Shpërblimet e fundvitit, qeveria i ka 50 mijë lekë borxh çdo mësuesi

Publikuar më 11. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Lindita Bushgjokaj

Mohimi i të drejtës që njihet nga Kodi i Punës, por që nuk është mbajtur prej vitit 2013. Rrëfimet e mësuesve dhe reagimi i sindikalistëve se nëse mohohet edhe këtë vit kjo e drejtë, mësuesit nuk do të presin mëshirën e ministres

Shpërblimi i mësuesve për festat e fundvitit është një e drejtë që ju njihet në Kodin e Punës së RSH, neni 112/4 dhe duhet të përfitojnë 10 mijë lekë. Por sipas një pyetësori të realizuar nga gazeta “Shekulli”, mësues nga e gjithë Shqipëria, pohojnë se kanë që në vitin 2013 që nuk e marrin këtë shpërblim. Në përgjigjet e tyre spontane ata kanë shpalosur reagime të ndryshme për mohimin e kësaj të drejte nga Ministria e Arsimit, ku shumë prej tyre e lidhin me ngjyrime politike kryesisht me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet. Ata theksojnë gjithashtu se ndihen të diskriminuar, pasi vlerësohen më shumë mësuesit që kanë përkrahjen e partisë dhe jo mësuesit që punojnë me dashuri dhe pasion. Fenomeni mbetet problematik jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha rrethet e Shqipërisë, pohuan mësuesit për “Shekulli”-n.

Kryesindikalisti: Ministria nuk përgjigjet

Arian Peraj, drejtues i Sindikatës së Arsimit në Shkodër, në një intervistë për “Shekulli”-n, tha se jemi munduar të diskutojmë me ministren shumë probleme që shqetësojnë mësuesit, ku më konkretisht është kërkuar një përgjigje për mungesën e shpërblimeve në fund të vitit, e cila nuk është marrë në konsideratë tha z.Peraj. Gjithashtu në takimin e fundit që ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka realizuar më intelektualet e arsimit në Shkodër, ai thotë se ka diskutuar çështje që i interesojnë qeverisë, duke injoruar problemet e mësuesve në gjithë Shqipërinë.

Z.Peraj, sa kohë ka që nuk marrin shpërblim mësuesit për fundvit?

Historia me mohimin e shpërblimit të fund vitit fillon që nga dhjetori i vitit 2013, kur qeveria e sapo ardhur në pushtet ua hoqi këtë të drejtë të fituar mësueseve shqiptarë.

Pse e drejtë e fituar?

Sepse në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, në nenin 112/4, thuhet që çdo e drejtë e përfituar mbi dy herë fiton të drejtën e vazhdimësisë së pamohueshme. Ne kishim shumë vite që e përfitonim dhe si rrjedhojë ky shpërblim prej 10.000 lekësh na u hoq dhunshëm dhe në shkelje të vetë Kodit të Punës. Ajo e cila është edhe më e dhimbshme dhe amorale nga kjo qeveri në përdhosje të figurës së mësuesit, është edhe fakti i cili e bën edhe më akuzuese se në buxhetin e viti 2013-të fondi për shpërblimet ishte akorduar, ndërsa mësueseve nuk ju shkoj në llogaritë e tyre ky planifikim. Pra kemi të bëjmë me vitin e ndërrimit të pushteteve dhe fondi ishte akorduar, por qeveria Rama i kishte më prioritare çmontimin e vlerave në sektorin e arsimit dhe zëvendësimin e tyre me individ të prodhuar në kuzhinën elektorale. Pasojat e të cilave po i shikojnë dhe po i ndjejnë çdo ditë mbi shpatullat e tyre shkolla, mësuesit, nxënësit dhe prindërit e tyre.

 A është bërë ankesë?

Jo, vetëm është bërë ankesë nga ana e drejtuesve të Aleancës Sindikale, por dhjetorin e kaluar u bënë përgatitjet për një aksion sindikal i cili u anulua, pasi burime nga ministrja mashtruan sikur do e akordonin këtë shpërblim dhe kur do fillonte aksioni sindikal, urdhëruan mbylljen e procesit mësimor për “kushtet atmosferike” në janarin e vitit 2017-të. Si pasojë duke mbajtur përgjegjësinë tonë si mësues të përgjegjshëm, nuk e menduam si të drejtë vijimin në pafundësi të bllokimi të procesit mësimor.

Po mësueset e dalluar kanë përftim të veçantë për ketë fond që parashikon ligji?

Është një fond i veçantë i cili ju akordohet mësueseve me rezultatet më të larta gjatë procesit mësimor nga ana e drejtorive të shkollave. Ka qenë traditë që ky shpërblim të jepej bazuar në një instrument vlerësues korrekt dhe transparent dhe i cili aprovohej nga çdo trupë pedagogjike, por në katër vitet e fundit është kthyer në shpërblim preferencial nga drejtuesit e shkollave me kriterin e vetëm, vlerësimin si simpatizant, anëtar apo militant i së majtës në pushtet. Ky shpërblim nuk ka lidhje me atë që ne kërkojmë për të gjithë mësuesit në sistemin para universitar, pasi ky i fundit bazohet në Kodin e Punës në RSH në nenin 114/2.

Në takimet që keni realizuar së fundmi me ministren Nikolla çfarë është diskutuar?

Thjeshtë u bë “fasadizimi” i radhës ku u detyruan disa militantë politik të kontribuonin me disa ndihma për zonat e përmbytura dhe ç ‘është më skandalozja, vazhdojnë veprimtaritë ilegale të ministres së arsimit dhe zinxhirit të saj drejtues sa herë vjen në Shkodër. U përpoqëm si Aleancë sindikale të ishim pjesë e veprimtarive, por nuk kishte asnjë lloj transparence apo bashkëpunimi në këto veprimtari. Ne nuk kishim ndonjë kënaqësi të madhe, por donim të ballafaqoheshim direkt me ministren për problematikat që i interesonin mësuesve në gjithë Shqipërinë.

A pati ndonjë reagim nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, në lidhje me shqetësimet që kanë mësuesit?

Jo asnjë reagim, megjithëse besoj se qëllimi ynë që t’ia përcillnim mesazhin znj. ministre i është transmetuar, por besoj do ketë reagim në ditët në vazhdim kur aksioni sindikal të marrë përmasat që ne kemi në pritshmëri. Nëse pas pesë vitesh ministrja nuk ka asnjë përgjegjësi për mohimin që i bën të drejtave tona duke e grupuar shumën e mohuar të lekëve në 50 mijë lekë, nuk besoj se mësueset do të rrinë në pritje të mëshirës saj.

 

Eglantina Metani: Nuk kam asnjë ankesë zyrtare

“Shekulli” iu drejtua DAR-it të Tiranës për të marrë një informacion se pse është mohuar kjo e drejtë mësuesve që prej vitit 2013, në një kohë që ligji e njeh si të tillë. Eglantina Metani, drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Tiranë tha për “Shekulli”-n, se nuk ka dijeni për këtë problem dhe se pret ta verifikojë në vazhdim.

Duam të marrim një përgjigje nga drejtoria juaj në lidhje me mungesën e shpërblimit prej 10 mijë lekësh për mësuesit në fund të vitit. Ata thonë se kanë që prej 2013-ës që nuk e kanë marrë këtë shpërblim që ju takon me ligj. Pse?

