“Shqipëri shtëpia ime”, suksesi i emigrantit, që rrëfen historinë e tij në skenë

Publikuar më 05. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Valeria dedaj

Si rrallëherë një djalë 26-vjeçar ka shkruar autobiografinë e tij dhe e ka interpretuar atë në skenë. Ky është Aleksandros Memetaj, i cili ka marrë guximin të komunikojë me njerëzit nëpërmjet artit. Shfaqja e shkruar dhe interpretuar prej tij, “Albania casa mia” (Shqipëria vendi im), ka si regjisor Giampiero Rappa-n, edhe deri më tani numëron qindra spektatorë në Itali, Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” Aleksandros Memetaj edhe pse ishte vetëm gjashtë muajsh, kur Vasili, i ati e mbante mbi shpatulla para se shkelte në tokën italiane, na rrëfen sot se cilat janë kujtimet e para të fëmijërisë në Itali, se si i lindi dëshira për t’u marrë me art, por dhe ndjesitë që përjeton sa vjen në Shqipëri.

Aleksandros, nëpërmjet medieve të huaja, kemi mësuar më tepër rreth interpretimit tënd në pjesën teatrore “Shqipëria shtëpia ime”. Por, çfarë mund të na tregosh më tepër rreth kësaj pjese, e cila duket sikur ka “lindur dhe është” historia jote, si emigrant?

Shfaqja “Albania casa mia” (Shqipëria shtëpia ime) ndahet në dy akte. Në aktin e parë unë kujtoj ngjarje, të cilat më kanë ndodhur kur kam qenë në shkollë të mesme, ndërsa në pjesën e dytë kujtoj historinë e babait. Nuk është vetëm historia ime. Për këtë mendoj se, nëse do ta kisha botuar në një libër në faqen e parë do të shkruaja: “Dedikuar babit”. Sot që unë e interpretoj, për mua nuk është një dramë e fortë. Këtë histori e tregoj sot me shumë kënaqësi, sepse falë punës që po bëjmë, por edhe historisë unë kam shkuar në shumë teatro në Amerikë, Zvicër dhe thuajse në të gjithë Italinë. Këtë që po më ndodh e shikoj si një histori shumë të bukur. Jam duke kërkuar, që njerëzit bashkë me mua të shkojnë tek anija, që kam hipur unë kur kam qenë gjashtë muajsh apo shtatë vjeç. Rreth 97 për qind e kësaj ngjarje ka ndodhur në realitet, por unë nuk kam shkuar te doktori për këtë, që t’i them se jam i mërzitur me jetën apo se kam kaluar shumë vështirësi. Në teatër jemi në një shou, ku disa gjëra duhet të bëhen për shfaqjen.

Gjatë rrëfimit të historisë vëmë re një frazë në gjuhën shqipe, një monolog i babait tuaj, ku i gëzuar me nënën: “O ma, do të shkojmë në Itali?”… Ju keni ikur 6 vite, kur nisini që të kuptoni që jeni shqiptar?

Frazën “O ma do të vemi në Itali. Nesër do të nisen dy tragete nga Vlora dhe kam mundësi që të vete dhe unë”, e thotë im atë. Unë nuk kujtoj asgjë nga viti 1991. Kam qenë shumë i vogël dhe e kam të vështirë. Kujtimet e mia nisin në moshën katër vjeç. Atëherë kam jetuar në një provincë të Venecias në Itali. Familja ime atje në fillim është gjendur ashtu siç ju vet mund ta imagjinoni. Mbase tani gjërat kanë ndryshuar, por jetesa në fillim të viteve ’90 në Venecia ishte shumë e vështirë. Por “Albania casa mia”, është një gjë që ua thoshin shqiptarëve për t’i ofenduar, duke u thënë që të ktheheshin andej nga kishin ardhur, në Shqipëri. Është e veçantë, por në pjesën e parë të shfaqjes flas për Mateosin, një shok i cili ka qenë në kopsht dhe në shkollë të mesme me mua. Ai më ka fyer edhe është sjell gjithmonë keq me mua. Por, kur i kam dërguar një video nga shfaqja “Albania casa mia” Mateosit, ai më ka thënë: “Mezi pres, që këtë shfaqje ta bësh edhe këtu, pasi ne rritemi në mes të injorancës. Rritemi shumë keq, sepse familjet na edukojnë kështu. Kur pashë ‘Albania casa mia’, kuptova shumë gjëra”. Më falënderoi për këtë, edhe pse është antagonisti i vogël i pjesës së parë.

Cila është pjesa më e vështirë që ke interpretuar?

Pjesa më e vështirë për të interpretuar në këtë shfaqje është kur interpretoj rolin e babit tim. Im atë jeton, por është e vështirë për mua, sepse me babin kam një raport të vështirë. Ndërsa, në gjërat e tjera që luaj nuk është se ka shumë vështirësi, sepse kur je aktor punon dhe me teknikë. Jam vetëm 26 vjeç, ende i ri, por puna dhe shkolla të mësojnë shumë. Kur përgatis një shfaqje punoj për të më shumë se dhjetë orë në ditë. Mendoj se kjo është e rëndësishme, që të jesh i stërvitur dhe gati me trupin dhe me mendjen. Për një aktor nuk mjafton vetëm pasioni. Talenti ndikon, por unë mendoj se teknika të bën që këtë punë ta bësh mirë.

Keni qenë vetëm 5 muajsh kur prindërit tuaj arritën në Itali, por cilat janë kujtimet që ruani nga fillimet tuaja në këtë vend?

Unë kujtoj veten në kopsht, kur më çonte një burrë që punonte në piceri. Prindërit punonin të dy në fabrika, nuk kishin makinë, nga ora 7 deri në 5.30 ata ishin në punë. Kujtoj që jetonim në një shtëpi me qira pranë picerisë ku punonte babi. Babi më mësonte se si bëheshin picat, ndërsa mami më thoshte se duhet të mësoja. Jam i kënaqur për prindërit që kam, se babi më ka mësuar se çfarë është sakrifica, ndërsa mami se çfarë është kultura. Mami më ka ndenjur mbi kokë për shkollën, duke më thënë se studimet janë e vetmja gjë që të mësojnë t’i bësh ballë vet jetës.

Gjuhën shqipe e flisni dhe e kuptoni shumë mirë…

Unë flas shqip, sepse në shtëpi kam folur vetëm shqip. Është një gjë shumë e bukur, sepse pas dy apo tre orësh, nga momenti që jam në Shqipëri unë nis të mendoj në shqip. Kur jam në Itali mendoj në italisht. Jam rritur duke folur dy gjuhë, italisht dhe shqip.

 

Me njerëzit komunikoj nëpërmjet teatrit

Alaksandros rrëfen se ka mësuar shumë në shkollë falë këmbënguljes së mamasë. Por, kur nisi shkollën e lartë kuptoi se nuk ishte ajo çka donte të bënte. Kështu vendosi që në një moment të ulet në tavolinë edhe të shkruajë se çfarë mund të bëjë dhe çfarë jo. Prej këtij momenti kuptoi se donte të bëhej aktor. Ai mori iniciativën dhe u largua drejt Romës, aty ku nisi të punoi në një piceri, zanatin që ia kishte mësuar i ati, por njëkohësisht edhe të studionte për aktrim për të plotësuar ëndrrën e tij.

Si ka lindur dëshira jote për t’u bërë aktor?

Nuk është diçka që e kam dashur qysh fëmijë. Unë luaj në teatër, por kam një agjent dhe po filloj të luaj dhe në disa filma. Më pëlqen bota e artit, të jem aktor dhe dramaturg, sepse më pëlqen shumë dhe të shkruaj. Kur përfundova shkollën kam qenë shumë mirë në mësime, por në muajt e parë të universitetit nuk dija se çfarë doja të bëja. E lashë. Një ditë u ula në tavolinë edhe shkrova se çfarë mund të bëja edhe se çfarë jo. Në moshën 18-19-vjeçare arrin të kuptosh se çfarë prirjesh ke; nëse di të shkruash, nëse di matematikë apo nëse di të pikturosh. Unë shkrova: “Dua të bëhem aktor”. Ika nga shtëpia dhe shkova në Romë. Atje fillova punë në një piceri për të paguar qiranë e shtëpisë. Nisa të studioja për t’u bërë aktor në akademi. Por dashuria për këtë botë më lindi duke mësuar. Kuptova që bota e artit është një botë, që të lejon që të thuash çfarë ke brenda vetes. Ne jetojmë në një botë, që nuk na interesojnë më gjërat e të tjerëve, jemi të bllokuar, sepse jetojmë me ritme shumë të shpejta. Shpeshherë arrin 60 vjeç pa e kuptuar se çfarë ke pasur dëshirë që të bësh në jetë. Unë mendoj se duhet që të kemi kohë për të kuptuar më shumë rreth vetes. Unë me njerëzit komunikoj kur shkruaj dhe interpretoi si aktor. Nëse mendimet e mia ia them dikujt në rrugë, ai do të më quajë një të çmendur. Për këtë arsye bëj këtë punë, sepse është i rëndësishme për mua.

“’Albania casa mia’ e kam interpretuar në teatrot italiane, Zvicër dhe Nju Jork, por ende jo në Shqipëri”

Aktori 26-vjeçar na rrëfen se tashmë e ndien veten në mes dy vendeve; Shqipërisë dhe Italisë, edhe për këtë ndihet krenar. Por edhe shumë spektatorë shqiptarë që e kanë parë nga afër shfaqjen “Albania casa mia” janë ndier krenarë. Ata kanë gjetur veten në atë rrëfenjë të Aleksandros, kanë gjetur familjen edhe të afërmit e tyre. Secili prej tyre, që e ka përjetuar mbi shpatulla historinë e emigrimit, e do fortë mirë, se çfarë do të thotë që të ndihesh i diskriminuar pa bërë asgjë. Megjithatë, ata ndihen krenarë që ia kanë dalë. Ndihen krenarë, që Aleksandro tani mund të rrëfejë edhe historinë e tyre pa bërë shumë zhurmë, por nëpërmjet artit.

Tashmë, Aleksandros, është qytetar global, mund të zgjedhë të jetojë, në vendin që i pëlqen. Por, çfarë gjeni në Vlorë sa herë që vini për ta vizituar?

Gjej familjarët e mi, kushërinjtë dhe gjyshërit. Ndiej se trupi im sa herë që kthehem në Vlorë më thotë: “Arritëm atje ku kemi lindur, ti vjen nga këtu”. E ndiej këtë gjë të brendshme. Ndërsa, kur më pyesin se çfarë jam, si ndihem? Unë them që jam në mes, është një gjë, që e them edhe në shfaqje, sepse është një gjë thelbësore në shfaqe. Hera e parë që mbaj mend veten time, në moshën 7 vjeçe, ishte kur po ktheheshim në Vlorë. Isha në traget. Ka qenë një moment që nuk shikoja asgjë, por e ndjeva brenda vetes zërin e brendshëm, që më thoshte: “Ti ke lindur në Vlorë, por je rritur në Itali, je shqiptar edhe italian”. Tani sa herë kthehem në Vlorë ndiej me gëzim që kam lindur atje.

A ka një arsye, që ke zgjedhur, që skena të jetë mbase “strehëza”, ku ti ndihesh i qetë?

Shfaqja zhvillohet sipër Shqipërisë. Këtë e ka vendosur regjisori i shfaqjes Giampiero Rappa. Ai e bëri këtë duke më menduar, që në ditën e parë; më mbylli brenda një drejtkëndëshi dhe ma tha: “Bëj çfarë të duash, por nuk do të dalësh prej tij”.

A ke takuar shqiptarë pas interpretimit të kësaj pjese? Nëse po, çfarë të kanë thënë?

Kam takuar edhe janë shumë të prekur, më thonë që u kujtoj veten. Ata  ndihen krenarë, që jam duke bërë diçka për kulturën. Më shikojnë si një shembull, pasi kam mundësi të çoj përpara Shqipërinë edhe kulturalisht.

A e ke menduar që një ditë këtë vepër ta luash edhe në teatrot shqiptare?

Unë mezi pres që ta vë këtë shfaqje në Shqipëri. Kjo është një dëshirë e madhe, sepse kemi qenë në Amerikë, në Zvicër, por në Shqipëri ende jo.

Dhe së fundmi, cilat janë planet e tua artistike?

Aktualisht jam duke punuar për shfaqjen e re, që është “Elozheja e çmendurisë”.