Samiti/ Trump-Putin shtrëngojnë duart

Publikuar më 11. 11. 2017 nga Bleona Metushi

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai Presidenti rus, Vladimir Putin shtrënguan duart dhe shkëmbyen disa fjalë të premten gjatë darkës së shtruar për nder të pjesëmarrësve në samitin e bashkëpunimit ekonomik të vendeve të Azi-Paqësorit.

Bashkëpunimi Ekonomik i Azisë dhe Paqësorit (APEC) është një forum që përbëhet nga 21 vende anëtare, dhe është krijuar që nxit tregtinë e lirë në të gjithë rajonin e Azi-Paqësorit.

E ndërsa të dy liderët, të veshur me një këmishë të gjerë, të kaltër të stilit tradicional kinez, të siguruara nga vendi pritës, qëndronin pranë njëri-tjetrit për fotografinë zyrtare, për  tu ndarë dhe ulur larg njëri-tjetrit.

Gjatë të premtes Shtëpia e Bardhë u përpoq të eliminojë spekulimet se Presidenti Trump mund të zhvillojë bisedime me Presidentin rus Vladimir Putin gjatë qëndrimit në Vjetnam për takimin ekonomik të Azi-Paqësorit.

“Të dy presidentët marrin pjesë në takim dhe mund të zhvillojnë një bisedë të shkurtër, por jo diskutime substanciale,” shpjegoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.

“Lidhur me takimin me Putinin, nuk ka pasur asnjë konfirmim për takim, dhe nuk do të ketë takim për arsye të mospërputhjeve në programet ditore të dy udhëheqësve. Nuk është planifikuar ndonjë takim zyrtar mes tyre”. tha zëdhënësja Sanders përmes një deklarate.

E ndërsa më herët agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti në një njoftim iu kundërvu deklaratave të Shtëpisë së Bardhë, duke lënë të kuptohet se kishte ende shpresa për një takim. “Kremlini thotë se vazhdojnë përpjekjet për një takim të mundshëm Trump-Putin,” thuhet në një njoftim të shkurtër.

E ndërsa Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson gjatë udhëtimit për në Danang të premten,  tha se kishte lexuar njoftimet e shtypit rus, por shtoi se nuk ishte vendosur asgjë. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara duan përparim në një numër temash dhe se takimi do të ishte pa vlerë nëse Uashingtoni nuk mendon se do të ketë përparim.

Një ditë më parë Sekretari Tillerson pohoi se Moska dhe Uashingtoni po punojnë larg skenave publike për një numër temash të vështira. Por ai la të kuptohej se mund të mos jetë momenti i duhur për një takim të dytë Trump-Putin, pas takimit të tyre gjatë punimeve të G-20 në Gjermani në korrik. Njoftohet se dy udhëheqësit biseduan përsëri atë mbrëmje, gjatë darkës së udhëheqësve të G-20. Biseda u zhvillua kokë-më-kokë, vetëm me praninë e një përkthyesi.

Edhe vetë Presidenti Trump ka përmendur mundësinë e një takimi tjetër kur u tha gazetarëve javën e kaluar se parashikon se do të takohet me Presidentin Putin në Vjetnam për t’i kërkuar ndihmë për të zgjidhur problemin bërthamor të Koresë së Veriut. Ai bëri një koment të ngjashëm gjatë takimit me presidentin kinez në Pekin të enjten.

Më tej Sekretari Tillerson tha se zyrtarë nga të dyja vendet po diskutojnë edhe konfliktet në Siri dhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme. Presidenti Trump ka thënë se shqetësimet për ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e 2016 mbeten një çështje e hapur në bisedimet me rusët.

Por shumë studiues të marrëdhënieve ruso-amerikane nuk mendojnë se takimi mes dy udhëheqësve do të ishte ide e mirë në këtë moment delikat në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Një prej tyre është edhe zëvendës drejtor i programit për politikat e jashtme në Departamentin e Studimeve Ndërkombëtare pranë Universitetit Johns Hopkins në Uashington, Charles Stevenson, i cili mendon se takimi Trump-Putin, nwse nuk do tw koordinohej mw parw do të ishte i rrezikshëm për interesat amerikane.

“Takimet në nivel presidencial mund të jenë të vlefshme për të sheshuar keqkuptimet dhe për të ndihmuar komunikimin larg kamerave dhe syve të publikut. Por ato mund të jenë shumë të rrezikshme nëse nuk koordinohen që më parë për të arritur në një mirëkuptim në një farë shkalle.” thotë Stevenson.

Çfarë tha Donlad Trump në fjalimin e tij në Vietnam

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në fjalimin e tij në  Vietnam të premten, tha për  Organizatën Botërore të Tregtisë, e cila përcakton ligjet globale të tregtisë dhe se “nuk mund të funksionojë siç duhet” nëse anëtarët nuk i respektojnë rregullat njësoj.

Ai gjithashtu foli edhe për zhbalancimin e tregtisë, duke thënë se SHBA kishin ulur barrierat e tregut dhe ka ulur tarifat, ndërkohë që vendet e tjera nuk kishin bërë të njëjtën gjë. “Këto praktika dëmtojnë shumë njerëz në vendin tonë”, tha ai, duke shtuar se tregtia e lirë kishte kushtuar miliona vende pune në Amerikë.

Por ai nuk e fajësoi vendet e traktatit të Azi-Paqësorit (APEC), por në vend të kësaj akuzoi administratën amerikane, të qeverisë së shkuar se nuk kishte vepruar më herët për të ndryshuar prirjen.

Ai tha se Amerika do të bënte marrëveshje dypalëshe me “çdo partner Indo-Paqësor këtu që bën tregti të ndershme dhe reciproke”, pra marrëveshja do të bëhej por vetëm “në bazë të respektit reciprok dhe përfitimit reciprok”.

Presidenti Trump gjatë fjalimit të tij, i është referuar në mënyrë të përsëritur rajonit si “Indo-Paqësor “, një term ky që përdoret për të përcaktuar pikëpamjen e re gjeopolitike të Amerikës për Azinë. Më herët Presidenti amerikan vizitoi Pekini, ku diskutoi mosbalancimin e madh tregtar të Amerikës me Kinën.