Shkarkohet gjyqtari kandidat për Kushtetuese, Mustafaj: Do të apeloj vendimin

KPK dha vendimin për shkarkimin nga detyra si gjyqtar i Gjykatës së Tiranës, ndaj Ilir Mustafaj. Pas këtij vendimi, gjyqtari u shpreh: Kundërshtoj vendimin e Komisionit që është marrë në kundërshtim me provat që janë administruar

Xhentila Gjoshi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Tiranës Ilir Mustafaj, ndërsa prej më shumë se një viti ai ishte në pritje për t’ bërë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Gjatë seancës dëgjimore Mustafaj kërkoi ndërrimin e trupit gjykues për shkak të konfliktit që kishte me relatoren Xhensila Pine, por kjo kërkesë u rrëzua. Pas vendimit të KPK-së, ai u shpreh se vendimin do ta ankimojë në instancat më të larta. “Ilir Mustafaji është një gjyqtar me 23 vite karrierë në sistemin e drejtësisë dhe jam i vetmi që mbaj titullin profesor doktor në sistemin e drejtësisë. Me vendimin e sotëm (dje) të Komisionit, nuk ka humbur Ilir Mustafaj si individ, pasi Ilir Mustafaj do e ankimojë këtë vendimi në instancat më të larta dhe jam i bindur që do vendosin pro tij. Sot ka humbur vendi, ka humbur Gjykata Kushtetuese, e cila nuk do të ketë në përbërje të saj një gjyqtar të ndershëm, profesional, të karrierës dhe një profesor të së drejtës. Kam mbështetur fort reformën në drejtësi, institucionin e vettingut dhe gjithçka që është bërë në të mirë të reformës së drejtësisë. Kundërshtoj fort vendimin e Komisionit që është marrë në kundërshtim me provat që janë administruar, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në kundërshtim me Konventën Evropiane për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, u shpreh Mustafaj pasi u njoh me vendimin KPK-së. Hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ilir Mustafaj i cili kandidonte për në Gjykatën Kushtetuese, zbuloi një sërë problemesh të pasurisë, përfshi një transaksion të çuditshëm brenda familjes dhe mungesë burimesh. Gjatë seancës dëgjimore u tha se Mustafajt i ishte kaluar barra e provës pasi një makinë e deklaruar në bashkëpronësi me bashkëshorten me vlerë 400 mijë lekë, i ishte shitur prej tij kësaj të fundit për 500 mijë lekë. Probleme u vunë në dukje në lidhje me pasurinë e të atit dhe vëllait dhe marrëveshjen e sipërmarrjes për ndërtimin e një pallati në një tokë të blerë në vitet 90’. Analiza financiare rezultoi negative për një vlerë prej rreth 6 milion lekësh. Trupa gjykuese e KPK që hetoi Mustafajn përbëhet nga Lulzim Hamitaj kryesues, Xhensila Pine Reltore dhe Valbona Sanxhaktari anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Kijlstra.

