As shirat e rrëmbyer nuk ndaluan hajdutët, bënë kërdinë

Publikuar më 05. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Bleona Metushi

Edhe pse vendi ishte në një gjendje alarmante, ku uji përmbyti shumë qarqe të Shqipërisë, hajdutët nuk harruan zakonin e tyre. Gjatë këtyre ditëve të vështira, për të gjithë qytetarët, të shumta janë rastet e grabitjeve që janë raportuar nga policia. Hajdutët duke përfituar nga kjo situata e krijuar, bën kërdinë.

Rastet e grabitjeve

Vorë– Gjatë natës së 2 dhjetorit, në qytetin e Vorës, është vjedhur pa thyerje banesa e shtetasit me inicialet E.A, 33 vjeç ku kanë marrë 2 telefona tip “Samsung” dhe një sasi  lekësh. Ndërkohë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Vlorë– Një vjedhje ka ndodhur datën dhjetor rreth orës 13:00, në shtëpinë e shtetasit me inicialet, Z.P.,  78 vjeç, banues në Dukat Fshat. Ai  kallëzoi se në një banesë ku prej disa muajsh nuk banonte njeri, persona të paidentifikuar, i kanë vjedhur një komplet enësh gatimi metalike me vlere 10.000 lekë. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Vlorë– Gjatë natës së 2 dhjetorit, në lagjen “4 Heronjtë”, nga persona të paidentifikuar, janë vjedhur pjesët e mjetit tip “Volksvagen” filtri i ajrit, fenerët dhe baterinë, në pronësi të shtetasit G.H., 28 vjeç. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Elbasan– Natën e 2 dhjetorit në fshatin Gjinar, janë vjedhur 50 m linear tubë plastik që shërben për furnizimin me uji të pijshëm të banesës në pronësi të shtetases me inicialet D.P., 55 vjeç. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për vlerësim.

Fier– Natën e 2 dhjetorit, në lagjen “15 Tetori”, është vjedhur banesa e shtetasit me inicialet, B.B.,  59 vjeç, ku kanë marrë një sasi lekësh dhe eurosh. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Fier– Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin Astrit Lika, 25 vjeç, banues në lagjen “15 Tetori” Fier. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në vendin e quajtur “Shatërvani” Fier, i ka vjedhur një çantë me 12 telefona  celularë të riparuar të markave të ndryshme shtetasit H.D, 74 vjeç, banues në lagjen “1 Maji” Fier. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 12 telefonat celularë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Vjedhja”.

Krujë– Natën e 2 dhjetorit, në fshatin Borizanë, Krujë, është tentuar  të vidhet Posta Shqiptare. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.