre këngëtarëve me prejardhje nga Shqipëria, të cilët vetëm rrugët drejt qëllimit final i kishin të ndryshme, ama rrënjët, shpirtin dhe talentin e kishin të ngjizur në tokën shqiptare. Eugenti, Eleni (Entela) dhe Ermali kanë lindur në Shqipëri, por në mbrëmjen e 12 majit 2018 përfaqësonin tre shtete evropiane të ndryshme. Të pafjalë dhe duke u marrë me profesionin e tyre, ato i treguan botës nga Lisbona, që shqiptarët janë të aftë të shpalosin vlera të vërteta personale, absolutisht të barabarta me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë. Sidoqoftë me kalimin e mbrëmjes dhe duke dëgjuar me kërshëri profesionale 26 prezantimet e këngës evropiane, më lindnin pyetje të ndryshme në lidhje me prezantimin e Shqipërisë këtë vit, pyetje të cilat në fakt i kam parashtruar në një kritikë të hershme pas mbarimit të ESC 2015.

A e ka në të vërtetë të nevojshme kënga shqiptare pjesëmarrjen në Eurovision Song Contest?

Përpara sesa të shprehem drejtpërdrejt mbi këngën shqiptare të radhës në ESC, dëshiroj të theksoj disa fakte, të cilat medoemos kanë lidhje direkte me ç’mitizimin, e thënë më mirë, relativizimin e rolit të ESC në zhvillimin e tregut ndërkombëtar të këngës moderne.

Parë nën këtë prizëm ne sot kemi një format 63-vjeçar të një festivali evropian të këngës, i cili padyshim dikur sillte referenca këngësh për një gjeneratë të tërë, por që sot nën trysninë e komercializmit ekstrem si dhe të interesave gjeopolitike të momentit, ka humbur nga forca e shkëlqimit të dikurshëm artistik. Sot në ESC nuk pritet të dëgjojmë këngë të mira, të barazvlefshme për një brez të tërë (përkufizimi se çfarë është një këngë e mirë, është temë më vete), por më shumë ne kuptojmë marrëveshje studiosh dhe menaxheresh për një rrugë artistike për vetëm disa muaj në vazhdim. Sot ne nuk dëgjojmë në ESC këngë me bazë orkestrale direkt nga salla (edhe këtë vit u pa dukshëm se si instrumentet ishin thjesht për dekor), sepse edhe vetë natyra komerciale e krijimit të këngës ka kaluar në një stad tjetër. Sot në ESC nuk është e rëndësishme se çfarë dhe si këndon, por si mundesh që me elemente anësore – pra duke lënë mënjanë shpeshherë vlerën e vërtetë të këngës, vokalin e këngëtarit/këngëtares – të krijosh një produkt artistik të plotë (show act), i cili edhe pse në elemente të veçanta të tij mund të ketë mangësira, në tërësinë e tij artistike është i përkryer dhe i përmbushur sipas kritereve të ESC. Për të qenë i drejtë dhe asnjanës në gjykim dua të theksoj që ESC 2018 kishte një shumëllojshmëri stilesh në këngë, e cila i ka munguar kësaj skene në vitet e kaluara. Publiku këtë vit pati mundësinë të ndiqte mjaft këngë të arrira vokalisht, si p.sh. dueti nga Spanja, Hvala, ne! nga Sllovenia, këngëtarja operistike nga Estonia, këngëtari nga Çekia,  romanca nga Lituania, ballada rock nga Shqipëria, etno-disco alla Beyoncé nga Qipro, apo mesazhi universal nga Italia, përkundrejt numrave të arrirë dhe me veçanti artistike si Gjermania, Portugalia, Irlanda, Moldavia, Izraeli apo edhe nga Norvegjia. Nga ana tjetër ndoqëm prezantime ndër të tjera si ai i Ukrainës apo i Finlandës, ku elementi spektakolar shkonte në drejtim të kundërt me paraqitjen vokale të këngëtarit/këngëtares. Duke ndjekur të gjithë ngjarjen artistike me një sy pak më të hollë dhe largpamës, munda të vërej një dukuri të hershme në ESC (por edhe gjetkë): në sytë e organizatorëve apo producentëve të muzikës në kohët e sotme ka më shumë rëndësi elementi spektakolar afatshkurtër, shkëndija hipnotizuese, për të mos thënë manipuluese ndaj publikut. Në këtë mënyrë, shpeshherë dhe me taktika të njohura e të përdorura gjerësisht në botën e reklamës, mendimi dhe gjykimi artistik apo politik i masës drejtohet “pa dashje” drejt një rrjedhe të paracaktuar fituesish. Votimi i fundit tregoi gjerësisht edhe një herë diskrepancën e pamohueshme ndërmjet gjykimit të jurive me atë të publikut. Këtu në fakt qëndron edhe e gjithë forca e përfundimtare e ESC: drejtimi i të gjithë historisë fitimtare drejt një rruge të paracaktuar, kjo shpeshherë e lidhur me motive dhe mesazhe të qarta politike.