Problemet

Relatorja Xhensila Pine, gjatë leximit të rezultateve të hetimit në seancën dëgjimore, vuri në dukje se nga hetimi i komisionit janë gjetur disa probleme në deklarimet e pasurisë së gjyqtarit Ilir Mustafaj. Lidhur me apartamentin 121 metra katrorë në Tiranë, Mustafaj ka deklaruar si burim krijimi një kredi bankare marrë në 2006, në vlerën 40 mijë euro dhe 7 mijë euro detyrim personave të tretë. Pine tha se nga krahasimi i deklarimeve periodike me atë veting dhe prej dokumentacionit të siguruar nga Komisioni gjatë hetimit administrativ janë konstatuar mospërputhje lidhur me mënyrën e përfitimit të kësaj pasurie. “Në deklaratën veting deklarohet apartament banimi me sipërfaqe 121 m2 ndodhur në rrugën Siri Kodra mbi bazën e kontratës së vitit 2007. Ndërsa në deklarimin e vitit 2007 nuk deklarohet fitimi i pronësisë për apartamentin në fjalë si dhe nuk deklarohet kontrata e shitblerjes”, pohoi Pine. Ajo shtoi se është gjetur mospërputhje edhe për çmimin e paguar për këtë apartament, pasi në deklaratën veting deklarohet e blerë për 46 mijë euro për shkak të sipërfaqes më të vogël dhe disa punimeve të pakryera. Ndërsa në vitin 2007 çmimi ishte 54.6 mijë euro. Sipas Komisionit, në deklarimin e vitit 2007 nuk pasqyrohen ndryshime në vlerë apo në sipërfaqen e tij. Pine theksoi se punimet e pakryera nga shoqëria dhe zvogëlimi i sipërfaqes të cilat kanë shërbyer si shkak për uljen e vlerës së apartamentit në shumën 8660 euro nuk janë të shoqëruara me asnjë dokumentacion ligjor provues për kryerjen e tyre apo për zvogëlimin e sipërfaqes. Pine vuri në dukje se nuk kishte qartësi mbi pagesën e shumës prej 7 mijë euro. Relatorja po ashtu vuri në dukje problemet mbi përfitimin e 30 mijë eurove nga një kompani ndërtimi në vitin 2001. Shuma që ishte përdorur për të shlyer kredinë për apartamentin e përmendur më sipër ishte përfituar nga një kontratë sipërmarrje mes babait dhe vëllait të gjyqtarit dhe shoqërisë së ndërtimit. “Bazuar në kontratën e sipërmarrjes së qershorit 2011 midis shoqërisë ndërtuese dhe babait e vëllait të subjektit është vendosur të vihen në dispozicion të shoqërisë së ndërtimit një truall prej 332 m2 dhe një banesë dy katëshe e palegalizuar prej së cilës do të përfitohej, një njësi parkimi, një njësi tregtare me sipërfaqe 50 m2 dhe 701 m2 sipërfaqe banimi, duke përfshirë edhe sipërfaqe të përbashkëta”, tha relatorja. Ndërsa u vu në dukje se në kontratë përfitoheshin edhe 150 metra katror apartamente si kompensim për shtëpinë dykatëshe. Pine vuri në dukje se Mustafajt ishte përfshirë në një aneks të kontratës si përfitues, i shumës 30 mijë euro e cila do jepej në këmbim të sipërfaqes 50 m2 që përfitohej nga kjo kontratë. Ajo tha se shuma ishte paguar në korrik 2011, por për të nuk ishin paguar taksa dhe ajo nuk ishte përmendur në deklarimet periodike te rubrika e të ardhurave. Nga analiza financiare për periudhën 2003-2016, gjyqtari ka rezultuar me bilanc negativ për tre vite: në 2009-ën në vlerën – 1.15 milionë lekë; në vitin 2011 me -4. 5 milionë lekë dhe në vitin 2013, me – 463 mijë lekë.

Mbrojtja

Gjatë mbrojtjes së bërë përballë KPK, gjyqtari Mustafaj tha se nuk ishte ndjerë mirë lidhur me përfundimet e Komisionit për kontratat e kryera nga noterja lidhur me shitjen e tokës nga babai i tij. “Gjëja që duhet të kishit bërë ishte të kallëzonit në prokurori noteren. Dua të vlerësoni këto prova”, i kërkoi Mustafaj KPK-së gjatë seancës dëgjimore. Për diferencat e tokës bujqësore të përfituar në vitin 1992 nga Ligji “Për Tokën”, Mustafaj tha se ishte problem i institucioneve të pushtetit vendor që në vërtetimet e tyre shënonin sipërfaqe të ndryshme. Ndërsa për makinën ai shpjegoi se duhej që t’i vendoste një vlerë kur kishte bërë kalimin në pronësi të bashkëshortes. “Në vitin 2004 ja kam kaluar bashkëshortes se nuk kisha kohë të merresha me familjen e fëmijeve. Ja kalova bashkeshortes dhe duhej vendosur një vlere, ajo reale. E kam deklaruar se është pasuri bashkëshortore”, pohoi Mustafaj. Në fund të fjalës së tij, Mustafaj tha se ishte përpjekur që gjatë punës së tij 23 vite si gjyqtar të sillte një shembull pozitiv.

