Shkon në 10 numri i kërkesave të studentëve, ja cilat janë ato

Prej dy ditësh studentët e universiteteve në Shqipëri protestojnë për ndryshimin e VKM-së së fundit për arsimin dhe tarifat e larta që janë vënë. Ata protestuan para Ministrisë së Arsimit, ku parashtruan kërkesat e tyre, por e vetmja gjë që është arritur deri tani është anulimi i pikës 4 i VKM-së, ajo e heqjes së tarifës së provimeve të mbartura.

Ndërkohë që nesër do të ketë një tjetër protestë dhe studentët do të mblidhen para Ministrisë së Arsimit për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë.

Me anë të një deklarate shpërndarë për mediat, “Student Economic Forum”, shprehet se mbështet fuqimisht kauzat e studentëve të ngritura në protestë.

Por veç kësaj “Përfaqësuesit e Studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës”, ka renditur edhe kërkesat që ata kanë.

Deklaratë nga Përfaqësuesit e Studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës

Student Economic Forum si një organizatë jo-fitimprurëse e themeluar në vitin 2014 nga një grup studentësh dhe pedagogësh të UBT-së, mbështet fuqimisht kauzat e studentëve të ngritura në protestë.

Studentët, përfaqësues të forumeve dhe klubeve studentore të UBT-së, përfaqësues të 5 fakulteteve, Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit; Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit; Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit; Fakultetit të Mjekësisë Veterinare; Fakultetit të Shkencave Pyjore kanë vendosur si më poshtë:

1- Bojkotin e mësimit për datën 7/12/2018;

2- Vazhdimin e protestave para fakulteteve (8:30) dhe Ministrisë së Arsimit (10:00);

Ky vendim është marrë pasi struktura drejtuese e SEF (50 studentë) dhe klubet studentore të UBT-së (30 studentë) e kanë miratuar unanimisht me votë të lirë;

Kërkesat e studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës:

1- Paisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019;

2- Rritja e buxhetit për arsimin me 8% të GDP-së, buxheti për vitin 2019;

3- Reduktimi tarifës me 30% për vitin akademik 2018 – 2019;

4- Reduktimi tarifes me 50 % për vitin akademik 2019 – 2020;

5- Arsim publik falas për vitin akademik 2020 – 2021;

6- Përmirësimi i kushteve të konvikteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës;

7- Mbështetja e aktiviteteve dhe projekteve të studentëve me një fond të veçantë, nivel fakulteti;

8- Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore;

9- Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor;

10- Rritja nga 10% në 40% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor, dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.

Këto janë kërkesa të panegociueshme të cilat studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës i quajnë të shenjta.

Ne jemi të gatshëm të luftojmë për t’i fituar këto sfida një e nga një, njësoj si studentët e Bashkimit Europian para 30 – 40 vitesh nëpërmjet lobimit, advokimit dhe protestave në vendet e tyre.

Jemi të gatshëm të diskutojmë me këdo që merrë përsipër të zgjidhë 10 kërkesat e studentëve të UBT-së.

Për Shqipërinë që i do dhe i mbështet studentët!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet