Shkodër/ Ish-prefekti denoncoi huamarrësit dhe djemtë, detaje rreth grupit të fajdexhinjve

Të tjera detaje kanë dalë në dritë mbi operacionin “Maranaj” të Policisë së Shkodrës ku u arrestuan 12 persona, ndërsa janë në kërkim tre të tjerë.

Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se shtetasit në fjalë u vunë nën pranga pas denoncimit të bërë nga ish-prefekti i qarkut Shkodër Paulin Radovani si dhe ish-këshilltar në këshillin bashkiak të Shkodrës.

Dy djemtë e Radovanit, të varur nga kazinotë, nisën të merrnin hua shuma parash te persona të ndryshëm në Shkodër, të cilët ia lëshonin me një përqindje që varion nga 3-20%. Ish-prefekti nisi të shesë disa prona të tij për shkak të fajdeve, ndërsa disa prona ia kishin marrë fajdexhinjtë duke qenë se nuk kishte shlyer tek ata borxhet që kishte. Të tjerë nisën t’i bëjnë presion pasi nuk u kishte shlyer fajdet.

Në një moment teksa shkonte në shtëpi, ish-prefekti është sulmuar fizikisht, ndërsa gjykata lëshoi për të dy urdhra mbrojtje.
Besnik Barbullushi, një emër i njohur në Shkodër pak kohë më parë u vetëvar dhe kjo ngjarje dyshohet se ka ndodhur pikërisht për shkak të një borxhi të madh që i ka dhënë familjes Radovani.

Ndërkaq fajdexhinjtë vijonin përndjekjen për dy djemtë e ish-prefektit, të cilët u arratisën jashtë vendit për këtë arsye. I gjendur në një situatë të tillë Radovani vendoi të denoncojë në policidisa prej emrave të cilëve ai vetë apo dy djemtë e tij i kishin marrë para hua.

Pas denoncimit të tij, prokuroria dhe policia nisën hetimet ndërsa shumë prej bisedave janë regjistruar nga vetë ish-prefekti Radovani, i cili ka patur një përgjues që ia kanë dhënë prokurorët kur ka diskutuar këto çështje me fajdexhinjtë.

Të arrestuarit në kuadër të operacionit

Byrhan Alija, 61 vjeç, Edi Memçaj 33 vjeç, Adri Bala 22 vjeç, Artan Dragani ish kancelar ne gjykatën e Shkodrës 39 vjeç, Marjan Bregu 31 vjeç, Vinko Nikprelaj 37 vjeç, Eduart Fusha 38 vjeç, Elidon Qerimaj 41 vjeç, Pashko Vuksanelaj 54 vjeç, Lul Sylja 48 vjeç, Naim Ahmetaj 52 vjeç dhe Ilir Sokoli 38 vjeç, ish drejtor i patentave në Shkodër. Policia ka të shpallur në kërkim edhe tre shtetas të tjerë E.M, J.A dhe E.L ndërsa janë pezulluar nga detyra dhe kanë masën e sigurisë “detyrim paraqitje” shtetasit Valbona Hajdari notere në Shkodër dhe Ergys Lohja, efektiv policie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet