SHISH nuk ka pajisje mbrojtëse për sulmet kibernetike

Buxheti/ Shërbimi Informativ Shtetëror kërkon 11 milionë lekë për blerjen e një softweri për mbrojtje nga sulme që kërcënojnë sigurinë e vendit dhe sigurinë globale. Ministri Lleshaj ankohet për pagat e ulëta në Policinë e Shtetit

Xhesian Shazimani

Shërbimi Informativ Shtetëror ka kërkuar fonde shtesë për blerjen e pajisjeve, për tu mbrojtur nga sulmet kibernetike. Në diskutimin për buxhetin e vitit 2020, në  Komisionin e Sigurisë dje, SHISH ka kërkuar nga komisioni i sigurisë një fond shtesë prej 11 milion lekësh për blerjen e një softweri për mbrojtje nga sulme, të cilat kërcënojnë sigurinë e vendit por edhe sigurinë globale. Shërbimi Informativ Shtetëror, gjithashtu ka kërkuar një fond shtesë prej 59 milion lekësh për të përmbushur nevojat e këtij institucioni. Pjesëmarrës në këtë seancë dëgjimore ishin drejtori Departamentit të Administrimit dhe Shërbimeve, Ylli Aga, drejtoresha Juridike, Enkeleda Peka dhe drejtoresha Ekonomike dhe Administrimit, Romina Peci. Që në nisje të fjalës së tij, Ylvi Aga vlerësoi fondet e akorduara nga qeveria për vitin 2020, ndërsa theksoi se këto fonde do t’i vijnë në ndihmë institucionit sa u takon rreziqeve nga jashtë që u kanosen vendit tonë. Ai gjithashtu shtoi se rritja e buxhetit për shërbimet sekrete, tregon angazhimin e institucuinit për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë kombëtare.

Punimet e komisionit për buxhetin e SHISH nisën me debate, ku opozita parlamentare kërkoi shtyrjen e mbledhjes, me pretendimin se nuk mund të raportonin punonjës në vend të drejtorit. Megjithatë, kjo kërkesë e deputetëve opozitar nuk u mor në konsideratë nga Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj, duke bërë që komisioni të vijonte punën normalisht. Për shkak të informacionit të klasifikuar, mbledhja më pas u zhvillua me dyer të mbyllura. Por përveç SHISH, në axhendën e Komisionit të Sigurisë ishte parashikuar edhe një seancë dëgjimore me Ministrinë dhe sa i takon buxhetit të vitit 2020. Edhe kjo mbledhje ka nisur me debate në komision, ku ishte caktuar seanca me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj. Ky i fundit nuk kishte ardhur në mbledhje, pavarësisht se një ditë më parë e kishte vendosur orarin si të përshtatshëm dhe në vendin e tij kishte dërguar zëvendësin, Julian Hodaj. Mirëpo, kjo lëvizje nuk është pranuar nga deputetët e opozitës Myslim Murrizi dhe Lefter Maliqi, të cilët kërkuan shtyrjen e mbledhjes. “Propozoj të shtyhet mbledhja deri kur të vijë ministri, është me rëndësi të jetë vetë Lleshaj për të diskutuar mbi buxhetin për 2020”, deklaroi Murrizi. Pas debateve, deputetët Murrizi dhe Maliqi janë larguar nga mbledhja, duke detyruar kryetaren e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj që të shtyjë një ditë më vonë diskutimin.

Ministria

Ndërkohë në Komisionin Sigurisë Kombëtare pas debateve që patën deputetët, ka mbërritur edhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i cili ka prezantuar buxhetin e Ministrisë që drejton. Teksa fliste për pagat e ulëta që paguhen punonjësit e Policisë së Shtetit, Lleshaj ka parë me vend që për të provuar faktin të përmendë edhe rrogën e tij. Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm është “qarë” për pagën duke treguar pa asnjë kompleks se paguhej për shërbimet po aq sa roja i homologut të tij në Kosovë, duke vënë në dukje se me kolegun nuk kishte asnjë krahasim. Lleshaj ka shtuar se nuk kishte asnjë dijeni lidhur me diferencën e thellë, të cilën e kishte mësuar vetëm gjatë një takimi me homologët e Ballkanit, me të cilët mesa duket ka folur edhe për pagat. “A është parashikuar rritje pagash? Nuk është parashikuar në këtë buxhet, se nuk është bërë për asnjë institucion. Sigurisht që duhet rritje dhe do parashikohet në 6 mujorin e dytë. Gjatë një takimi që pata me ministrat e Ballkanit mora vesh se roja i Ministrit të Brendshëm të Kosovës tha se merrte 900 € pagë. I thashë aq e kam edhe unë”, tha Lleshaj në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Pasi mbaroi me rrogën e tij, edhe njëherë ministri i Brendshëm ka risjellë në vëmëndje shpërndarjen e projekt-buxhetit për vitin 2020, i cili edhe këtë vit do të lërë ministrin inferior ndaj kolegëve të rajonit.

Veprat penale

Mbi 1400 të mitur janë përfshirë në vepra penale të ndryshme me rrezikshmëri, ku 900 prej tyre kanë mbetur të dëmtuar. Drejtori i policisë Ardi Veliu shprehet se kemi rritje të numrit të vrasjeve për këtë vit, ndërsa shqetësim është krimi në familje. Ndërkohë, ministri i Brendshëm Sandër lleshaj evidentoi raste të korrupsionit në polici, teksa po raportonte për buxhetin e ministrisë për vitin 2020. Mbi 1400 të mitur janë përfshirë në vepra penale me rrezikshmëri nga janari deri në shtatorin e këtij viti. Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu tha në Komisionin e Sigurisë se 900 prej këtyre personave kanë mbetur dhe vetë të dëmtuar nga veprat penale të vjedhjes, plagosjes së lehtë me dashje, shkatërrim të pronës apo kanosje. Kryepolici tha se brenda 9 muajve ka rritje të veprave kriminale dhe rritje të numrit të vrasjeve ndërsa shqetësuese janë krimet brenda familjes, ku këtë vit numërohen 14 vrasje, 4 me shume se vitin e shkuar, me 17 viktima.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet