Shembet “Çibani i fundit i Lulit”, PD: Lejen për ndërtim e ka dhënë Rama

Ndonëse, kryebashkiaku Erion Veliaj postoi mëngjesin e sotëm një video nga shembja e godinës në sheshin Italia, duke u shprehur se po prishej “Çibani i fundit” i Lulit, PD ka reaguar përmes një deklarate duke e faktuar se lejen për ndërtimin e kësaj godine e ka dhënë Edi Rama, Kryetar Bashkie asokohe.

Në një deklaratë të shpërndare mediave, zëdhënësja Ina Zhupa shprehet se lejen për ndërtimin godinës e ka firmosur Edi Rama 17 vjet më parë, kur drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe Veliaj e di më mirë se kushdo këtë gjë.

“Kryemashtruesi Erion Veliaj që nuk kursen as jetën e femijëve për para, mashtroi edhe sot për të fshehur një aferë tjetër korruptive. Lejen për ndërtimin e godinës në sheshin Italia, e ka firmosur Edi Rama 17 vjet më parë, kur drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe Veliaj e di më mirë se kushdo këtë gjë.  Kjo leje, e dhënë nga Edi Rama, tani do t’u kushtojë shqiptarëve miliona euro kompensim financar. Vetem 4 muaj më parë, Rama dhe Veliaj, edhe pse e dinin se godina do të prishej, e legalizuan.

Madje dy punonjës të ALUIZNIT u shkarkuan vetem sepse nuk pranuan legalizimin. Pyetja është se kush është përfituesi i vërtetë i kompensimit financiar që do të bëhet për këtë godinë? Rama? Veliaj? Apo të dy? Për të mbuluar të vërtetën dhe skandalin pas këtyre pyetjeve, Erjon Veliaj zgjedh të bëjë atë që di më mirë, mashtruesin. Propaganda bajate nuk e mbulon dot të vërtetën se Erion Veliaj është bashkëpunëtor në pastrimin e parave të krimit nëpërmjet betonizimit të Tiranës.”  thekson zëdhënësja e PD në deklaratën e saj, ndërsa publikon edhe dy vendimet për godinën te sheshi Italia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet