Shefki Hoxholli, inxhinieri që sfidon fuqinë e tërmeteve

Petrit Braçe

Inxhinieri Shefki Hoxholli, përmbi gjysmë shekulli ka punuar në veprat madhështore në Shqipëri.  Gjeografia e pallateve është e gjerë në disa zona të Tiranës, ndërsa vlen të theksohet se tërmeti i 26 nëntorit nuk mundi të dëmtojë asnjërin prej tyre

 Atë shpesh e shikon të ecë aty rreth stadiumit Dinamo, afër të cilit banon prej shumë vitesh.Pastaj në kafen e preferuar duke lexuar gazetën. Herë pas herë e sheh me shokë e miq të ngjitet deri te Parku i Madh ku pinë kafen së bashku e bisedojnë për të kaluarën e të tashmen…Verën më së shumti e kalon buzë detit në Durrës duke shijuar ditë të bukura e të qeta, ku gëzimin më të madh e ndjen veçanërisht kur i vinë nipërit e mbesat Ioana dhe Editi nga Barcelona e largët me të cilat kënaqet aq shumë sepse e rinojnë e i zgjasin jetën…Ky është biri i Gorës, Shefki Hoxholli,që tani jeton vitin e 85-të të jetës. Falë një regjimi të rregullt  gjatë gjithë jetës si dhe kujdesit të veçantë nga bashkëshortja e tij, Ruhija, një grua fisnike dhe amvisë e shkëlqyer, ai gëzon shëndet të mirë.

Ka lindur në Këmbëthekër, Korçë, në vitin 1935. Pas arsimit fillor në vendlindje,kreu shkollën unike në Korçë. Falë intelektit të tij,pasionit për librat, pasionit për të lexuar e studiuar ndoqi rrugën e dijes duke i ngjitur me sukses shkallët e saj të vështira. Kështu arsimin e  mesëm e të lartë e kreu në Tiranë. Është diplomuar në Inxhinieri Ndërtimi dhe për njëzet vjet ka punuar në veprat e mëdha hidroenergjetike si dhe në linjat e tensionit të lartë. Inxhinieri i përkushtuar Shefki Hoxholli, përmbi gjysmë shekulli ka punuar në veprat madhështore në Shqipëri, s’ka lënë vend pa shkelur nëpër Atdhe, nga veriu në jug, duke lënë gjurmë të pashlyeshme. Rreth njëzet vjet  ka punuar në dikasterin qendror, në Ministrinë e Ndërtimit. Ka patur fatin e madh të punojë me Mjeshtrit e ndërtimit, profesorët e nderuar Petrit Radovicka, Farudin Hoxha, Emin Musliu, Luljeta Bozo etj. prej të cilëve ka mësuar aq shumë. Gjatë gjithë jetës së tij në ndërtim motoja e tij ka qenë: Kurrë mos dil jashtë projektit. Mos shpërdoro, por mos kurse për cilësinë. Kurrë mos beso pa e parë me sytë e tu. Dikush mendon për kuletën,unë mendoj për jetën. Me këtë përvojë të pasur dhe pjekuri profesionale pas viteve ‘90 ka punuar në firmën e ndërtimit “Gora” si krye inxhinier i saj duke ndërtuar pallate banimi në Tiranë, Durrës e deri në Sarandë.

 

 

Në tërë këtë punë të madhe ndërtimore të kompanisë Gora, drejtimin kryesor e ka bërë burri i urtë e fisnik, fjalë pak e punë shumë, drejtori i përgjithshëm, kryeinxhinieri i saj, veteran i kompanisë, Shefki Hoxholli. Me përkushtim e disiplinë të lartë në punë,me orar e pa orar,me merakun te cilësia dhe vetëm te cilësia, ai i ka ndenjur punës në kokë,ku shtrohej hekuri e derdhej betoni që në themele 10-15m nën nivelin zero e deri te katet e larta.

Gjithmonë i preokupuar në punë: në zyrë me laps në dorë përkulur mbi skica e projekte; nëpër katet e objekteve duke kontrolluar saktësinë e cilësinë në realizimin praktik të punimeve; sa në laboratorin e institutit të ndërtimit për të verifikuar cilësinë e kampionëve të betonit e të hekurit; sa në dikasteret shtetërore e më tej në kompani të ndryshme për koordinimin  e kontratave për mbarëvajtjen e punëve…

Gjeografia e pallateve është e gjerë në disa zona të Tiranës, toponime që tashmë njihen nga të gjithë, duke filluar nga Vasil Shanto, te Blloku, te Maskatet, te De Rada, te Njëmijë Selvitë, te Shkolla Teknologjike,te Shkolla e Baletit, te Shqipëria Sot, te Fusha e Zezë, -korpuse pallatesh këto 10-12 katëshe që përmbajnë mijëra apartamente banimi. Është për tu theksuar se të gjitha këto pallate, tërmeti i 26 Nëntorit nuk mundi të dëmtojë asnjërin prej tyre. Banorët e tyre vazhdojnë jetën normale dhe flenë të qetë. Në këtë provim të jashtëzakonshëm s’ka nevojë për komente,çdo kush e kupton se çfarë note merr Ing.Shefkiu dhe çfarë merita i takojnë atij.

Veç këtyre ka bërë rikonstruksione në disa objekte të ndryshme, si shkolla, institucione deri te shtesa në godinën e Ministrisë së Bujqësisë.

Me gjithë këtë ngarkesë e volum të madh,në morinë e madhe të punëve të shumta ai nuk ka lënë pas dore pasionin që ka për librat, leximin, letërsinë, krijimin letrar. Njeri i qetë, i thjeshtë dhe i këndshëm në muhabet. Bisedat e tij përshkohen nga një  humor i këndshëm që nuk i shteron kurrë. Kjo është një prirje e veçantë e tij të cilën e pasqyron edhe në krijimet letrare duke shkruar vjersha ku spikat humori dhe satira që të bëjnë të vesh buzën në gaz e të mendosh më thellë e të reflektosh ndaj fenomenit që trajtohet…Këto krijime i ka botuar në vëllimin poetik me titull’’Xhindi i Arabisë, që përbën një vlerë të shtuar në fondin letrar të Gorës e më gjerë. Shefkiu është aktivizuar qysh në fillim në Shoqatën Gora.I zgjedhur në forumet drejtuese të saj  ka dhënë kontribut të çmuar në realizimin e aktiviteteve atdhetare kulturore të saj. Gjatë gjithë jetës ka punuar me përkushtim maksimal, me devotshmëri e ndërgjegje të lartë duke realizuar çdo detyrë me cilësinë e kërkuar.

Në kuadrin e 75 vjetorit të çlirimit të Atdheut Kryesia e Shoq. AK Gora, z.Shefki Hoxholli i akordoi titullin: “NDERI I KRAHINËS”. Duke i dhënë këtë certifikatë nderi Kryetari i saj, Bexhet Fezolli me krenari dhe entuziazëm tha: Të nderuar shokë dhe miq, Shefki Hoxholli është biri i Gorës që gjithë jetën ja ka kushtuar ndërtimit si në veprat hidroenergjetike dhe në Ministrinë e Ndërtimit. Por së fundi ai për 15 vjet punoi në firmën Gora duke ndërtuar dhjetëra pallate, 10-12 katëshe ku janë strehuar qindra familje. Në këtë situatë të pas tërmetit  që po jetojmë,ku dhjetëra pallate janë shembur e dëmtuar, pallatet e ndërtuar prej tij nuk kanë pësuar asnjë plasaritje. Kjo është një provë e madhe që tregon ndërgjegjen e pastër të këtij njeriu,përkushtimin e profesionalizmin e lartë në punë duke i kushtuar vëmendjen kryesore parametrave të cilësisë dhe vetëm cilësisë. Ndaj sot ai pas këtij provimi të jashtëzakonshëm, ndihet sfidant e i qetë dhe ne krenarë e të gëzuar së bashku me qindra familje që banojnë në to.

Ai ka dhënë një kontribut të çmuar në fushën ndërtimit e strehimit të mijëra banorëve dhe si aktivist në Shoq.Gora. Kryesia e saj dhe gjithë Gora e vlerësojnë lart punën dhe figurën e tij dhe e nderojmë me titullin “NDERI I KRAHINËS”. Ai mbetet një model i njeriut me veti dhe virtyte të larta, model i intelektualit profesionist dhe një shembull frymëzimi për brezat qe vine dhe veçanërisht për ndërtuesit shqiptarë.

Shefkiu e priti me emocion dhe kënaqësi titullin e nderit dhe falënderoi kryesinë e Shoqatës për vlerësimin që i bëhet atij si njeri, si profesionist si dhe  kontributit e punës së tij. Me këtë rast i urojmë Shefkiut gëzuar 85-vjetorin e lindjes, shëndet, mbarësi dhe ditë të bardha në gjirin e familjes mes nipërve e mbesave që i do dhe e  duan aq shumë.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet