Shakatë e ministrit me mafien e Elbasanit

Nikoleta Kovaçi

Historitë e krimit në vendin tonë janë thuajse historitë e politikës. Gjithnjë pas një politikani që mblidhte vota dhe afishohej nëpër stenda partish qëndronte një grup kriminal, elementët e të cilit shpesh i kishin brenda familjes, fisit, lagjes apo katundit! Dikur në fakt ishin grupe, tani bëhet fjalë për mafie! Ata tashmë janë bërë njësh me politikën dhe politikanët. Nëse më parë politikani ishte thjesht mbështetësi i tyre, garanti që anëtarët e grupit kriminal të vazhdonin punën, edhe me ndonjë ‘firo’, tashmë politikani është shërbëtori i mafies. Duket si një aksiomë e pashmangshme në punët e mëdha të një vendi që drejtohet nga korrupsioni! Po në fakt në vendin tonë kjo aksiomë është kaq legjitime sa krijon frikë, frikë për shtetin dhe elementët e tij që janë shërbëtor të mafies! Kështu ndodh rëndom por jo faqe të gjithëve, jo në transmetim live dhe më e pafalshmja është se ndodh edhe në sy të fëmijëve, të të rinjve dhe të gjithë atyre që janë ende të gënjyer që këtu po bëhet shtet për të shkuar në Europë!

Sot, në Elbasan, u shënua një shfaqje publike me regji të përbashkët, që ftoheshin mediat të transmetonin live gjithë fjalën e ministrit teksa fliste për grupe kriminale. Fliste për dy-tre dhe i kërcënonte. Në fakt se di pse mu duk se kërcënohej vetë ministri. Kërcënohej aty dhe hapur dhe madje publikisht u detyrua të niste mesazh për grupin rival që punon kundër pushtetit. Shfaqja bëhej gjithnjë e më interesante kur në krahun e tij gjendej i pari i Elbasanit. Ndoshta jo për fajin e tij por të mënyrës se si ai njeri erdhi në krye të Elbasanit. Qëndroi aty dhe mbeti i palëvizur! Tani duket se nuk lëviz dot ndërsa gjendet në krah të ministrit teksa ky i fundit iu hakërrehej rivalëve të tij. “Ata”…thuhet se janë edhe më të fuqishëm se “këta”… Nuk kanë nevojë për mburojë ministrash. Kanë politikanë të tjerë të cilët iu detyrohen. S`janë 2-3 grupe kriminale, po është një. Tjetri ishte aty si çekan. I kërciste herë pas herë këmbët në dysheme e ministri kërcënonte! Po teksa tentonte të ngrinte peshën e fjalës, gjithnjë i binte pesha e zërit. “Kumbara” gjendej në krahun e tij. Ashtu siç një tjetër kumbarë e ka në shtëpi e një tjetër në qeveri! Nga aty kërcënoi vetëm rivalët e grupit më të fuqishëm politik. Asnjë grup tjetër. Askënd tjetër. E televizionet tona e transmetuan live. Në Elbasan, si thuajse në të gjitha qytetet me resurse të veçanta kriminale, mafia është komanduese deri lart në qeveri. Elbasani nuk është Vlorë, as Durrës, as Lezhë, e aq më pak Tiranë; Elbasani është arterie për të gjitha punët e katër qyteteve-mafie që funksionojnë nën direktivat e të fortëve që kanë përfaqësues në qeveri. Elbasani prej vitesh është kthyer në një arenë të përgjakshme. Kushdo që guxon të rivalizojë vritet. Gojët e liga thonë se janë përzier keq punët e shtetit me punët e tyre ndërsa grupet mafioze tashmë kanë edhe krah politik. Mjerisht ata vriten. Atyre iu mbesin fëmijë jetim, e ata ndyjnë duart me gjak. Politikanë, si ministri i brendshëm dje, marrin kamera dhe qëndrojnë live gjithë kohën, bëjnë sikur kërcënojnë dhe ikin. Vijnë në Tiranën e tyre dhe aty qëndrojnë nën mbrojtjen e ushtarëve që po ngjisin ngadalë shkallët e mafies. I pari i Elbasanit, ai që thuhet se ka një ndër grupet më të fuqishme kriminale pas vetes, ruhet në fakt. Ai mbrohet me taksat tona. I rrezikohet jeta se ndoshta “ata” janë më të fortë se “këta” ndaj iu desh ajo shfaqje sot, pikërisht të iu thoshte “atyre” se unë kam shtetin me vete!

Viti që lamë pas krijoi shumë histori me elbasanlli të fortë! Pak kush i shkruajti e aq më pak i tregoi! Janë histori që iu duhen atyre për statistika dhe politikës për kollaren e radhës… Ndërkohë banda të armatosura ruajnë zonat e tyre edhe në mes të ditës. Aty ku nuk guxon dot të hyjë shteti se të marrin zvarrë djemtë e “Shefit” dhe të “Lalës”. As ministri s`mund të fliste ashtu nëse në krah nuk do të kishte njërin prej tyre. kësaj radhe zgjodhi “Lalën”. Ndoshta herën tjetër e ka radhën “Shefi”!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet