Shkatërrohet grupi i prostitucionit në Durrës, kamarieret bënin punë të dyfishtë

Publikuar më 01. 06. 2017 nga Eno Shkëmbi

Një rrjet prostitucioni është shkatërruar sot në Durrës, ku u arrestuan 4 persona, mes të cilëve 2 pronarë lokali që akuzohen për shfrytëzim prostitucioni.

Mësohet se çifti i pronarëve punësonin kamariere në lokal, të cilat i shfrytëzonin si prostituta.

“Bujtina” u kodua operacioni i policisë së qytetit bregdetar i zhvilluar gjatë mbrëmjes së djeshme, pas hetimeve që vijonin prej afro dy muajsh.

Personat e arrestuar janë P. B., 66 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, tutor, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe S. G., 60 vjeçe, banuese në Sukth i Ri, Durrës, tutore.

Ndërkaq në pranga përfunduan edhe B.S., 34 vjeçe, banuese në Durrës,  e dënuar më parë për veprën penale “Prostitucion” dhe P. L., 43 vjeç, banues në Romanat, Durrës, klient.

“Arrestimi i tyre u bë pasi nga hetimet e kryera për rreth dy muaj rezulton se P. B., dhe S.G., në lokalin e tyre, në Sukth, Durrës kishin punësuar femra si kamariere, të cilat i ndërmjetësonin ato me qëllim për të kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës 2000- 3000 lekë të reja, me klientë të këtij lokali. 34-vjeçarja B. S., u kap në flagrancë në një hotel afër lokalit së bashku me shtetasin P.L”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet ndaj të dyshuarve materialet i’u referuan Prokurorisë së Durrësit për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” në bashkëpunim dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, në P.B., dhe S.G., dhe “Prostitucion” në ngarkim të shtetasve B. S., dhe P. L. /E.SH/