Unë sot nuk të jap dot një përgjigje, sepse më duhet ta konsultoj edhe me ato të financës. Por nëse është vepruar kështu do të thotë që kjo është e përgjithshmja, nuk është vetëm për drejtorinë që administroj unë. Gjithsesi, nëse është e vërtetë kjo që thoni, unë do ta verifikoj. Unë nuk jam një organ vendimmarrës për këto çështje, pasi gjitha institucionet janë të varura dhe ne veprojmë si institucione të tilla. Nuk besoj se janë në vullnetin tim apo mundësitë e mija për të bërë hapa të tillë. Në këto vite unë nuk kam pasur ndonjë kërkesë apo ankim, që unë të kuptoja dhe veproja. Unë kam vepruar për gjithçka që e kam gjetur të shkruar dhe që ka funksionuar për të gjithë. Nuk mund të them më shumë pa e konsultuar me ekspertet e fushës, pasi jam në rolin menaxherial. Nuk kam njohuri të mjaftueshme që të jap një përgjigje për këtë problem.

Mësuesit: Shpërblimet? Ne nuk po marrim as rrogën

Irma Hoxha, Tiranë: Na mbahet 5% çdo muaj nga paga. Nga kjo deri para katër vitesh merrnim “shpërblim” 10 mijë lekë në fund të vitit, i cili gjithashtu tatohej dhe merrnim vetëm 9 mijë lekë. Këto katër vite na mbahet 5% i rrogës mujore, por në fund kemi marrë 0%. Kështu që nuk bëhet fjalë për shpërblim, por ishin lekët tona që na mbaheshin nga paga. Këtë vit do të shohim a do na japin “shpërblimin”, apo do të marrim lekë borxh për të pestin vit rresht për gjelin e detit.

Gëzim Idershaj, Durrës: Që kur ka ardhur në pushtet “Rilindja” nuk kemi marrë “shpërblime”, që nga dhjetori i 2013-ës dhe deri në këtë moment që po të shkruaj. Marrin vetëm mësues rilindës për çdo shkollë. Sipas ligjit na takojnë të marrim 10 mijë lekë. Është për të ardhur keq që pjesa më intelektuale e Shqipërisë diskriminohet në këtë mënyrë.

Anila Xhemali: Joooo! Është fjalë e huaj “shpërblimi” që pas 2013-ës. Këta s’po ndajnë rrogën e nëntorit akoma.

Blerim Qose, Lushnjë: Mësuesit kanë frikë të thonë “JO”, sepse i ngel qejfi drejtorit dhe kryetarit të partisë. Të na rrojë partia, se ne nuk duam lekë.

Ilirjana Balliu, Durrës: Në Durrës s’kemi marrë akoma rrogat, ju dashkeni shpërblim. Nuk i do qejfi shtetit, më duket.

Moza Dini, Rrogozhinë: Mësues të dalluar janë servilët e drejtorit ose miq të kryetareve të partive, sepse ata që punojnë nuk vlerësohen. Më vjen keq, se nuk dua të ofendoj askënd në këtë profesion që punon me dashuri.

Lirim Bejaj, Tiranë: Nuk janë dhënë këto vitet e fundit, por kanë marrë vetëm mësuesit e dalluar.

Almida Bregu, Vlorë: Kush quhet i dalluar?

Drita Gjaci, Tiranë: Ata që dalin për kafe dhe nuk kanë kohë për nxënësit e tyre.

Bona Deliu: I dalluar është ai që rri pas partisë.

Almida Bregu Vlorë: Do u mbahen për përmbytjet e jo më t’ju japin më tepër.

Matilda Mata Berat: Vetëm në kohën e Saliut kemi marrë.

Silva Cela Tiranë: Edhe në kohën e Fatos Nanos.

Rolanda Tuci, Mirditë: Jo nuk bëhet fjalë.

Vjollca Ndrekaj: Jo. Marrin të dalluarit nga partia, qeveria dhe DAR-i.

Lavdie Kurti Tiranë: Jo, as në Tiranë nuk kemi marrë.

Bruna Kaftera, Tiranë: Kolege të nderuar, pak dinjitet. Çfarë i duan mësuesit shpërblimet?? Rroga na del për dy javë, dy javët e tjera vegjetojmë, vegjetojmë edhe për festa.

Flutura Hoxholli Elbasan: Është viti i pestë që nuk marrim 5%-shin që na mbahet gjatë vitit.