Shpërfillet Doktoratura, në UT zgjedhin pedagogë pa tituj

Denoncimi/ Studiuesi, Vladimir Kola denoncon farsën në përzgjedhjen e kandidatëve për pedagogë në Universitetin e Tiranës. Fakulteti i Drejtësisë përjashton kandidaturën e tij. Përzgjedh dy kandidatë pa tituj shkencorë

Enida Vërça

Studiuesi Vladimir Kola denoncon në gazetën “Shekulli”, farsën në përzgjedhjen e kandidatëve për pedagogë në universitet publike në vend. I tillë është rasti i fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, i cili nuk i ka njohur doktoraturën e përfunduar në Itali duke e përjashtuar kandidaturën e tij nga lista. Më tej, ai thotë se universiteti ka përzgjedhur për pedagog në Fakultetin e Drejtësisë, Departamenti i së Drejtës Publike dy persona të cilët nuk gëzojnë asnjë titull shkencor. “Pa marrë parasysh fare doktoraturën, komisioni kishte vendosur përjashtimin e kandidaturës sime dhe kishte shpallur fitues dy kandidatë që nuk kanë Doktoraturë, as nuk kanë shkruar asnjë artikull shkencor apo libër”. Ai thotë se për momentin nuk mund t’i bëj publik emrat e personave të cilët janë shpallur fitues, pasi ka kërkuar anulimin e këtij vendimi dhe kërkesa e tij është protokolluar.

Kriteret

Në fjalën e tij, Kola thotë se diploma e tij është në Shkencat Politike, por ka lidhje të ngushta me departamentin e të Drejtës Publike, pasi studiohen dhe mbrohen të gjitha lëndët e kësaj të fundit. “Duke qenë se Diplomën e kam në Shkenca Politike dhe Doktoraturën në të Drejtën Publike, komisioni kishte vendosur përjashtimin tim si kandidat. Kurrikulumi në Shkenca Politike është i ngjashëm me departamentin në të drejtën publike, sepse përtej lëndëve të tjera, mbrohen të gjitha lëndët që kanë lidhje me të drejtën publike. Prandaj, jam pranuar edhe në Itali për Doktoraturën në të drejtën publike, edhe pse Doktoratura ishte te fakulteti i Drejtësisë. Se dyti, vetë Doktoratura është në të drejtën publike dhe kushtetuese. Se treti, ka edhe raste të tjera kur dikush që mund të ketë mbaruar në Shkenca Politike dhe është angazhuar në Departament te së Drejtës Publike dhe anasjelltas”, sqaron ai.

Statuti

Studiuesi thotë se Fakulteti i Drejtësisë me ketë vendim, nuk ka njohur Statutin e Universitetit të Tiranës. Referuar nenit 67 të tij, pika 2, grama c) për punësimin e personelit akademik saktësohet se duhet të ketë përfunduar studimet Master Shkencor dhe/ose studime te doktoratës në të njëjtën fushë. “Sipas nenit 67 të Statutit edhe Doktoratura në të njëjtën fushë mjafton, sepse thuhet “ose studime të doktoratës në të njëjtën fushë”. Natyrisht, kam kërkuar anulimin e vendimeve në fjalë dhe nëse do jetë e nevojshme, vendimet për konkursin në fjalë do të bllokohen (do mbesin të pezulluara) në rrugë gjyqësore. Kriteret shtesë që mund të vendosë Departamenti nuk mund të jenë në kundërshtim me Statutin, pasi dihet se nga ana hierarkike Statuti është mbi vendimet e Departamentit. Gjithashtu, në nenin 59 të ligjit n. 80, 2015, Doktoratura konsiderohet me vlerë më të lartë se Masteri”, nënvizon ai.

Punësimi

Bazuar në nenin 67 për punësimin e personelit akademik me kohë të plotë saktësohet se punësimi realizohet me procedurë të konkurrimit të hapur përmes një procesi transparent, të paanshëm dhe objektiv. Po ashtu nënvizohet se kandidatit duhet të gëzojë disa kritere të tilla siç janë: “Të ketë zotësi për të vepruar; Të zotërojnë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin e punës për të cilin konkurrojnë; Të kenë përfunduar studime master shkencore dhe/ose studime të doktoraturës në të njëjtën fushë; Të mos jenë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një vepre penale me dashje; Të mos jetë marrë ndaj tyre masa disiplinore ose largime nga puna. Njësia bazë, mbështetur në nevojat e saj, përcakton kriteret e veçanta shtesë për vendet e punës, mbështetur mbi kategorinë e personelit që kërkohet të punësohet, të cilat miratohen nga Rektori. Kriteret e punësimit i përcillen Rektorit nga drejtuesi i njësisë kryesore”, thuhet në nenin për punësimin e stafit pedagogjik.

Vendimi

Në vendimin e fakulteti të Drejtësisë të Universiteti të Tiranës thuhet se, Vladimir Kola nuk plotëson kriterin e diplomimit në fushën e Drejtësisë në nivel Bachelor. “Vendimi për shpalljen e kandidateve fitues për personelin akademik me kohe të plotë në Departamentin e së Drejtës Publike te FDUT-se Bazuar në nenin 64 të Ligjit nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në nenin 67 pika 7 të Statutit të UT-së, të miratuar nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës më datë 14.09.2018 dhe me Urdhrin nr. 816 datë 26.12.2018 të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinise, Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve fitues, për 8 vendet e lira të punës për Personel akademik, pranë Departamentit të së Drejtës Publike të FDUT-se, vlerësoi të gjithë kandidatët në dy komponentë: Vlerësimi i dosjeve dhe Intervista. Nga kjo procedure, rezultoi se kandidatet e mëposhtëm nuk e kaluan fazën e parë të vlerësimit të dosjeve, për arsye e shkualifikimit sipas kritereve të shpallura: Vladimir Kola, nuk plotëson kriterin e diplomimit në fushën e Drejtësisë në nivel Bachelor”, saktëson vendimi i fakultetit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet