Shembet çatia e kishës 400-vjeçare të Shën Thanasit, dëmtohen afresket (FOTO)

Publikuar më 09. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Kisha e Manastirit të Shën Thanasit gjendet në Leshnicën e Poshtme të Sarandës. Nga viti 1963 është shpallur monument kulture i kategorisë së parë për vlerat e rralla që mbart. Ndërsa, nga muaji shkurt 2017 çatia e saj dhe jo vetëm janë shembur. Kjo ngjarje u bë publike nëpërmjet postimit në rrjetet sociale të disa fotografive nga gazetari Dhimitër Qiqi. Forumi për Trashëgiminë Kulturore shkruan: “Shembet çatia e kishës së Shën Thanasit në Leshnicë, duke dëmtuar rëndë vetë kishën dhe afreskat e saj. Kisha është ndërtim i vitit 1797”.

5 muaj nga ngjarja

Publikimi i fotografive, që tregojnë shembjen e çatisë së Kishës së Manastirit të Shën Thanasit, nga drejtori i drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Vlorë, Agim Haxhiraj, mendohet, si pjesë e fushatës elektorale. Megjithatë, kjo ngjarje ka ndodhur që në muajin shkurt. Ndërsa, deri më tani mesa duket nuk është marrë asnjë masë tjetër, përveçse një projekti emergjent, që është bërë nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Vlorë. Nga DRKK e Vlorës, për “Shekulli”-n, Haxhiraj shprehet se pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës është dorëzuar një projekt emergjent, që kushton vetëm 10 milionë lekë të vjetra (1 mln të reja). E megjithatë, DRKK, e Vlorës duhet që pres miratimin e këtij projekti emergjent, para së të fillojë punën. Prandaj deri më tani nuk ka pasur asnjë ndërhyrje. Haxhiraj shprehet se prej 30 vitesh gjendja e Kishës së Manastirit të Shën Thanasit nuk ka qenë një gjendje të mirë, megjithatë shembja e çatisë së kësaj Kishe ka ardhur për shkak të një tërmeti të rënë me qendër në Janinë. Këto probleme i kanë pasur edhe monumente të tjera, të cilat vazhdojnë të evidentohen nga punonjësit, pranë kësaj DRKK-je, dita-ditës. Punonjësit në këtë DRKK janë vetëm 6-të, ku 3 prej tyre përgjigjen për monumentet e Vlorës, 3 për monumentet e Sarandës dhe një për Palermon. Ndërsa, 7 punëtorë të tjerë punojnë përkatësisht për Parqet Kombëtare të këtij Qarku. Por, pas këtij realiteti lind pyetja, a mundet që 14 punonjës të kujdesen për 240 monumente, që janë në të gjithë Qarkun e Vlorës?! A mundet që kjo DRKK me buxhet në total 16 mln lekë të arrijë të kujdeset për mirëmbajtjen e 240 monumenteve? A mundet të përgjigjet për restaurimin e objekteve, që janë drejt degradimit apo që rrezikohen për shkaqe natyrore çdo ditë me këtë fond?

IMK dhe Kisha Autoqefale e Shqipërisë në dijeni për shembjen

Që të realizohet projekti emergjent (10 mln lekë të vjetra), i cili sigurisht, që nuk siguron kthim në identitet, por veç ruajtje të asaj çka ka mbetur në Kishën e Manastirit të Shën Thanasit, duhet leje dhe miratim jo vetëm nga IMK-ja, por edhe nga Kisha Autoqefale e Shqipërisë. Të dyja këto institucione janë vënë në dijeni jo vetëm për kaq, por edhe që projekti i emergjencës nuk mjafton. Për realizimin e projektit të plotë duhet rreth 70 mijë dollarë. Punëtorët deri më tani kanë bërë pastrimin e materialit dhe e kanë vendosur në një vend të gjithin, në mënyrë që të ruhet diçka nga pikturat monumentale, që kanë ekzistuar më herët.

Inventarizimi para 3 vitesh

Në dhjetor të 2014-ës Ministria e Kulturës nisi të inventarizojë dhe të restaurojë në të gjithë vendin, monumentet e kulturës, që ishin drejt degradimit. Një prej tyre, që u kartelizua në atë kohë ishte edhe Kisha e Manastirit të Shën Thanasit në Leshnicë.

Themelet e këtij tempulli janë ndërtuar në 1797-ën

Mbi portën jugore të këtij Manastiri gjendej i pikturuar një mbishkrim: “Ky tempull i gjithënderuar dhe hyjnor i atit tonë ndër shenjtorë Shën Thanasit të madh i Manastirit të Gjermanonit u stolis dhe u zbukurua me shpenzimet e etërve të tij, me mbikëqyrjen e Krisanthit jeromonakut dhe igumenti të tij. Në kohën e peshkopit tonë të Drinopojës Kir Gabriel të etërve present dhe jeromonak të Dhionisit, Zakehut, Meletit, Joaniqit, Papa Qirjaqi dhe Zosima, më 1801 muaji qershor 28. Me dorën time të Llazarit nga Ano Sudhena së bashku me nxënësit e mi Lazarin dhe Gjergjin. Më 1797 u bënë themelet e këtij tempulli”.

Ylli Manjani: Rilindja (k)urbane, zero lekë për trashëgiminë kulturore

Mijëra apo milionë euro shpenzoi Rilindja Urbane për të kthyer sheshet e mëdha që i bëjnë njerëzit miza! Mijëra euro për pak metra katrorë fasada e bojëra. Qindra apo mijëra për palma (që u thanë) apo ndriçues rrugës që ngjajnë ai rrahëse vezësh! Mijëra e miliona euro i paguhen koncensionarëve për punët e pista të këtij shteti të falimentuar në koncept! Miliona euro për të Rilindur komunizmin! Zero lekë (se eurot mbaruan) për të mbajtur në këmbë, jo më shumë, trashëgiminë kulturore të këtij vendi! Ky manastir 400-vjeçar u shemb, jo nga terrorizmi, por nga qeveria e Rilindjes! Turp e faqja e zezë! Mbajini sheshet e reja të neo diktaturës demokratike…

Ministria e Kulturës: Jemi në proces ngritje fondesh për financimin e projektit 1 mln lekë

Instituti i Monumenteve të Kulturës në zhvillimin e aktiviteteve të tij funksionale, në vitin 2014 ka realizuar evidentimin e gjendjes në terren dhe inventarizimin e rreth 2134 objekteve monument kulture, përfshirë 235 objektet e kultit. Në këtë vlerësim të situatës u përcaktua lista e objekteve me risk të lartë dëmtimi strukturor, ku bën pjesë kisha e Shën Thanasit në Leshnicë së bashku me Kishën e Mesopotamit në Delvinë, Kishën e Labovës së Kryqit, Kishën e Shën Thanasit në Karavasta, Kishën e Ristozit në Mborje, kishat e Voskopojës etj. Pozicionimi në këtë listë të objekteve në rrezik mundëson prioritarizimin e realizimit të ndërhyrjeve si dhe përcaktimin e nevojave për investime. Gjatë këtyre viteve, krahas proceseve të mirëmbajtjes sistematike, konsolidimit të strukturave, Ministria e Kulturës dhe qeveria, sipas prioriteteve, siguroi fondet për investimet përkatëse dhe realizimin e punimeve në Kishën e Labovës së Kryqit, Kishën e Shën Thanasit në Karavasta, Kishën e Ristozit në Mborje, kishat e Voskopojës  etj.

Në kishën e Shën Thanasit në Leshnicë janë kryer inspektime dhe ndërhyrje përforcuese nga DRKK Vlorë, ndërsa gjatë dekadave kjo kishë ka pësuar degradime të rënda në të gjithë elementët strukturorë përbërës të saj dhe nuk është kryer asnjë ndërhyrje deri në vitin 2014. Gjatë inspektimeve të kryera në 2014 -2016 u konstatua se pavarësisht ndërhyrjeve me qëllim stabilizimin e strukturës të kryera efektivisht nga DRKK Vlorë në këtë kishë, domosdoshmëria për investime të konsiderueshme mbeti prioritare. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë ka realizuar disa punime mirëmbajtjeje dhe konsoliduese në struktura dhe pikturë murale gjatë viteve 2014-2016. Konkretisht janë kryer ndërhyrje si: pajantimi i mureve më të rrezikuara, prerja e pemëve të rritura që kishin mbirë mbi kupolën e objektit dhe injektimi i rrënjëve në strukturën e objektit, sigurimi i objektit në vijim të heqjes së bimësisë dhe  sigurimi i pikturave murale.