Sidoqoftë duke mos dashur të ndalem në gjëra apo pika referimi, të cilat në fakt nuk mund t’i kontrollojmë dot dhe nuk janë bazë e analizës së sotme, do doja të analizoja rrugën dhe mënyrën se si kënga shqiptare ka ecur në këto 15 vitet e fundit. Duke menduar dhe parë në imtësi çdo këngë shqiptare në ESC nga viti 2004 (Anjeza Shahini me këngën Image of you) e deri më 12 maj 2018 (Mall nga Eugent Bushpepaj), lehtësisht mund të vërehet një tendencë e njëjtë sikurse edhe me shoqërinë shqiptare në përgjithësi, pra mungesa e një vizioni të qartë, arritjes së një qëllimi tërësor profesional, ku elementi “talent personal” në të shumtën e rasteve nuk arrin të zhvillohet dhe përçoje energji shpërthyese universale për shkak të mungesës së (infra)strukturës artistike, gjithëpërfshirjes profesionale drejt një tërësie artistike të arrirë, drejt krijimit të një elementi të plotë artistik. Kënga shqiptare në ESC shumë rrallë ka mundur të dalë nga ndikimi i një grupi të vogël producentesh, të cilët në të shumtën e rasteve bënin rrokadë me njëri-tjetrin çdo dy-tre vite si fitues të Festivalit të Këngës në RTSH. Edhe në ato raste, ku këngëtarë me vokal të spikatur si Anjeza Shahini, 2004, Rona Nishliu, 2012, Eugent Bushpepaj 2018, apo edhe Backvocal – Girls të Juliana Pashës, 2010 mundën të sillnin diçka të re shqiptare në skenën e ESC, paraqitjet diletante si p.sh. në vitet 2006, 2013 apo 2016 e 2017, tregojnë më së miri mungesën e vizionit të producentëve të këngës në vendet shqiptare. E theksoj togfjalëshin vendet shqiptare, ngaqë gjithmonë e më shumë mendoj që monopoli, të cilin RTSH ia ka vendosur vetes në lidhje me përzgjedhjen e këngës shqiptare në ESC, jo vetëm e ka dëmtuar zhvillimin e saj në linjë të drejtpërdrejtë me simotrat e saja evropiane, por do të jetë gjithmonë një pengesë serioze, nëse vazhdohet akoma me mendësitë e deritanishme të përzgjedhjes. Kështu ndodhi edhe këtë vit. Edhe pse me një vokal individual të pamohueshëm, ndër më të mirët e ESC 2018, Eugent Bushpepa dhe grupi i tij, arriti deri në gjysëm të rrugës drejt krijimit të një uniteti të mirëfilltë artistik.

Vokale, si ai i Bushpepës duhet të lihen vetëm në skenë

I vetëdijshëm për masën e madhe të pëlqyeshmërisë në publik të këngës “Mall”, unë dua të jem besnik i një racionaliteti të mirëfilltë, i cili duhet patjetër të na udhëheqë kur bëhet fjalë për prezantime të tilla.

Së pari dua të theksoj përzierjen e stileve në këngë, kjo e parë më shumë në orkestracionin e saj. Edhe pse Bushpepa, me shumë gjasa, mund ta ketë menduar këngën e tij pak më shumë rock, elemente tingëllorë të orkestracionit ia zbehen profilin e veçantë artistik. Këtu dua të veçoj ndër të tjera tingëllimet e bazës shoqëruese me instrumentet me hark, të cilat në veshët e mi ndjeheshin të stërpërdorura dhe me timbrikë të vjetër (versione ndoshta të vjetra të kartave të zërit në studiot përkatëse, të cilat ishin lehtësisht të dallueshme si produke tastierash tashmë të njohura për orkestrimet e kahershme në Festivalin e RTSH).

Së dyti Bushpepaj në të dy prezantimet skenike zyrtare në ESC kishte mungesa të theksuara në shqiptimin rigoroz të gjuhës shqipe. Le të krahasojmë këtu shkurtimisht këngët nga Sllovenia, Franca, Spanja, apo Italia, pas dëgjimit të së cilave edhe pse dikush mund t’mos dijë sllovenisht, frëngjisht, spanjisht, apo italisht, mund ta shkruante fonetikisht lehtësisht tekstin e këngës si rrjedhojë e qartësisë vokale.  Duke përgëzuar fuqimisht faktin e këndimit shqip në skenën e ESC, mospërqendrimi tek një diksion i qartë dhe pa ekuivoke i gjuhës, tregon një anashkalim profesional (sidomos kur këtu kemi të bëjmë me një gjuhë të panjohur për publikun e gjerë), i cili dëmton rëndë imazhin artistik në tërësi. Nuk jam i sigurtë nëse dikush ia ka vënë në dukje Bushpepës këtë detaj të rëndësishëm pas daljes së tij në gjysëmfinale, ama fakti që nuk kishte asnjë përmirësim mes 8 dhe 12 majit 2018, tregon për një “moskujdes” profesional të pafalshëm.

