Sasi e frikshme droge e kapur në Ravena, në pranga 3 shqiptarë dhe një italian

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Një sasi e frikshme prej 2.2 tonë drogë, e llojit marijuanë dhe hashash, është kapur nga policia e Ravenës në Itali. Mësohet se kjo është një nga sasitë më të mëdha të drogës sekuestruar ndonjëherë në historinë e Ravenës.

Ndërkaq 4 persona, mes të cilëve 3 shqiptarë, janë vënë në prangat e uniformat blu. Të arrestuarit janë një 26-vjeçar italian dhe shqiptarët e moshës 27, 53, dhe 21 vjeç, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur.

Të gjithë shtetasit e ndaluar akuzohen për shpërndarje të lëndës narkotike. Ndalimi i këtyre personave është bërë nga karabinierët ditën e diel, ndërsa njoftimi është dhënë të hënën.

Hetimet nisën në orët e vona të së enjtes në provincën e Ravenës, ku pas një kontrolli të territorit patrulla ndaloi një furgon rreth orës 04:30 të mëngjesit. Në furgon ndodheshin dy persona të cilët fillimisht bënë rezistencë, por pas ndjekjes së policisë u detyruan të dorëzohen.