SHBA zgjedh kryeqytetin për palestinezët

Publikuar më 27. 12. 2017 nga Dionis Xhafa

Henije: Hamasi ka marrë informacion se SHBA-të do t’u ofrojnë zyrtarëve palestinezë një kryeqytet apo entitet në Ebu Dejs pranë Kudsit

Dionis Xhafa

Kryetari i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Henije, bëri të ditur se kanë marrë informacion se SHBA-të do t’u ofrojnë zyrtarëve palestinezë një kryeqytet apo entitet në Ebu Dejs pranë Kudsit dhe se prej këtu, nëpërmjet një ure, do të lidhen me Mesxhid-i Aksanë”, raporton AA. Në fjalimin e tij gjatë takimit për zhvillimet e fundit lidhur me pajtimin mes drejtuesve dhe udhëheqësve fisnorë palestinezë të mbajtur në Gaza, Henije tha: “Hamasi ka marrë informacion se SHBA-të do t’u ofrojnë zyrtarëve palestinezë një kryeqytet apo entitet në Ebu Dejs pranë Kudsit”. Lidhur me përmbajtjen e propozimit, ai bëri të qartë se plani përfshin ndërtimin e një ure midis Ebu Dejsit dhe Aksasë dhe ndarjen e Aksasë në tre pjesë të ndryshme. Duke reaguar për vendimin e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Kudsin, Henije shtoi: “Vendimi i Trumpit për Kudsin është një pjesë e luftës për asgjësimin e kauzës palestineze. Vendimi ka implikime për riformësimin e gjithë rajonit. Vendimi u mor jo vetëm për gjendjen e Palestinës, por dhe për ndryshimin e plotësishëm të gjurmëve të rajonit”. Henije paralajmëroi se vendimi do të ndikojë negativisht edhe në raportet palestinezo-jordaneze. “Flitet për një shtet alternativ mes Jordanisë dhe Palestinës. Flitet për një konfederatë në të cilin do të banohet. Kjo përbën themelet e një shteti alternativ”, theksoi shefi i Hamasit. Ai njoftoi se kanë biseduar me Mbretin e Jordanisë Abdullahun II lidhur me çështjen e Kudsit dhe rreziqet e krijimit të një shteti alternativ.  “Palestinezët kërkojnë qëndrim të prerë për mospranimin e asnjë shkeljeje politike për Kudsin dhe Palestinën”, shtoi ai. “Heqja dorë nga çfarëdo e drejtë lidhur me çështjen e Kudsit do të ketë reflektime të rrezikshme në të gjithë umetin islam”, tha Henije, duke i bërë thirrje popullit palestinez për intifadë ndaj vendimit të SHBA-ve lidhur me Kudsin. Ai gjithashtu vuri në dukje se ka mirëpritur protestat e botës islame në shenjë reagimi ndaj vendimit të SHBA-ve. Ndërkohë, duke theksuar angazhimin e Hamasit për pajtimin kombëtar, Henije paralajmëroi se zbatimi i ngadalshëm i marrëveshjes së pajtimit mund të ketë pasoja serioze. Shtetet e Bashkuara të Amerikës propozuan dhe më pas kanë bërë edhe fakt që Jeruzalemi të jetë kryeqytet i Izraelit. Presidenti amerikan Donald Trump e përcaktoi një gjë të tillë, kurse ka pasur edhe një ceremoni të posaçme pikërisht për këtë gjë. Shumë palestinezë kanë dalë në protesta pasi u vendos që Jeruzalemi të shpallet kryeqyteti i Izraelit. Qytetet Ramallah, Beytullahim, El Halil dhe Nablus të Bregut Perëndimor, i cili ndodhet nën pushtim, u bënë në mënyrë të përsëritur skenë e protestave të organizuara nga palestinezët, kundër vendimit të SHBA-ve për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit. Në një deklaratë me shkrim nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze thuhet se 16 persona janë plagosur me plumba gome ndërsa 2 të tjerë me plumba të vërtetë gjatë ndërhyrjes së ushtarëve izraelitë ndaj protestuesve. Kurse 29 palestinezë janë ndikuar nga gazi lotsjellës. Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, javën e kaluar bëri publik vendimin sipas të cilit e njeh Kudsin si “kryeqytet të Izraelit”, duke shkaktuar reagime të ashpra në mbarë botën. Trump gjithashtu bëri të ditur se kishte urdhëruar zhvendosjen e ambasadës së SHBA-së nga Tel Avivi në Kuds. Bregu Perëndimor në atë kohë është përfshirë në trazira të mëdha dhe sa duket është kreu i shtetit amerikan që dëshiron të rregullojë raportet dhe të mos ketë më përplasje të forta mes izraelitëve dhe palestinezëve. Presidenti në detyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump ka thënë disa herë rresht se nuk ka pasur ndonjëherë në jetën e tij si synim apo pikësynim që të shtyjë urrejtje etnike ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Madje, përkundrazi Trump është shprehur se dëshiron paqe dhe pajtim në mbarë globin dhe se ka punuar për këtë çështje dhe do të punojë në vazhdimësi.

Nxitet uniteti mysliman në Palestinë

Turqia dhe Arabia Saudite nxisin unitetin mysliman në Palestinë. Kryeministri turk dhe Mbreti i Arabisë Saudite kanë bërë thirrje që myslimanët në Palestinë të rrinë të bashkuar, transmeton Aljazeera. Binali Yildirim dhe Salman bin Abdulaziz  janë takuar për të treguar unitetin mysliman pasi Jeruzalemi u shpall kryeqytet i Izraelit. Ndërkohë presidenti Erdogan ka thënë që duhet të ketë “një vijë të kuqe” dhe ka kërcënuar që do t’i ndërpresë të gjitha lidhjet me Izraelin. Bota arabe tashmë kërkon fuqinë e vet dhe forcën që asaj i takon në lidhje me pjesën e Bregut Perëndimor. Një sërë liderësh nga bota arabe kanë folur këta ditë, sikundër edhe diplomatë, gazetarë apo persona që janë personalitete me rëndësi nga bota e politikës, gazetarisë ose të biznesit. Ata kanë thënë në mënyrë të përsëritur se duhet një unitet i madh ndaj botës myslimane. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se në asnjë mënyrë nuk do të lëndohen ndjenjat e palestinezëve, ata do të triumfojnë, shtetasit e Palestinës do ta kenë një kryeqytet të tyrin, duke mos ua mohuar edhe vendin, edhe qytetet dhe as historinë. Trump ka nënvizuar se si me Izraelin, ashtu edhe me Palestinën do të kërkojë një drejtësi, të ketë balancim të gjërave, të mos ketë padrejtësi në Lindje të Mesme. Trump ka shtuar se tashmë që ISIS është shkatërruar në mënyrë përfundimtare, kryesisht si rrjedhojë e ndërhyrjes së trupave amerikane, Lindja e Mesme paksa me vështirësi, por se është duke iu rikthyer jetës së qetë dhe se njerëzit janë duke jetuar në një normalitet.