Së treti edhe pse vokali i Bushpepës ishte nga më të veçantët në ESC 2018, përsëri kapërcimet e shumta të sferës vokale u bënë me kalimin e minutave të këngës qëllim në vetvete dhe shpeshherë humbën kuptimin. Mirëpres ndonjë mendim të lexuar në media të ndryshme, i cili i mbështet këto kapërcime vokale tek tradita e lashtë shqiptare e vajtimit dhe kujës, ama kur këto kapërcime bëhen qëllim në vetvete vetëm për të treguar një zotësi vokale personale, humbin bulëzën zhvilluese në muzikë.

Së katërti dhe duke analizuar ngjyrën timbrike të Bushpepës, dy koleget e reja në prapavije ishin vënë më shumë për dekor dhe lëvizje koreografike, sesa për mbështetje të vërtetë vokale ndaj tij.  Në fakt nga mënyra se si u prezantua përfundimisht “Mall”, mendoj që do të kishte qenë më mirë, më efikase dhe ndoshta artistikisht më fuqishëm, nëse Bushpepa do të kishte dalë i vetëm në skenë, pa lajle – lule dhe koreografi tashmë të vjetruara. Nga ana tjetër duke ia njohur dhe vlerësuar vokalin profesional kolegeve, për shkak të konceptit të orkestrimit, dy këngëtaret e reja nuk kishin pothuajse asnjë hapësirë në rrjedhshmërinë apo rëndësinë artistike të këngës. Ndërkohë, që Bushpepa në fund të këngës merrej më shumë me prezantimin e telave të hollë të zërit të tij, koleget e reja në prapavijë, ishin të pozicionuara unisono dhe poshtë në timbrike vokale, duke mos lënë mënjanë këtu edhe ndonjë mosrakordim intonativ mes tyre në paraqitjen e natës finale. Inkuadrimi i zërave femërorë të lartë në të paktën dy linja  të ndryshme zërash, ose më shumë, një bashkërendim akordik trezërësh me Bushpepën, (për vetë natyrën timbrike të tij) mund t’i jepnin këngës një vrull dhe kulminacion më të madh në fund.

Thënë me pak fjalë, përdorimi i backingvocals ose duhet të ketë një kuptim të mirëfilltë artistik dhe të ngjizet mjeshtërisht në orkestracion, ose vokale të tilla, si ai i Bushpepës duhet të lihen vetëm në skenë, duke mos u ngatërruar me figura koreografike stative dhe në fakt me shije të tejkaluara. Pikërisht këtu qëndron edhe kritika ime ndaj një mentaliteti të vjetruar dhe sterpërdorur në këto raste.

Nëse i vërejmë me kujdes këngët e tjera në ESC 2018, të cilat kishin elemente backingvocals, ato ishin inkuadruara mjeshtërisht nga krijuesit përkatës të këngës në gjithë tërësinë e produktit artistik. Mjafton këtu të sjellim në kujtesë prezantimet e Sllovenisë, Qipros apo të Moldavisë. Në këtë rast vlen me shumë se kurrë shprehja “less is more”.

Së pesti, edhe pse në dukje një fakt anësor, por që për mua mbush tërësinë e prurjes artistike shqiptare në ESC, të bërit përherë i shqiponjës me duar kur prezantohet zyrtarisht një vlerë shqiptare, i ka kaluar kufijtë e normales dhe është bërë ekstremisht qesharak. Nëse shqiptarët për nevojat e tyre private në mediat sociale, dalin dhe mezi ç’presin të tregojnë identitetin e tyre me duar të kryqëzuara, kjo është një çështje shijesh dhe bindjesh private, edhe pse këtu kemi të bëjmë me një realitet të një mase njerëzish ekstremisht të lëkundur dhe lehtësisht të manipulueshëm. Ama kur të tilla paraqitje bëhen në mënyre zyrtare, para një ekrani ku kanë sytë miliona teleshikues anë e mbanë Evropës (sipas shifrave zyrtare të European Broadcasting Union) dhe bëhen kështu pikë reference për një shoqëri të tërë, ato janë të pafalshme, naive dhe tregojnë në fakt një mentalitet provincial të të kuptuarit të gjeopolitikës aktuale. Shqiponja është padyshim një element identifikues i shqiptarëve (por jo vetëm i tyre), i shprehur në flamur, mbi të gjitha i skalitur në zemrat e mendjen e çdonjërit prej nesh. Përdorimi i tejskajshëm i duarve të kryqëzuara si shqiponjë, është kthyer tashmë në bumerang dhe tregon në të vërtetë nevojën e madhe e të fshehtë që kanë shqiptaret për një pranim (në këtë rast i panevojshëm), për njohje më të madhe të identitetit shqiptar nga ana e popujve të tjerë, i përkthyer kështu pa vetëdije si një kompleks i kuptueshëm i popujve të vegjël. Ne nuk e kemi të nevojshme të tregojmë krenari shqiptare me duar të kryqëzuara. Do të ishte me mirë, nëse produktet tona, në këtë rast artistike, të ishin aq të arrira profesionalisht, sa që neve t’mos na kujtonte askush më nga duart tona shqiponje (si dikur serbët me tre gishtat e tyre), por me mesazhin universal të arritjeve tona.

