Sejko: Të zvogëlohet monopoli i bankave

Publikuar më 10. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Pavarësisht zhvillimeve pozitive në ekonominë shqiptare sistemi financiar, ende mbetet i dominuar nga sistemi bankar dhe zhvillimet e tij. Në raportin e fundit të stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë, citohet se bankat përfaqësojnë ende rreth 90% të totalit të aktiveve të sistemit financiar, ekuivalent me 92% të PBB-së, ndërkohë që pjesa tjetër e sektorit financiar është e vogël dhe përbën vetëm 10% të totalit të aktiveve të sistemit financiar, u shpreh Guvernatori Gent Sejko ne Konferencën Vjetore të Bankës së Shqipërisë.

Ai tha se Vlerësimet dhe studimet e Bankës së Shqipërisë, por edhe studimet krahasuese të palëve të treta si Fondi Monetar Ndërkombëtar, tregojnë se tregu financiar në Shqipëri ka përhapje dhe shtrirje financiare afër nivelit ekuilibër të diktuar nga ekonomia dhe konsumatorët shqiptarë.

Gjithashtu, treguesit e ndërmjetësimit financiar të shprehur si përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, janë në nivele të përafërta me ato të vendeve të tjera të rajonit. Guvernatori referoi se, mbizotërimi i segmentit bankar, natyrshëm ka çuar në një shkallë të lartë përqendrimi të produkteve dhe shërbimeve financiare në favor të tij. Mbi 80% e investimeve të rezidentëve në sistemin financiar janë në formën e depozitave dhe llogarive rrjedhëse.

Vetëm pak mbi 12% janë në formën e letrave me vlerë të qeverisë ndërkohë që pjesa e mbetur, rreth 6.5% janë investuar në fondet e investimeve dhe ato të pensioneve private. Kjo e fundit përbën vetëm 0.1% të totalit të aktiveve të sistemit financiar. Statistikat tregojnë se numri i kompanive që operojnë në segmentet e tjera të sektorit financiar mbetet i ulët, ndërkohë që aktiviteti i tyre në terma të Prodhimit të Brendshëm apo të tregut financiar mbetet i papërfillshëm.

Përsa më sipër, konkluzioni logjik është se arkitektura e tregut financiar ende nuk mund të konsiderohet e plotë. Instrumentet financiare me maturitet afatgjatë janë të rralla, ndërkohë që ato afatshkurtra jashtë sistemit bankar, janë apatike dhe të fragmentuara, si në produkte ashtu dhe në tregje. Fryt i kësaj arkitekture financiare është një lloj presioni i shtuar mbi sistemin bankar, duke privuar ekonominë nga alternativat e tjera të financimit përtej atyre që ofrojnë bankat, tha Guvernatori.

N.GJ