Shkollat në rrethe hapin dyert për fëmijët nga Tirana dhe Durrësi

Enida Vërça

Fëmijët e familjeve të evakuuara nga zonat e datuara prej tërmetit kanë nisur shkollën në rajone të tjera. Edhe pse gjendja duket se po shkon drejt normalizimit, disa shkolla në qarqet e Tiranës, Durrësit Lezhës janë vendosur të mos nisin mësimin ditën e sotme, pasi sipas inspektimeve ka rezultuar se janë të rrezikshme. Të ndodhur në këto kushte, prindërit janë detyruar që fëmijët e tyre t’i çojnë në shkolla të tjera larg qytetit. Janë 7 fëmijë, 3 nga Tirana dhe 4 të tjerë nga Durrësi të cilët janë ulur në bankat e shkollës së Gjirokastrës. “Jemi të gatshëm t’i ofrojmë asistencën tonë, punën tonë sepse ky është misioni ynë”, janë shprehur mësuesit. Në Velipojë 8 nga 16 fëmijët e zonave të prekura nga tërmeti që janë strehuar në këtë qytet kanë zgjedhur të mos shkëputen nga procesi mësimor dhe ta vazhdojnë atë pranë shkollës “Gjergj Vat Martini”. “Kemi pasur frikë, të gjithë ishim të tmerruar, por tani ka kaluar. Sa të qetësohet situata në do të vazhdojmë shkollën këtu. Për momentin jemi të qetë, por kur kujtojmë tërmetin, frika na kap sërish”, thonë ata.

Prindërit

Prindërit shprehen se nuk janë të sigurt në asnjë vend për fëmijët e tyre, sidomos në qarkun e Tiranës dhe të Durrësit, ku situata vazhdon të jetë tejet e rënduar, si pasojë edhe vazhdimit të post-lëkundjeve të tërmetit. “Nga Lezha e kam vendosur djalin në Velipojë. Është frikë e madhe me gjithë këtë që ndodhi në Lezhë. Urojmë që të mos përsëritet më kjo situatë. Djalin e kam te njërit e mi dhe jam disi më e qetë tani”, shprehet një tjetër prindër. Ata thonë pas inspektimeve të bëra nga ekspertë, të cilët shumë shkolla i shpallën të rrezikshme për të rinisur mësimin, frika e tyre është dyfishuar. “Para tërmetit nuk dinim asgjë, se në cilat kushte ndodheshin fëmijët tanë. Tani që e mësuam nuk ka më ditë të qeta për në. Me frikë jo vetëm për post-lëkundjet, por me frikë të madhe se ku i paskemi çuar dhe do t’i çojmë fëmijët tanë në shkollë”, thonë ata.

Shkollat

Në Qarkun Durrës (bashkitë Krujë, Durrës dhe Shijak) mësimi mbetet i pezulluar deri më datë 9 dhjetor (e hënë). Në Qarkun Tiranë (bashkitë Tiranë, Vorë, Kamëz, Kavajë dhe Rrogozhinë) dhe Qarkun Lezhë (bashkitë Lezhë, Kurbin dhe Mirditë)-mësimi do jetë i pezulluar deri më datë 5 dhjetor (e enjte). Por ruajmë mundësinë që ta shtyjmë edhe për disa ditë të tjera pezullimin e mësimit në rast se nuk sigurohemi se të gjitha shkollat janë në gjendje të sigurt infrastrukturore. Njoftimin nëse shtyjmë pezullimin e mësimit për këto 2 qarqe, e bëjmë një ditë para, pra me datë 4 Dhjetor. Në të gjitha qarqet e tjera, pra në 9 qarqet e tjera-sot , me datë 2 dhjetor, mësimi rifillon normalisht.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet