Serbi dyshohet për krime dhe vrasje, ekstradohet nga Amerika në Kroaci

Ish-luftëtari serb Slobodan Mutiç u kthye në Kroaci nga Amerika dhe u fut në burg ndërkohë që autoritetet hetojnë dyshimet për pjesëmarrjen e tij në krime lufte dhe vrasje

I dyshuari serb i Kroacisë për krime lufte Slobodan Mutiç është transferuar nga Shtetet e Bashkuara, konfirmoi të enjten gjykata e qarkut në Sisak në Kroacinë qendrore. Mutiç, i cili ishte ushtar i shtetit të panjohur të udhëhequr nga serbët Republika e Krajinës Serbe në vitet 1990, u dërgua në Kroaci të mërkurën. Shtetet e Bashkuara e kishin dënuar Mutiçin me dy vjet burg në janar 2016 se kishte gënjyer gjatë procesit të miratimit të vizës së tij në vitin 1999. Edhe pse gjatë marrjes së vizës ai deklaroi se nuk ishte arrestuar kurrë, Mutiç më vonë pranoi se ai ishte arrestuar nën dyshimin për vrasjen e një çifti të martuar, Stjepan dhe Paula Cindriç, në vitin 1992, në qytetin Petrinja në Kroacinë qendrore, e cila në atë kohë ishte nën kontrollin serb.

Autoritetet amerikane pohojnë se ai, së bashku me një bashkëpunëtor, e vrau çiftin për shkak se ishin kroatë, si edhe sepse dyshonte se ata ishin anëtarë të partisë në pushtet, Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ. Pas vrasjes së çiftit, autorët e dyshuar i plaçkitën ata. Gjykata e Sisakut konfirmoi se ai u fut në burg në Sisak dhe se rasti i tij është klasifikuar si një krim lufte kundër civilëve. Ai kërkohet gjithashtu për vrasjen e dyshuar të ish të dashurës së tij Aleksandra Zivkoviç, vrasje e cila nuk është klasifikuar si krim lufte. /BIRN/

 

 

 

Të tjera

Abissnet