“Shpërthen” Arta Marku në Korçë: Arrestoni grosistët jo vetëm shitësit e drogës

Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku në vijim të turit të saj për analizat e organeve të akuzës, ka shkuar në Korçë.
Gjatë takimit me punonjësit e akuzës ajo është shprehur se duhet të nxisim aplikimin e “Marrëveshjes dhe Urdhrit Penal”, me qëllim që prokurorët të jenë më të angazhuar dhe fokusuar tek hetimi i veprave penale me rrezikshmëri të theksuar dhe sensitive për rrethin Korçë.
Ne vijim të deklarimeve edhe në rrethe të tjera ajo ka shprehur mbështetjen për prokurorët që hetojnë korrupsionin duke kërkuar dhe mbështetur forma të reja bashkëpunimi me policinë gjyqësore, agjencitë e tjera në Korçë, si Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), dhe tërheqja e qytetarëve në luftën kundër korrupsionit.
Në njoftimin e bërë publik nga zyra e shtypit thuhet se, Marku ka deklaruar se përkrahim hetime më të thelluara në luftën kundër drogës, ku megjithë suksesin e arritur, e bën të domosdoshme që prokuroria të mos mbetet vetëm me goditjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike, por të identifikojë dhe vendosë përpara përgjegjësisë penale grosistët, grupet që financojnë dhe organizojnë kultivimin e lëndëve narkotike dhe trafikimin.
Marku ka kërkuar nga prokuroria e Korçës nxitjen e analizave të përbashkëta me organet tatimore dhe doganore për të identifikuar shkelje të ligjit në këto fusha nëse ka, pasi siç del nga raporti për vitin 2017 ka vetëm një kallëzim nga këto organe.

Të tjera

Abissnet