Shkatërrohet banda e trafikut të drogës në Angli, ja roli i shqiptarëve

Publikuar më 13. 10. 2017 nga Elidona Syla

Policia në Gloucestershire të Anglisë ka arrestuar në flagrancë 10 persona, mes tyre edhe shtetas shqiptarë. Policia vendase ka zhvilluar një operacion në Gloucestershire, ku ka bërë të mundur sekuestrimin e një sasie droge që kap vlerën prej 750 mijë paund.

Lidhur me këtë operacion, të paktën 11 prona në Gloucester dhe Cheltenham si dhe 4 lavazhe, janë bastisur brenda dy ditëve.

BBC shkruan se në Gloucester u arrestuan 8 persona të moshës 20 deri në 33 vjeç, një 21-vjeçar nga Norëich dhe një burrë 34-vjeçar nga Essex. Gjithashtu pjesë e grupit kriminal është edhe një vajzë 17-vjecare.

Policia e Gloucestershire tha se fermat e kanabisit u zbuluan në 6 prona dhe disa nga anëtarët e bandës ishin shqiptarë të cilët kishin një rol kyç në grup, raporton BBC.

“Ky operacion 2 ditor çoi në shkatërrimin e bandave serioze të krimit të organizuar që operonin në Gloucestershire, aktiviteti kriminal i të cilave ka pasur një impakt të madh në komunitetet tona. Njëra prej fermave të kanabisit ishte e vendosur përballë një shkolle fillore në Gloucester”- tha një zëdhënës i policisë.