SHBA, Natasha Kandiç propozohet për Çmimin Nobel

Publikuar më 01. 02. 2018 nga Shekulli Online

Kryesuesi i Komisionit të Helsinkit në SHBA, senatori Roger Wicker, dhe anëtari i Dhomës Përfaqësese të Kongresit të SHBA-ve, Eliot Engel, kanë nominuar Natasha Kandiçin dhe Fondin për të Drejtën Humanitare për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2018, bënë të ditur RFE.

“Zonja Kandiç e ka themeluar Fondin për të Drejtën Humanitare në Beograd, në vitin 1992, për t’i dokumentuar shkeljet tejet të rënda të të drejtave të njeriut të kryera gjatë konflikteve lidhur me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë”, kanë shkruar në arsyetimin e tyre të dy ligjvënësit amerikanë duke shtuar se “pas 25 vitesh, Fondi për të Drejtën Humanitare vazhdon të luftojë për drejtësi për viktimat e krimeve të luftës dhe për ta kundërshtuar nacionalizmin ekstrem dhe raportet e tensionuara etnike, që mbeten në Ballkanin perëndimor”.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd dhe kryesuesja e saj, Natasha Kandiç ishte zëri i vetëm kundër kriminelit Sllobodan Millosheviç, që i rezistuan regjimit barbar dhe vazhduan të denoncojnë heshtjen e krimit edhe nga qeveritë pasardhëse serbe, kur e gjithë bota kishte përqafuar ardhjen e, siç thuhej, qeverisjes demokratike në Serbi në vitin 2000.