SHBA: Ofrojmë prokurorë federalë për Tahirin dhe bandat e krimit

Nga Nikoleta Kovaçi

Ambasadori amerikan, Lu, përmend emrat e ish-ministrit të Brendshëm, Shullazit, Lul Berishës dhe gjyqtarëve

Shoferi tjetër i Tahirit vazhdon të rrëfejë në lidhje me bëmat që kanë dalë në sistemin TIMS për lëvizjet e komponentëve që janë vënë nën hetim për trafik ndërkombëtar droge. E ndërsa Alban Aliaj po rrëfehej të Krimet e Rënda për këtë fakt, ambasadori Amerikan Donald Lu ka shkuar në zyrën e kreut të Ministrisë së Brendshme dhe ka folur me të, sipas të dhënave, konkretisht për Tahirin, lidhjet e fuqishme të drogës dhe se duhet të sillen në vendin tonë prokuror amerikan për të hetuar të gjitha lidhjet kriminale të kanë të bëjnë me trafikun e drogës. Mirëpo ndërsa prokuroria është ende në fazën e vërtetimit se a është takuar apo jo ish-ministri i brendshëm me kushërinjtë e tij, në Greqi, në një episod të zbuluar nga prokuroria, amerikanët tashmë janë të gatshëm të sjellin edhe prokurorë të cilët do të ndihmojnë hetuesit tonë të çojnë në fund dosjen që me sa duket nuk kanë ndërmend ta çojnë kurrë. Ndërsa shoferi i Tahirit ka folur mbi një rrugë që ka bërë në drejtim të Greqisë me Tahirin dhe familjen e tij të afërt nuk ka dhënë asnjë element që mund të ndihmonte prokurorinë për të implikuar Tahirin në ndonjë vepër penale, edhe pse bëhet fjalë për një takim në Greqi me Artan Habilajn, kushëririn e tij dhe vëllain e Mosisi Habilajt. Takimi dhe episodi për të cilin është pyetur Aliaj kanë të bëjnë me vitin 2014, vetëm një vit pasi Tahiri kishte ardhur në krye të Ministrisë së Brendshme.

Pyetja e shoferit 

Duke dashur të verifikojnë të dhënat e një takimi mes ish-ministrit Saimir Tahiri me Artan Habilajn, vëllain e Moisi Habilajt, i arrestuar për trafik droge në Katania, prokuroria ka kërkuar të pyesë shoferin tjetër të Tahirit. Bëhet fjalë për takimin që mendohet se është zhvilluar në vitin 2014 në Greqi. Alban Aliaj, shoferi i dytë i ish-ministrit të Brendshëm është thirrur nga prokurorët që po hetojnë dosjen Tahiri-Habilaj. Emri i Aliajt ka dalë pas këqyrjes në sistemin TIMS ku mësohet se gjatë muajit gusht 2014, Alban Aliaj ka shkuar në Greqi me një automjet zyrtar. Në të njëjtin moment ka shkuar në Greqi edhe Artan Habilaj, në bordin e makinës që tashmë është bërë proverbiale “Audit AA 003 GB”. Gjatë pyetjeve në prokurori ish-shoferi i Tahirit ka pranuar se Artan Habilaj ka mbërritur në Greqi dy ditë pasi ministri Tahiri ndodhej në plazh me bashkëshorten. Pas takimit mes të dyve, automjeti Audi me të cilin udhëtoi Artan Habilaj qëndroi në Greqi, kurse vetë Habilaj u kthye në Tiranë me ish-shoferin e Tahirit. Në dëshmitë e tij Saimir Tahiri ka këmbëngulur se automjetin AUDI e ka shitur që prej 2013-s dhe se nuk ka patur kontakt me Habilajt.

Donald Lu

Dje është mësuar se SHBA i ka ofruar Prokurorisë sonë mbështetje me prokurorë federalë amerikanë dhe agjenci të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara për të kryer një hetim të plotë për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin. Po ashtu këta prokurorë mësohet se do të ndihmojnë edhe për çështje të tjera sensitive për SHBA-në, si ato të Emiljano Shullazit, Lulzim Berishës apo edhe të tre gjykatësve të Apelit në Durrës. Këtë lëvizje e ka konfirmuar publikisht dje ambasada amrikane në Tiranë sipas të cilës, synimi është një hetim i plotë me synim zbulimin e të vërtetës për të gjitha rastet. “Ashtu si vetë Tahiri dhe shumë udhëheqës të tjerë shqiptarë e kanë thënë, kjo çështje duhet zgjidhur në gjykatë, duke shqyrtuar të gjitha faktet. Bota, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, po e ndjek nga shumë afër këtë çështje dhe çështje të tjera sensitive, si ato të Emiljano Shullazit, Lul Berishës dhe tre gjykatësve të Apelit në Durrës. Ne kemi ofruar mbështetjen e prokurorëve federalë amerikanë dhe agjenci të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara për t’i ofruar ndihmë teknike Prokurorisë në kryerjen e një hetimi të plotë, i cili ka për qëllim zbulimin e të vërtetës.” Ky qëndrim i ambasadës amerikane doli pas takimit që ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin zhvilluan me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj!

Hetimet mbi dosjen e trafikut të drogës!

Në kohën kur çështja e dosjes së Katanias është kthyer në një problem serioz për shtetin  shqiptar brenda dhe jashtë vendi, të gjithë zyrtarët e policisë janë në arrati. Po ashtu edhe të gjithë ata emra që SHISH i ka hetuar dhe përgjuar për kohë me radhë, asnjë nuk është i ndaluar apo prangosur për shkak të kësaj historie droge që e ka bërë të njohur vendin tonë në të gjithë botën. Të gjitha mediat e mëdha të Europës kanë shkruar në lidhje me skandalet e panumërta të policisë sonë për lejimin e trafikut të drogës ndërkohë që prokuroria jonë nuk ka çuar para gjykatës asnjë zyrtar të lartë të kësaj policie. Është vetëm një shef sektori nga Vlora që mban ende në këmbë shtyllën e policisë si personi i vetëm i ndëshkuar për përfshirjen në punët e trafikantëve të drogës në rrethin e Vlorës. Tashmë do jenë edhe amerikanët që do ta shtyjnë prokurorinë tonë të hetojë skandalet e policisë, ndërkohë që nga kjo polici brenda më pak se tri javësh do të dalë edhe drejtuesi i Policisë së Shtetit!

Të tjera

Abissnet