Shqetësimet e mësuesve për profesionin

Publikuar më 06. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Saba Lama

Problematika që diktojmë erdhi si rrjedhojë e kontakteve me mësuesit e disa shkollave të rrethit. Në bisedat e lira me ta, ndër të tjera, pa dyshim u diskutua dhe për probleme që kishin të bënin me mbarëvajtjen e punës së tyre në jetën e shkollës. Në këtë drejtim ata ngritën një sërë problemesh që ishin shqetësuese për ta. Për të tilla shqetësime theksuan ata, puna që bëjmë na është bërë e mërzitëshme dhe e vështirë. Ajo që dua të nënvizoj është se të tilla mendime dhe shqetësime përfshinin jo vetëm mësuesit e rinj në profesion, por edhe mësues cilësor dhe me përvojë shumëvjeçare. Po cilat ishin problemet dhe shqetësimet e ngritura nga masa e këtyre mësuesve gjatë bisedave të lira me ta? Le t’i prezantojmë si vijojnë. Lidhur me:

  1. Interesat që tregojnë nxënësit për mësimin dhe shkollën. Të tilla interesa kanë rënë shumë thanë ata. Kjo vihet re në mungesën e ndjeshme të përkushtimit, vlerësimit dhe përgatitjes së përditëshme ditore që bëjnë në lëndët mësimore që zhvillojnë, në mos përqëndrimin e vëmëndjes gjatë procesit mësimor, disiplinën që reflektojnë në orën e mësimit, në moszbatimin e këshillave dhe porosive që u japim lidhur me detyrat që u takojnë në drejtim të arsimimit dhe edukimit, në frekuentimin jo të rregullt të shkollës e të tjera dukuri që flasin qartë për shthuarje dhe mungesë interesi të nxënësve. Argumenti që dhanë ata për këtë mosinteresim dhe shthurje lidhet me faktin se po i mëshohet më shumë të drejtave të nxënësit se sa detyrave që kanë të bëjnë me arsimimin, edukimin dhe mirësjelljen e tij në shkollë. Për rrjedhojë nxënësit si dhe prindërit e tyre kanë gjetur hapsira për tu krekosur dhe për të kundërshtuar edhe në rastet kur s’kanë të drejtë lidhur me këshillat dhe detyrat që u japin mësuesit.
  2. Mosvlerësimin e figurës së mësuesit për profesionin që ushtrojnë. Në këtë drejtim mësuesit e ndjenin vehten shumë të shqetësuar. Figura e mësuesit thonë ata ka rënë shumë gjatë këtij tranzicioni. E aq më tepër po thellohet e denigrohet gjithnjë e më shumë, ndonëse kjo figurë, dikur nuk ishte në të tilla pozita. Mësuesi i sotëm vazhduan ata gjëndet në rrethana të pambrojtura, duke filluar në rradhë të parë nga vëtë shteti i cili pa dyshim duhet të japë modelin për mbrojtjen, mbështetjen dhe respektimin e figurës së mësuesit nisur nga pozicioni dhe misioni human që ka. Sigurisht duke munguar ky model, kjo figurë në mënyrë të përshkallzuar nëpërkëmbet e sulmohet edhe nga pjestarë të tjerë të komunitetit të shkollës ku punon mësuesi ( nxënësit, prindërit e nxënësve etj ). Në këtë drejtim ndër të tjera ata theksuan se, lidhur me figurën e mësuesit dhe mbrojtjen e kësaj figure, ndjehet nevoja emergjente e hartimit dhe e miratimit të një statusi të veçantë nga shteti dhe organet eprore të arsimit.
  3. Politikat arsimore që ndiqen. Për këtë tregues mendimi i tyre ishte se strukturat e arsimit që funksionojnë për momentin nuk i shërbejnë mbarëvajtjes së arsimit, nisur nga kompetencat që kanë. Ata e kanë ulur tempin e punës së mësuesit në shkolla. Kontrolli dhe kualifikimi në shkolla, nisur nga praktika pedagogjike e dikurshme, tashmë ka mbetur jetim. Më shumë po i jepet prioritet praktikave dhe procedurave të panevojshme dhe që nuk ndikojnë në shëndoshjen e arsimit dhe rritjen e cilësisë së tij. Kjo reflektohet në praktikat që kërkohen nga organet eprore të arsimit lidhur me vlerësimet e nxënësve, dokumentacionin dhe informacionin që u kërkohet