Konfirmohet në detyrë kandidatja për SPAK, Elida Kaçkini

Ditën e djeshme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë kandidaten për Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion, Elida Kaçkini. Gjatë seancës dëgjimore, KPK vuri në dukje se pasuritë e saj rezultonin siç ishin deklaruar. Qëndrim të ngjashëm KPK pati sa i përket pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit. Trupa gjykuese e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Xhensila Pine, vunë në dukje se nga hetimi ishin gjetur mospërputhje sa i përket një apartamenti të blerë nga bashkëshorti i prokurores para lidhjes së martesës. Kaçkini tha se kishte sjellë dokumente mbi huatë, por në shpjegimet në sallë mbajti qëndrim se ajo nuk kishte përgjegjësi për këtë pasuri të krijuara para martesës dhe bashkëjetesës dhe tha se bashkëshorti i saj do jepte përgjigje për këto çështje, pasi edhe ai vetë do të përballej me vetingun. Bashkëshorti i saj Bezart Kaçkini, i cili është gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, ka deklaruar sipas KPK për apartamentin në deklaratën veting çmim 32 mijë euro dhe 38 mijë euro në deklaratën periodike. Nga hetimi KPK i ka rezultuar se kishte probleme për dy huatë që ai kishte marrë për apartamentin dhe mungesë burimesh për kursimet. Relatorja Çiftja vuri në dukje se babai i gjyqtarit, nuk kishte pasur të ardhura për të dhënë huanë e deklaruar nga i biri. Po ashtu u bë me dije se huadhënësi tjetër, nuk kishte paraqitur dokumente për të vërtetuar të ardhurat. Po ashtu, ajo tha se vetë gjyqtari Kaçkini nuk kishte pasur burime për të mbuluar shpenzimet në vitin 2010 kur ishte blerë apartamenti. Kaçkini e ka filluar karrierën e saj në vitin 2006 në Prokurorinë e Lushnjes dhe më pas në Tiranë. Ajo u rendit në listën fituese, e 11-ta, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për një vend në Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion dhe do jetë prokurore e kësaj strukture nëse vendimi i KPK merr formë të prerë.

KPK shkarkon prokurorin Ardian Ylli, drejtues i Prokurorisë Vlorë

Seancat e vettingut kanë vijuar dje edhe me prokurorin Ardian Ylli, ndaj të cilit është dhënë vendimi i shkarkimit nga detyra. Drejtuesi i Prokurorisë Vlorë, u shkarkua pas problemeve që iu gjetën në kriterin e pasurisë. KPK vuri në dukje gjatë seancës dëgjimore se Ylli rezultonte me bilanc negativ pas Analizës Financiare dhe me shpenzime të pambuluara me të ardhura të ligjshme. Anëtarja e Komisionit Valbona Sanxhaktari, e cila i drejtoi pyetje prokurorit në lidhje me dokumentimin e kursimeve të trashëguara nga babai, tha se bëhej fjalë për “një shumë të konsiderueshme” që mbetej e pambuluar. Vetë Ylli, pretendoi përmes një analize financiare paralele nga ekspert kontabël se KPK duhej të merrte në konsideratë kursimet që atij ia kishte lënë babai me vlerë 2.2 milion lekë. Ai kërkoi të uleshin shpenzimet për disa zëra përfshi udhëtimet jashtë vendit. Trupa gjykuese që shqyrtoi çështjen u kryesua nga Roland Ilia, relator i çështjes ishte Olsi Komici dhe anëtare e treshes Valbona Sanxhaktari. Relatori Olsi Komici vuri në dukje se hetimet ndaj Yllit ishin bërë në të tre kriteret. Gjatë relatimit u bë e qartë se në kriterin e figurës dhe atë të profesionalizmit nuk ishte gjetur asnjë problem. Ylli ra dakord me rezultatet e hetimit në këto dy kritere. Ylli e ka filluar karrierën në vitin 1994 në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërkohë në vitin 1998 ai është emëruar Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës. Në vitin 2013 Ylli është transferuar si prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier dhe në vitin 2015 është promovuar si drejtues. Në vitin 2017-të Ylli është komanduar si drejtues i Prokurorisë Vlorë.

