SHBA: publikohet emri i pengmarrësit dhe viktimave në një shtëpi veteranësh

Zyrtarët e Kalifornisë kanë publikuar identitetin e personit të armatosurit dhe tre pengjeve që ai vrau të premten në një shtëpi veteranësh në Kaliforninë Veriore. I dyshuari është identifikuar si 36-vjeçari Albert Wong, i cili u gjet i vdekur të premten në mbrëmje në ndërtesën ku ndodhi ngjarja. Pengjet e vrarë ishin të gjitha punonjëse të shëndetit mendor të shtëpisë së veteranëve të luftës që vuajnë nga çrregullime të stresit post-traumatik. Ato janë Christiane Loeber 48 vjeç, Jen Golick 42 vjeç dhe Jennifer Gonzalez 29 vjeç. Në një mesazh në twiter të shtunën Presidenti Donald Trump shprehu pikëllimin për atë që e cilësoi ngjarje tragjike. “Jemi në zi për humbjen e tre grave të jashtëzakonshme që kujdeseshin për veteranët tanë“, tha ai.

Zyrtarët thonë se Albert Wong-ut i ishte kërkuar kohët e fundit të largohej nga programi i shtëpisë së veteranëve Pathway. Arsyet për largimin e tij nuk janë ende të qarta. Sipas autoriteteve personi i armatosur vuante çrregullime të stresit post-traumatik dhe kishte shërbyer në Lindjen e Mesme. Trupat e pajetë u zbuluan rreth tetë orë pasi Wong hyri në godinë ndërsa stafi po zhvillonte një mbledhje. Nuk dihet ende se kur ka vdekur personi i armatosur dhe pengjet e tij. Autoritetet kishin tentuar ta kontaktonin pengmarrësin gjatë gjithë ditës. /Zëri i Amerikës/

 

Të tjera

Abissnet