Epilog

Duke menduar dhe lidhur vetëm këto elemente të mësipërm me njëri-tjetrin munda të arrij shpejt në një konkluzion sa të dhimbshëm, aq edhe realist. Shqipëria këtë viti arriti të dërgonte në ESC një vokal të veçantë, një grup të talentuarish, por edhe kësaj here paraqitja shqiptare nuk arriti të sillte një produkt të mirëfilltë artistik (show act). Prapavija mbështetëse e Bushpepës dhe grupit të tij në skenë, nuk dukej se ishte kujdesur shumë për krijimin e një imazhi artistik të plotë, të arrirë në terësinë e elementëve përkatës (vokale, veshje, diksion, prezantim). Shpeshherë më dukej sikur e gjithë paraqitja skenike i ishte lënë në dorë spontanitetit, shijeve personale, duke anashkaluar kështu një profil të qartë, të mirëmenduar artistik. Duke i kaluar të gjithë këngët e ESC 2018 në mendje, unë lehtësisht dalloj mungesën e konceptit të palës shqiptare, të prapavijës artistike institucionale, paçka se forca individuale e këngëtarit arriti të bindte shumë juri evropiane. Duke e krahasuar prurjen shqiptare me vetëm simotrat e saja italiane (ndër të tjera me gjetjen e veçantë artistike të paraqitjes së tekstit në gjuhë të ndryshme) dhe qipriote, vërehet menjëherë mungesa e një dore profesionale në ndërtimin e imazhit, produktit të plotë artistik. Edhe pse vokalisht Bushpepa mund të jetë më i veçantë sesa koleget e tij me origjinë shqiptare, gjë që padyshim është edhe çështje shijesh subjektive, përsëri producentët e këngëve nga Italia dhe Qipro ishin marrë me çdo detaj të paraqitjes skenike të tyre. Shprehja e famshme “djalli fshihet në detaj” dhe që është burim i suksesit artistik, ishte koherente dhe moderne në të shumtën e paraqitjeve evropiane në ESC, ndërkohë që paraqitjes shqiptare i mungonte atmosfera “big think”, e domosdoshme për krijimin e një kënge universale dhe me qasje të gjerë në publik dhe juri.

Nëse kemi një pritshmëri kaq të madhe ndaj ESC, siç debatohet rëndom para, gjatë dhe pas kësaj ngjarjeje artistike, atëherë duam apo s’duam ne, na duhet të përshtatemi me rregullat e saj, ose të kemi një forcë të tillë krijuese dhe menaxhuese, që t’i rrimë larg ESC me një profil tejet të veçantë artistik. Nëse jemi për rastin e parë, atëherë shtrohet pyetja e thjeshte: Pse nuk guxohet në këtë rast një bashkëpunim me producentë dhe një grup pune të huaj, të cilët do merrem deri në detajin më të vogël me krijimin e një  imazhi profesional shqiptar në ESC? Shumë këngë të sjella këtë vit në ESC kishin producente të ndryshëm nga shtetësia e interpretuesve, fakt i cili tregon për hapje dhe rreze globale veprimi, për mendësi moderne bashkëpunimi, për të cilat kënga shqiptare ka nevojë më shumë se çdo herë më përpara, nëse me të vërtetë ne duam të arrijmë një sukses në ESC. Këto 15 vite prezantimi në ESC na tregojnë më së miri, që vetëm duke e bërë për vete shprehjen “big think”, kënga shqiptare teorikisht mund të ketë shanse të mirëfillta për një prezantim dinjitoz në ESC, duam apo s’duam, apo çfarë vlere e peshe artistiko – politike i japim ne ESC-së.

Nga Desar Sulejmani

Pianist, Dirigjent

Gjermani, Maj 2018

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Emri i kompromisit

Nga Veton Surroi Në fillim të pluralizmit në ish-Jugosllavi, në Prishtinë mblidheshin partitë politike shqiptare gjithandej Jugosllavisë. Sa herë që…

Abissnet