Shkelen 3 nene të Kushtetutës. Pse hesht OSBE?

Zef Bushati

Diskriminohen partitë politike jo parlamentare. Nuk respektohet barazia dhe bindjet politike. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi hesht. BE dhe OSBE heshtin e nuk kryejnë detyrën. PS voton e vetme në Kuvendin e Shqipërisë për të marrë plotësisht kontrollin politik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Komisioni Politik i Zgjedhjeve është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë, po ashtu me Rekomandimet e BE-së dhe OSBE-së. Shqipëria po rihyn edhe një herë në Zgjedhjet Vendore me ligjin më antidemokratik që ka Europa. Përfaqësuesit zyrtarë të BE-së dhe OSBE-së heshtin. Mjerë ky popull që të gjithë ia kanë me hile. Sa keq që zyrtarët e lartë të BE-së dhe OSBE-së në Tiranë, bashkohen me interesat e pushtetarëve të PS-së dhe shkelin ligjet dhe Kushtetutën e Shqipërisë. OSBE/ODHIR bashkohen me krerët e PS dhe PD, dhe bëhen “ortak” me ta kundër partive të tjera politike jo parlamentare, madje duke i diskriminuar ato. PS, PD, OSBE/ODHIR shkelin 3 nene të Kushtetutës së Shqipërisë.

1.- Le t’i referohemi konkretisht Kushtetutës, e cila ne Nenin 1, pika 3 thotë: “Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira e të barabarta, të përgjithshme e periodike”. Asnjë nga krerët e PS dhe PD nuk e artikulon fjalën “Të barabarta”, madje këtë fjalë nuk e përmendin as zyrtarët e Lartë të BE dhe OSBE. A e dini pse? Se zgjedhjet në Shqipëri kurrë nuk kanë qenë  “Të barabarta”. Ecim më tej.

2.- Ne Nenin 45 të Kushtetutës, pika 4, shkruhet: “Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”. Në kundërshtim me Kushtetutën, PS dhe PD kanë formuluar në Ligj ndryshimin, ku i jepen të drejta një individi të votoje për të gjithë familjen. Kjo ka bërë që të votojnë individë të ndryshëm në të gjithë territorin e Shqipërisë në emër të familjes, fshatit, komunës, një lagjeje të qytetit si të “të fortët” e partisë, si kriminelët dhe të korruptuarit që me çdo mjet kërkojnë të zgjidhen deputet në parlament apo të marrin detyra në pushtetin ekzekutiv. Vitet e fundit e kemi parë konkretisht rezultatin e ndryshimit të këtij Neni të Kushtetutës.

3.- Në mbështetje të neneve 18, 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozim të një grupi deputetësh, u hartua dhe u miratua në Kuvendin e Shqipërisë LIGJ Nr.10 221, datë 4.2.2010 “Për Mbrojtjen nga diskriminimi”. Në Nenin 1. Ky ligj rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, bindjet politike, fetare ose filozofike, etj. Pra, midis kategorive që diskriminohen, janë dhe “Bindjet politike”, të cilat qytetarët shqiptarë i shprehin nëpërmjet partive të ndryshme politike. Por, Partitë Politike nuk veprojnë në kushte të barabarta. Vetëm dy parti favorizohen dhe ato janë PS dhe PD, ndërsa të tjerat diskriminohen nëpërmjet ligjit që kane hartuar këto dy parti. Komisioneri Për Mbrojtjen nga Diskriminimi është zgjedhur Robert Gajda. Por atij as që i ka shkuar ndonjëherë në mendje se persekutohen bindjet politike në Shqipëri, si persekutohen dhe çfarë duhet bërë që mos të persekutohen. Ai është zgjedhur nga PS dhe është i kënaqur që të gjithë ata qytetarë që kanë bindje politike socialiste i ushtrojnë bindjet e tyre në liri të plotë dhe plot privilegje. Por, atij as i bën përshtypje fare që një pjesë e elektoratit të cilët kane bindje politike demokristiane, nuk mund t’i shprehin bindjet e tyre politike nëpërmjet medias vizive dhe shtypit të shkruar, nuk i shprehin bindjet e tyre as nëpërmjet votës në zgjedhje se ja vjedhin votën, nuk janë as të barabartë në garën elektorale me PD e PS. A e di ky Komisioner, që në garën zgjedhore PS dhe PD marrin respektivisht 800 dhe 600 milionë lekë nga buxheti i shtetit, ndërsa Partia Aleanca Demokristiane nuk merr asnjë lek, zero lek? Nuk është ky persekutim i bindjeve politike të një grupi të caktuar qytetarësh që kanë të njëjtat bindje? Nuk është ky persekutim i bindjeve politike apo jo zotërinj të BE-se dhe OSBE-së?

Konkluzioni: Votuesit e partive të tjera që sot janë jo parlamentare, vazhdojnë të jenë të diskriminuar nga deformimi i ligjit dhe nuk gëzojnë asnjë të drejtë që i jep Kushtetuta. Për çfarë demokracie, barazie dhe ndryshimi mund të flitet në Shqipëri kur shkelen nenet e Kushtetutës, kur Ligji Zgjedhor diskriminon, nuk ndryshon dhe kur Zgjedhjet e ardhshme Lokale do të jenë njësoj si ato te Zgjedhjeve të kaluara ? Njësoj votat edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale, do blihen e do vidhen nga të korruptuarit e pushtetit, njësoj bandat do ushtrojnë dhunë e presion, njësoj kandidatet e Partive të tjera jo Parlamentare nuk do kenë mundësi të kandidojnë pa mbledhur 20 mijë firma, pa patur anëtarë nëpër komisione, njësoj votat do të numërohen nga militantët e PS dhe PD, çdo gjë do jetë njësoj. Këtë e dinë edhe drejtuesit e lartë të BE dhe OSBE. Sa turp, sa keq për ata që heshtin dhe nuk kryejne detyrën dhe sa keq për popullin dhe vendin tonë që është Anëtar i NATO-s dhe kërkon të anëtarësohet në BE. Pa u zhvilluar në Shqiperi Reforma Zgjedhore që është reforma e reformave nuk do të këtë qetësi, nuk do të ketë lufte kundër drogës e prostitucionit, nuk do ketë luftë kundër kriminalitetit e korrupsionit, nuk do ketë anëtarësim me të drejta të plota në BE, në familjen e përbashkët europiane.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet