“Shqipëria me ndërgjegjen e papastër por bën presion kudo kundër Serbisë”

Publikuar më 04. 10. 2017 nga Eno Shkëmbi

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka pyetur se çfarë do të bëjnë shqiptarët e Luginës se Preshevës me pasaportat e Kosovës që ua ka premtuar Ramush Haradinaj.

“Me ato pasaporta larg kanë për të shkuar ata”, shkruajnë mediat serbe, të ketë thënë Vuçiç duke shtuar se nuk ka nevojë për gënjeshtra pasi dihet saktë se sa shqiptarë ka në Serbinë qendrore dhe se ka shumë më shumë serbë në Kosovën qendrore.

“Ata (shqiptarët) mund t’i bëjnë të gjitha këto kur i kanë mbrojtësit e vet jashtë, por se e drejta ndërkombëtare duhet të ekzistojë e të respektohet”, ka thënë Vuçiç duke shtuar se Serbia nuk ka mbrojtës të tillë dhe se ajo iu është nënshtruar presioneve nge të gjitha anët për shkak të ndërgjegjes së papastër të Shqipërisë.

“Për shkak të ndërgjegjes së tyre të papastër ndaj atdheut tonë, ne jemi të detyruar të durojmë presionet, ndonjëherë edhe t’iu nënshtrohemi, ndonjëherë jo, e kur s’e bëjmë këtë na e bëjnë me gisht sikur “uniatët e Europës” ose nuk e di se çfarë tjetër vetëm pse e kemi ruajtur vendlindjen tonë” ka thënë më tej Vuçiç.

Ai ka shtuar se Serbia do ta vazhdojë punën e vet, të mbrojë pavarësinë e Serbisë, integritetin territorial dhe sovranitetin ndërsa ata “le ta bëjnë punën e vet”./Koha.net