SHBA përgatit sulm ndaj Koresë Veriore

Publikuar më 22. 12. 2017 nga Dionis Xhafa

Ushtria amerikane thuhet se është trajnuar për një mision që do t`i vendosë ata në tokën e Koresë së Veriut dhe do të heqë “armët e shkatërrimit në masë” në rast konflikti

Dionis Xhafa

Ushtria amerikane thuhet se është trajnuar për një mision që do t`i vendosë ata në tokën e Koresë së Veriut dhe do të heqë armët e shkatërrimit në masë në rast konflikti. Fotografitë e një stërvitjeje të kohëve të fundit, të quajtur “Warrior Strike IX”, tregojnë një njëri ushtarake amerikane të njohur si “Brigada Black Jack” së bashku me homologët e tyre të Koresë së Jugut në Camp Stanley, në Korenë e Jugut, shkruan Daily Mail. Imazhet, të cilat u ndanë edhe në faqen e njësisë në “Facebook” tregojnë ushtarë të trajnuar me pajisje të  natës për vizion, automjete të blinduara dhe veshje mbrojtëse që përfshijnë edhe fytyrën, duke përfshirë maskat e gazit. Përshkrimi i ngjarjes që u zhvillua më 15 dhjetor, tregon për ushtarë të trajnuar për transportim të ushtarëve të plagosur dhe kapjen e luftëtarëve. Christopher B. Logan, një zëdhënës i ushtrisë amerikane në Korenë e Jugut tha për ‘Bussines Insider’ se ushtria amerikane nuk diskuton skenarë të veçantë. Megjithatë, ai shtoi se “ushtrimet janë jetësore për gatishmërinë e SHBA-ve dhe aleatëve tanë, dhe sigurohemi që jemi të gatshëm dhe të trajnuar për operacione të përbashkëta”. Koreja e Veriut është e fshehtë për arsenalin e saj dhe thuhet se fsheh një numër armësh në malet dhe tunelet nëntokësore. Nëse shpërthen konflikti mes Koresë së Veriut dhe SHBA-ve/Koresë së Jugut, një detyrë kyçe që më herët do të ishte marrja e kontrollit të armëve të shkatërrimit në masë të Pyongyangut. Koreja e Veriut ka kërcënuar shpesh sulmet bërthamore në Korenë e Jugut dhe SHBA, duke shprehur kështu haptazi fuqinë e armëve bërthamore që posedon. Kina dhe Rusia kanë akuzuar SHBA-të për shkallëzim të tensioneve me Korenë e Veriut duke rritur ushtrimet ushtarake si dhe disa komente të bëra për udhëheqësin Kim Jong-un nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. Amerika është duke përgatitur me hollësi sulm të përgjakshëm në Korenë Veriore që të trondisë qeverinë në Penjan dhe se ky sulm është mirëmenduar nga ana e Trump dhe gjithashtu edhe nga ana e këshilltarëve të tij më të afërt. Këshilltarët kanë qenë ata që i kanë thënë Trumpit se duhet të shpallë qoftë edhe luftë kundër një shteti si Koreja Veriore, duke pasur parasysh këtu edhe faktin se shteti koreano – verior ka qenë një vend, që sa herë është nënshkruar diçka në lidhje me të nga ana e Uashingtonit, ka qenë ajo e cila i ka shkelur marrëveshjet dhe se ka në krye edhe sot e kësaj dite njerëz të së njëjtës dinasti, e njëjta elitë politike është në krye të Penjanit dhe se Kim është thjesht një pasardhës i familjes diktatoriale komuniste në atë vend, nënvizon “The Telegraph”. Shtëpia e Bardhë ka shpërndarë edhe njoftime në lidhje me faktin sesi do të shkojnë gjërat me çështjen e hapur me Korenë Veriore. Mësohet se është thënë se me këtë shtet, pra me Korenë Veriore nuk i dilet në asnjë lloj mënyre dhe jo me marrëveshje, përpos se me vetëm luftë. Shumë presidentë kanë provuar që të mbyllin çështjen me diplomaci, por Penjani është po ai shtet po ai vend dhe kryen po ata teste me rrezik të madh për rajonin ku bën pjesë dhe për mbarë botën. Në shënjestër të Amerikës dhe të Koresë Jugore mund të jenë rezervat e armëve që ka Koreja Veriore, të cilat janë pikërisht edhe rreziku më i madh. Ka edhe shpresa për negociata, por se këta shihen edhe paksa të pamundura nga ana e administratës së Trump, e cila ka nënvizuar se janë bërë negociata të pafund që kanë ngelur vetëm në letra. Burimet thonë gjithashtu se Presidenti Trump është gati për të urdhëruar përdorimin e forcës nëse është e nevojshme. Si shembull, merret urdhër i menjëhershëm për të goditur me 59 raketa Tomahok, bazën ajrore siriane pas sulmit me armë kimike ndaj civilëve në prill në Kan Shejkun. Javën e kaluar, senatori republikan Lindsey Graham tha se në rast të një tjetër prove raketore, ka 70% shanse që Uashingtoni të sulmojë Korenë e Veriut. Reagimi ndërkombëtar ishte i ashpër veçanërisht pas testit raketës ndërkontinentale koreano-veriore në nëntor, që fuste në rreze edhe territori amerikan.

Nëse shpërthen konflikti mes Koresë së Veriut dhe SHBA-ve/Koresë së Jugut, një detyrë kyçe që më herët do të ishte marrja e kontrollit të armëve të shkatërrimit në masë të Pyongyangut

Situata

Koreja e Veriut ndjen frikën

Koreja e Veriut e ka quajtur strategjinë e sigurisë të SHBA kundër Phenianit  kriminal, raportojnë mediat shtetërore. Ministria e jashtme e Koresë së Veriut akuzoi presidentin Donald Trump se po kërkon nënshtrimin total të botës  me strategjinë e tij të re të sigurisë kombëtare. Trump tha të hënën se Uashingtoni duhej të merrej me sfidën e paraqitur nga programet e armëve të Phenianit. Një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Koresë së Veriut tha se strategjia kombëtare e sigurisë amerikane ishte “asgjë, përveç shpalljes së agresionit”, raporton agjencia shtetërore e lajmeve KCNA. Ai akuzoi SHBA për përpjekjet për të mbytur vendin korean dhe për ta kthyer tërë gadishullin korean në një postë për të kërkuar këtë hegjemoni. Trump përvijoi strategjinë e re të SH.B.A.-së, duke kritikuar Korenë e Veriut për testimet e përsëritura të raketave bërthamore pavarësisht dënimit nga SHBA dhe OKB. Muajin e kaluar, presidenti amerikan gjithashtu  e quajti Korenë e Veriut një sponsor shtetëror të terrorizmit. Administrata e Trump ka thënë se po kërkon një zgjidhje diplomatike dhe ka propozuar sanksione të reja dhe më të rrepta kundër Phenianit. Masat e përshkruara përfshijnë ndalimin deri në 90% të furnizimit me naftë të vendit dhe riatdhesimin e të gjithë shtetasve të Koresë së Veriut që punojnë jashtë vendit brenda 12 muajve, sipas agjensisë së lajmeve AFP.  Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të votojë nëse do të vendosë sanksione më të rrepta në një rezolutë që do të varet nga mbështetja nga Kina dhe Rusia. Koreja e Veriut tashmë është subjekt i një sërë sanksionesh nga Amerika, OKB dhe BE.