Shkup, përçarje brenda Lëvizjes “Besa”

Partia opozitare “Besa” në Maqedoni po përjeton çaste të vështira, ndërsa po shtohen mosmarrëveshjet dhe ndasitë brenda strukturave të saj udhëheqëse. Drejtuesit e partisë mohojnë se deputetët e saj janë të ndarë në dy grupe, njëri me degën e Tetovës e afërt me Bilall Kasamin dhe tjetri me degën e Shkupit, kundër tij. Zoti Kasami, megjithatë, tha të martën se të gjithë deputetët e “Besës”, që janë gjithsej pesë, janë të bashkuar dhe veprojnë të bashkuar në parlament.
Nga ana tjetër, deputeti Nexhmedin Karemani, i cili zuri vendin e Bilall Kasamit në parlament, është ankuar se ka pasur kërcënime me jetë ndaj tij dhe familjes së tij. Zoti Karemani u tha gazetarëve të martën se i njihte kërcënuesit dhe se motivet e tyre ishin politike, se i kishin kërkuar të dorëhiqej nga posti i ushtruesit të detyrës së kryetarit të partisë që e mori kohët e fundit dhe nga posti i deputetit. Ai tha se kishte njoftuar për kërcënimet autoritetet policore dhe vetë ministrin e brendshëm Oliver Spasovski.
Nexhmedin Karemani u bë ligjvënës duke zënë vendin e Bilall Kasamit pasi ky pati dhënë dorëheqjen gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale në muajin tetor, kur u kandidua për kryetar të komunës së Tetovës. Zoti Kasami pati dhënë dorëheqjen edhe nga posti i kryetarit të partisë pasi Lëvizja Besa shënoi rezultate të dobëta në këto zgjedhje, por burime të afërta me të nuk e përjashtojnë mundësinë që ai të ri-kandidohet për postin e kryetarit të partisë në Kongresin e caktuar për në muajin shkurt.
Zoti Kasami shkoi të martën në mbrëmje në zyrat e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, por ende nuk janë mësuar hollësitë e takimit mes tyre. Ndërkaq, burime qeveritare i kane thënë agjencisë shtetërore të lajmeve Mia se në takim është biseduar për paketën e reformave të ligjeve në parlament.
Besohet se deputetët Fadil Zendeli dhe Teuta Bilalli janë me “krahun e Tetovës” duke u nisur edhe nga paraqitjet këto ditë të eksponentëve partiakë para medias që shihen pranë zotit Bilalli për dallim nga kolegët e tyre të tjerë, Afrim Gashi, Nexhmedin Karemani dhe Rexhep Memedi të cilët qëndrojnë pranë fraksionit tjetër.
Dy grupet kanë mosmarrëveshje edhe me selinë e partisë në Shkup. Herë njëri e herë grupi tjetër hyjnë në hapësirat e selisë duke hapur forcërisht dyert dhe duke akuzuar njëri tjetrin për tentativë uzurpimi, por edhe duke alarmuar policinë për veprimet e fraksionit të kundërt.
Partitë e tjera në Maqedoni nuk kanë komentuar publikisht mbi zhvillimet brenda Lëvizjes Besa. Ndërkaq, ka spekulime në një pjesë të medias në Shkup se njëri ose krahu tjetër i saj mund të bëhet pjesë e koalicionit qeveritar, apo të mbështesë politikat qeveritare edhe pa qenë zyrtarisht pjesë e pushtetit.
Lëvizja “Besa” është një parti e re në skenën politike të Maqedonisë dhe ajo për herë të parë mori pjesë në zgjedhjet parlamentare në dhjetor të vitit 2016, duke fituar pesë poste ligjvënësish që e bëri atë partinë e dytë më të madhe shqiptare, pas Bashkimit Demokratik për Integrim. Por, ndikimi i saj ra shumë shpejtë, vetëm pas dhjetë muajsh: “Besa” fitoi vetëm një kryetar komune në zgjedhjet vendore të 15 tetorit, atë të Zhelinës pranë Tetovës.
Partia e vlerësuar si financiarisht e fuqishme, i ka hedhur poshtë akuzat e kundërshtarëve dhe shtypit për lidhshmëritë me donatorë turq apo nga vende islamike, ndërkohë që drejtuesit partiakë kanë përsëritur se janë transparentë lidhur me të dhënat financiare dhe nuk fshihen nga organet hetuese maqedonase./VOA

Të tjera

Abissnet