Shkatërrohet banda shqiptaro-italiane, trafikoi 160 kg kokainë nga Amerika e Jugut

Policia financiare italiane e qytetit të Romës ka ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm operacionin “Biznes familjar” i cili ka çuar në shkatërrimin e një organizate kriminale shqiptaro-italiane që trafikonte lëndë narkotike mes Shqipërisë-Italisë dhe Belgjikës.
Në pranga janë vënë 7 persona; shqiptarët Aleks Boci, 38 vjeç, Florian Prendi, 31 vjeç, Edmir Hatijia, 41 vjeç, Elidon Shpërdhjea, 38 vjeç si dhe 3 shtetas italianë.
Bosi kryesor i kësaj organizate trafikantësh ishte shqiptari Aleks Boci i cili me ndihmën e disa shqiptarëve rezidentë në Belgjikë organizonte trafikun e drogës nga Amerika e Jugut në veri të Europës e më pas në Romë.
Lënda narkotike trafikohej përmes portit të Anversës ku kjo organizatë kriminale kishte mundur të krijonte një “dalje të sigurt” doganore përmes bashkëpunëtorëve të tyre.
Pasi mbërrinte në Romë lënda narkotike administrohej nga dy trafikantët italianë Claudio Cesarini e Daniele Ferri të njohur nga policia italiane e që merreshin me shitjen me shumicë të saj.
Hetimet e operacionit kanë dokumentuar rreth 160 kg kokainë të trafikuar në 8 rrugë importimi të saj nga Amerika e Jugut e vetëm 9 kg prej tyre janë mundur të sekuestrohen.
Hetimet kanë dokumentuar gjithashtu një përfitimi prej 1 milionë e 600 mijë euro të kësaj organizate kriminale, prej të cilave janë vënë nën sekuestrim rreth 430 mijë euro.
Sipas hetimeve të investigatorëve italianë, një sasi e drogës ishte e destinuar për bosin mafioz të Ndraghetas Davide Perronace.
Hetimet e operacionit “Biznes familjar” kanë nisur pas operacionit “Romana” ekzekutuar nga policia italiane në 10 tetor të vitit 2017, e që çoi në arrestimin e 18 personave në rajonet e Calabria, Lazio, Piemonte, Lombardia, Veneto e Sardegna, të cilët bashkëpunonin me klanin Alvaro të mafias kalabreze Ndrangheta.
Operacioni i sotëm është kryer në bashkëpunim me policinë shqiptare.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Itali-Shqipëri/Goditet një grup me veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të narkotikëve në vendet e BE dhe pastrimit të parave
Operacioni i koduar “AFFARI DI FAMIGLIA”, u organizua dhe finalizua falë bashkëpunimit mes strukturave të hetimit të narkotikëve të dy policive, italiane dhe shqiptare, në veçanti me grupin operativ të Guardia di Finanza të Romës.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit në bashkëpunim dhe koordinim me forcat policore italiane të shërbimit Antidrogë kanë ekzekutuar njëkohësisht në Itali dhe Shqipëri urdhër arrestet ndërkombëtare të lëshuara nga Prokuroria e Romës në kuadër të operacionit “Affari di famiglia”, për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve” dhe “Pastrimit të parave”.
Në Shqipëri u arrestuan 2 shtetas shqiptarë, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal:
• Edmir Hatija, 41 vjeç, banues në Fier;
• Elidon Shpërdheja, 38 vjeç, banues në Fier.
Ndërkohë në Itali janë arrestuar 5 shtetas, 3 italianë dhe 2 shqiptarë.
Grupi kriminal ishte i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e Romës.
Droga e llojit kokainë vinte nga Holanda dhe Belgjika. Po vijon puna në bashkëpunim me shërbimin ndërkombëtar të dy organizatave policore dhe policive kriminale për shkatërrimin e grupit kriminal dhe sekuestrimin e aseteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet