Shorti vuri përballë Zvicrën me Serbinë, postimi i Shaqirit provokon mediat e Beogradit

Publikuar më 01. 12. 2017 nga Eno Shkëmbi

Lojtari i Zvicrës me origjinë nga Kosova Xherdan Shaqiri postoi një foto në “Instagram” pas hedhjes së shortit të “Rusi 2018”, ku “helvetëve” u ra të ndeshen me Serbinë.

Në foton e postuar Shaqiri shprehej se i pëlqente ndarja e skuadrave në grupin E, ku ndodhej edhe Serbia.

Të shumtë janë shqiptarët që i kanë komentuar Shaqirit në profilin e tij, kryesisht për të mundur kombëtaren serbe. Ata shkruajnë: “Mbyte Serbinë”, apo edhe “Inshallah po i mundni ata pisa…”

Kaq ka mjaftuar që të reagojnë mediat serbe, të cilët e cilësojnë postimin dhe komentet si provokim.

“Kurir.rs” shkruan: “Shaqiri tregon sa i lumtur është për shortin. Pas postimit të tij, shqiptarët vërshojnë duke fyer kombin tonë.”

Përballja Zvicër-Serbi do të jetë emocionale për lojtarët me origjinë kosovare, të cilët ndonëse nuk kanë jetuar në Kosovë për shumë kohë, janë rritur me rrëfimet e luftës.