mësuesve sipas problemeve që dikton mësimdhënia dhe edukimi në shkollë. Të tilla praktika mësuesit i quanin procedura burokratike dhe për rrjedhojë të panevojshme për tu aplikuar. E keqja është se të tilla politika dhe strategji, po propogandohen si të suksesshme nga zëdhënësit kryesor te MAS-sit si dhe nga ata që kryesojnë reformat e ndërmarra në arsim. Në kuadrin e problematikës që diktojmë, do doja të theksoja se e keqja jonë jo vetëm në arsim, por edhe në sektorë të tjerë të jetës shqiptare lidhur me reformat e ndërmara, e heqim vehten tonë ndryshe ku jemi krahasuar me vendet e tjera, pra edhe me ato me arsim të përparuar. Pra dua të them se nuk e vlerësojmë objektivisht vehten tonë se kush jemi dhe ç’peshë dhe kapacitet kemi në raport me vëndet me arsim të përparuar të marra si model për të patur arritje dhe suksese për sektorin që bëhet fjalë, parë në shumë aspekte.
  4. Programet dhe tekstet që prezantohen në të gjitha nivelet shkollore. Akoma, thanë ata, programet dhe tekstet shkollore mbeten një sfidë për nxënësin dhe për mësuesin lidhur me volumin dhe aparatin pedagogjik që disponojnë pasi mjaftë tekste, sipas klasave nuk i përshtaten moshës dhe nivelit të nxënësve për të të cilët janë deleguar. Pa dyshim kjo sfidë ndjehet edhe për ne mësuesit, pasi jemi ne ata që do ti përdorim këto tekste në punën e përditëshme me nxënësit.
  5. Me ndryshimin që u bë tani lidhur me procesin mësimor në shkolla ( 3 lëndë mësimore në 6 orë mësimi ). Edhe në këtë aspekt cili sapo ka filluar të zbatohet si proces, në shkollat e arsimit parauniversitar ka patur kundërshti nga mjaftë mësues dhe prindër të nxënësve, si dhe nga vetë nxënësit. Ata e kanë quajtur një paradoks dhe e shohin me skepticizëm këtë praktikë nisur nga zbatimin i saj, parë në shumë plane lidhur me nxënësin dhe mësuesin si dy aktorët kryesorë të procesit mësimor, si dhe në drejtim të zbatimit të suksesshëm të programit mësimor që ofron shkolla. Sigurisht problematika e diktuar është një këmbanë dhe mesazh për të gjithë grupet e interesit për mbarëvajtjen e arsimit, për të gjithë ata që kryesojnë  reformat e ndërmarra në arsim, që të bëjnë përmirësimet e nevojshme për respektimin e të drejtave të mësuesit, për mbrojtjen e figurës dhe personalitetit të tij, që armata e mësuesve të ndjejë sadisfaksion në punë lidhur me profesionin që ushtron e jo t’i bëhet e mërzitshme dhe e vështirë, si rrjedhojë e reformave të nxituara dhe të pa studiuara, në kuadrin e reformave të ndërmarra në tranzicion. Dihet tashmë se profesioni i mësuesit për misionin që ka, është një profesion i nderuar, i respektuar dhe human, pasi ka të bëjë me edukimin e brezit. Nga mënyra se si edukohet dhe arsimohet ky brez, do të varen fatet e kombit, e ardhmja dhe perspektiva e tij në vazhdimësinë e viteve. E duke qenë i tillë, të mos lejojmë që figura e mësuesit dhe personaliteti i tij, të venitet, nëpërkëmbet dhe denigrohet. Figura e mësuesit ka qenë kurdoherë e nderuar dhe e respektuar, si dhe një ndër prioritetet kryesore në traditën pedagogike të shkollës sonë, ndaj e tillë duhet të mbetet në ç’do kohë.  Së fundi mendoj të shtroj pyetjen : a kanë të drejtë mësuesit që i reflektojnë shqetësimet e ngritura që lartpërmendëm? Mendoj se po, nisur nga niveli dhe formimi  i nxënësve që prodhon shkolla jonë sot në të gjitha nivelet e saj, cilësia e kuadrit mësimdhënës dhe drejtues që përjetohet në shkolla, arritjet dhe cilësia e arsimit për momentin parë edhe në tregues të tjerë, në kuadrin e rrugëtimit që ka përshkruar reforma arsimore në tranzicion.