Në këto kushte IMK dhe DRKK Vlorë hartuan projektin e emergjencës në shkurt 2017 me vlerën 1 milion lekë të reja dhe janë në proces ngritje fondesh për financimin e tij. Projekti i restaurimit tërësor të objektit është në proces që prej 2016 dhe po realizohet me profesionalizëm të lartë në mënyrë që të rindërtohet pjesa e dëmtuar e kishës dhe të rekuperohen vlerat e rralla të saj. Pavarësisht masave përforcuese të marra, fatkeqësisht, gjatë tërmetit të fuqishëm të shkurtit 2017 me epiqendër ne Janinë, ra një pjesë e çatisë dhe mureve të kishës. Aktualisht, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë së bashku me Sektorin e Sarandës kanë sistemuar të gjithë elementët e materialeve të objektit në mënyrë që të ripërdoren gjatë realizimit të projektit të restaurimit të objektit. Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Ministria e Kulturës mbeten të dedikuara në punën vështirë të ruajtjes dhe restaurimit të pasurive kulturore në mbarë territorin e Shqipërisë.

Sezoni veror, ja orari i vizitave te monumentet e kulturës në Vlorë

Me çeljen e sezonit veror 2017, DRKK Vlorë ka marrë të gjitha masat dhe ka krijuar kushtet optimale për pritjen e vizitorëve vendas dhe të huaj, të cilët kanë filluar të vizitojnë në masë monumentet e kulturës që mbulon DRKK Vlorë.

Në bazë të udhëzimit të Ministres së Kulturës nr. 2478, Dt. 25-04-2017 “Për mënyrën e funksionimit dhe përgjegjësitë e institucioneve të artit dhe trashëgimisë kulturore gjatë sezonit turistik veror 2017”, oraret e vizitave pranë monumenteve me biletë janë përcaktuar nga dita e djeshme:

– Kalaja e Kaninës, nga dita e hënë deri të dielën, ora: 09:00-19:30, çmimi i biletës 100 lekë.

– Kalaja e Himarës, nga dita e hënë deri të dielën, ora: 09:00-19:30, çmimi i biletës 100 lekë.

– Kalaja e Porto Palermo, Himarë, nga dita e hënë deri të dielën, ora: 09:00-19:30, çmimi i biletës 100 lekë.

– Manastiri i 40 Shenjtorëve, nga dita e hënë deri të dielën, ora: 09:00-19:30, çmimi i biletës 100 lekë.

– Kisha e Manastirit të Shën Kollit, Mesopotam, Sarandë, nga dita e hënë deri të dielën, ora: 09:00-19:30, çmimi i biletës 100 lekë.

– Parku Arkeologjik i Finiqit, Sarandë, nga dita e Hënë deri të Dielën, ora: 09:00-19:30, çmimi i biletës 200 Lekë.

– Parku Arkeologjik i Amantias, Plocë, Vlorë; nga dita e hënë deri të dielën, ora: 09:00-19:30, çmimi i biletës 200 lekë.

– Parku Arkeologjik i Orikut, Orikum, Vlorë, nga dita e hënë deri të dielën, ora: 09:00 – 18:00, çmimi i biletës 200 lekë. (Për hyrjen në P. A. Orik vizitorët vendas duhet të njoftojnë të paktën 1 ditë më parë DRKK Vlorë, ndërsa vizitorët e huaj të paktën 10 ditë më parë për kryerjen e procedurave të marrjes së lejes së posaçme, pasi P. A. Orik ndodhet brenda territorit të bazës ushtarake Pashaliman).

Për grupet e organizuara, DRKK Vlorë lëshon edhe faturë tatimore në qoftë se kjo kërkohet nga organizatorët e grupeve. “Vizitoni Vlorën, Himarën dhe Sarandën, Mbretëreshat Shqiptare të turizmit, që ofrojnë jo vetën det dhe diell, por edhe Thesare të Trashëgimisë Kulturore Kombëtare”, është shënimi i DRKK-së, Vlorë.