Plagosi 4 persona 2 vite më parë, arrestohet kreu i grupit kriminal Arben Seferi

Policia e Tiranës ka vënë në pranga Arben Seferin, i konsideruar si kreu i një grupi të strukturuar kriminal. Bashkë me të u arrestua edhe miku i tij Xhevahir Marku në operacionin e zhvilluar në Mamurras ditën e mërkurë, ku u sekuestrua edhe arsenal armësh. Sipas informacioneve të Policisë së shtetit, Arben Seferi kishte dy vite që i fshihej drejtësisë pas një plagosje të katër personave, ngjarje kjo e ndodhur në 2017-ën, në zonën e Laprakës në Tiranë. Operacioni u zhvillua në lagjen “Demokracia” në Qytetin e Mamurasit, ku në momentin e kapjes, shtetasve Arben Seferi dhe Xhevahir Marku u janë gjetur 2 armë zjarri tip “Glock” së bashku me 4 karikatorë me 60 fishekë luftarak. Gjithashtu është kapur edhe 1 armë tjetër zjarri, pistoletë “TT” model 54, së bashku me dy karikatorë me 15 fishekë. Për Arben Seferin Gjykata e Tiranës, në vitin 2017 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”. Gjatë sherrit të ndodhur në një lokal në zonë e Laprakës mbetën të plagosur, për atë ngjarje pronari i lokalit Eljon Leka, Avni Biberi, Bujar Mrisha dhe Bledar Gusturama, të tre klientë në lokal. Kështu, Arben Seferit i kanë mbetur dhe 2 vite e 6 muaj për të vuajtur dënimin e gjykatës së Apelit dhënë në vitin 2018, për veprat penale “Falsifikimi i kartëmonedhave”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Plagosja në vitin 2017

Plagosja e katër fishtë e ndodhur dy vite më parë në zonën e Laprakës, atë kohë ka ngritur në “këmbë” gjithë Policinë e Tiranës. Lidhur me këtë ngjarje, pronari i lokalit ku ndodhi konflikti, Elion Leka ka thënë se ka patur sherr me dy vëllezërit Astrit dhe Arben Seferi gjysmë ore para se ta qëllonin, por nuk e dinte që sherri do shkonte deri në këtë pikë. “Kam patur konflikt me Astrit Seferin dhe Arben Seferin. Pas debatit që zhvilluam dy ditë më parë, u konfliktuam edhe gjysmë ore para se të më bënin atentat. Isha te lokali me 3 miqtë e mi në tavolinë, kur vëllezërit Seferi erdhën dhe qëlluan me pistoletë. Sapo i pashë me pistoleta në duar, u futa me shpejtësi në brendësi të lokalit dhe ndërkohë isha i plagosur. Nuk e dija që sherri do përfundonte deri në këtë pikë”, ka thënë Elion Leka pas ngjarjes së rëndë. Ndërkohë 3 të plagosurit e tjerë janë shprehur para policisë atë kohë se nuk i njihnin vëllezërit Seferi dhe se nuk kishin dijeni për konfliktin me Elion Lekën. Një natë para se të ndodhte kjo përplasje me armë, Arben Seferi dhe Eljon Leka janë takuar pranë ish-kombinatit “Josif Pashko” në Laprakë dhe kanë debatuar. Më pas, Arben Seferi, i shoqëruar nga vëllai Astrit Seferi, ka shkuar te lokali “A****”. Atje ai ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në drejtim të Eljon Lekës, që ndodhej brenda në lokalit. Objektivi ka qenë Elion Leka, por plumbat kanë kapur edhe 3 klientë të këtij lokali. Arben Seferi ka qëlluar Eljon Lekën 7 herë, por 3 plumba kanë kapur klientët e lokalit. Pas kësaj, Arben Seferi është ndihmuar nga vëllai i tij, Astrit Seferi, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Dy vëllezërit kanë përdorur që makinë tip Mercedez-Benz ngjyrë gri për t’u larguar dhe dyshohet se kanë ikur në drejtim të Fushë-Krujës. Që nga ajo kohë, Arben Seferi ka qëndruar në arrati, ndërsa arrestimi është bërë mbrëmjen e së mërkurës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet