Saimir Kumbaro: “Revolta ime ndaj zhdukjes së gjurmëve të trashëgimisë kulturore”

Publikuar më 12. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Regjisori Saimir Kumbaro flet për dokumentarin “Një ciceron për historinë”. Ai i kërkon ministres Kumbaro, që katin e parë të godinës së Ministrisë së Kulturës, në ish-Kinostudio ta kthejë në muze. Ndërsa, u sugjeron regjisorëve të rinj, që mos të bëjnë gjithçka vet, por të thërrasin edhe “përvojën” 

Regjisori Saimir Kumbaro rrëfen se si shqiptarët po zhdukin dëshmitë e gjurmëve të tyre. Ai e konsideron padrejtësi të madhe zhdukjen e gjurmëve të trashëgimisë kulturore. Prandaj mendon, që ato pak gjëra me vlerë që kanë mbetur për filmin, të kenë vëmendjen e duhur pa qenë vonë. Për këtë regjisori ka realizuar dokumentarin “Një ciceron për historinë”. Në të, sjell fakte reale, se si është shndërruar ndër vite ish-kinostudioja “Shqipëria e re”, që nga dita e inaugurimit (10 korrik 1952), deri më ditët e sotme, ku as pllaka që dikur informonte vizitorët për historikun e godinës ku gjendeshin, sot nuk ekziston më. Dëshira e regjisorit është që kjo godinë, e cila para disa vitesh u projektua, për të qenë muze filmi, e përfundoi në një institucion (Ministri Kulture), për hatër të historisë, që mban mbi supe të mos i kthejë shpinën idesë fillestare, por katin e parë të godinës së ish-kinostudios të kthehet në muze.

Kumbaro i njohur jo vetëm për filmat e para viteve ’90, si “Koncert në vitin 1936”, “Gëzhoja e vjetër” etj., por edhe për filmat “Vdekja e kalit”, “Ne dhe Lenini” etj., realizuar pas viteve ’90, ndonëse dëshiron mos të heq dorë nga filmi ka zgjedhur që mos të konkurrojë më për financim projekti në QKK. Ai mendon se brezi i tij, konsiderohen demode, nga profanët që janë pjesë e bordeve këshillimore.

Zoti Kumbaro, riktheheni me dokumentarin “Një ciceron për historinë”… Një film, në të cilin nuk mungon informacioni për kinemanë botërore dhe atë shqiptare… Një pllakë, në të cilën ishte shënuar një datë, që ju nuk e gjeni më në vendin e saj… Si lindi ky dokumentar?

Dokumentari “Një ciceron për historinë” ka lindur rastësisht. Një ditë shkova në ish-Kinostudion “Shqipëria e re” dhe një ish-kolegu im më tha: “A e di se pllaka që ka qenë këtu, e kanë shkulur nga muri edhe e kanë hedhur, si rraqe?”. Bëhej fjalë për pllakën në të cilën shënohej dita e inaugurimit të ish-Kinostudios. “Pse”, e pyeta. “Mbase, si dëshmi e kohës së vjetër”, më tha. M’u duk absurde dhe më bëri përshtypje, që ne vet po zhdukim dëshminë tonë. Vet institucioni i ish-kinostudios është një dëshmi e një kohe të caktuar, që i mirë apo i keq, këtë duhet ta gjykojnë të tjetër. Për mua nuk ka qenë kohë e mirë, pavarësisht se kam pasur shumë mundësi, që të realizoj ëndrrat e mia. Edhe duke marrë spunto nga ky fakt, që ne po zhdukim gjurmët tona, mora përsipër të bëjë këtë film dokumentar. Nga ky fakt fillova këtë punë dhe së bashku me Roland Gjozën filmin e titulluam:“Një ciceron për historinë”. Shkruam skenarin dhe vendosëm të tregojmë se çfarë ka ndodhur me këtë institucion. Por, njëkohësisht shpreh edhe revoltën time ndaj një padrejtësie të madhe, ndaj zhdukjes së gjurmëve të trashëgimisë kulturore.

Sipas jush, përse ndodh kjo sjellje kundrejt trashëgimisë kulturore?

Këtu ka një kuptim anadollak, sepse secili që ngjitet në një karrige kujton se ai është Zeusi dhe çdo gjë sillet rreth tij. Këtu fillon historia për të. Unë kam qenë në vende të ndryshme të botës dhe kam parë shumë, prandaj mendoj se sikur vetëm pjesa e poshtme e ish-Kinostudios, me gjithë pllakën që ka qenë atje, me makinat që janë hedhur si rraqe etj., mund të restaurohen dhe të vendosen në oborrin e institucioni dhe të bëhet një muze shumë atraktiv.

Një projekt që nisi, por ndryshoi gjatë rrugës…

Fillimisht u dha një fond për t’u bërë muze, por pastaj u la në harresë, sepse secili që vjen në pushtet, në vend që të thithë idetë e njerëzve që kanë dhënë kontribut në trashëgiminë kulturore, i shumëzon me zero. Kjo gjë të ofendon. Ministrja që ne kemi është një gocë e përgatitur, por nuk merret me fenomenin, por me x-n dhe y-n. Nëse ne do të vazhdojmë që të unifikojmë idealet me individin ne nuk do të bëjmë hajër.

Në dokumentar nga historia e kinematografisë botërore, sillni në vëmendje xhirimet e para që janë bërë në vendin tonë…

Për ta bërë më interesant, por dhe për t’i thënë brezit të ri: A e dini se filmi i parë është “Mbërritja e trenit në stacion”, gjë që nuk e dinë, jap një informacion, për të mbërritur në vitin 1947 në fushën e Aviacionit (Laprakë) ku Enver Hoxha ka zbritur nga avioni dhe është xhiruar kronika e parë shqiptare. Më pas arrij në vitin 1951.

Në vitin që nisi ndërtimi i ish-Kinostudios…

Në 1 korrik të vitit 1951 nisi ndërtimi i ish-Kinostudios dhe përfundoi në 7 korrik të vitit 1952. Në datë 10 korrik u bë inaugurimi. Ato mure flasin shumë me arkitekturën që kanë. Ne kemi qenë për idenë që ta kthenim në muze, ndërsa drejtuesit e tanishëm do të kishin pak fantazi në katin e parë, ku rri vetëm një roje dhe ca janë zyra, që nuk i duhen askujt mund ta kthente në një muze, që të ruajë gjurmët e trashëgimisë sonë kulturore, por edhe injektojnë tek të rinjtë vëmendjen për kinemanë.

Për këtë ndalni dhe tek ish-kinematë, që tashmë përdoren vetëm, si objekte për të votuar…

Është e turpshme, që një institucion kulturor kthehet në qendër votimi. Kinema “28-Nëntori”, “Republika” “Dajti” janë prishur. Ka mbetur një sallë e vogël e kinema “Agimit”, ndërsa kinema “Ali demi” ajo në Laprak janë prishur. Kinemaja klasike në qendër të Strasburgut quhet “Odyssée” dhe ruan gjithçka të vjetër. Për këdo e vjetra është trashëgimi, ne po zhdukim traditën e këtij vendi. Nga njëra anë, ne nuk jemi ndonjë popull, që kemi ndonjë histori të shkruar apo të xhiruar në film, por edhe këtë që kemi e shkatërrojmë.

“Filmi sa herë jepet dëmtohet”

Ndërkohë që shiritat filmikë ruhen në Arkivin e Filmit. Tashmë, drejtoresha e re ka ndërmarrë një nismë, për t’i prezantuar këta filma herë pas here. A është kjo për ju një mënyrë, që njerëzit të mos i largohen filmit?

Që të jesh punonjëse e Arkivit të Filmit duhet të kesh status të veçantë. Nëse shfaq filmat në kinema (të cilët ne i kemi në një kopje), për pensionistët, që rrinë rreth e qark nëpër lagje, në këtë mënyrë filmat prishen. Për të bërë një kopje nga negativi i një filmi duhen 6 mijë euro.

Mendojnë se kinemaja atraktive kështu mund të bëhet. Për këtë nuk jam kundër, edhe ata që duan që të studiojnë realizmin socialist, duhet që t’i thonë ministres, që t’u japë katër kompjuterë me programimin e DVD-e edhe të ulet të shikojë filmin e të studiojë; dekoret, dialogët, skenarin, regjisuren etj. Filmi sa herë jepet dëmtohet. Mirëpo këta nuk e marrin në konsideratë fare atë që quhet përvojë. Unë kam 45 vjet regjisor, Muharrem Fezo ka 50 e ca vjet regjisor, Piro Milkani 50 e ca vjet regjisor, Kristaq Dhamo më shumë se gjysmë shekulli regjisor etj. Përvoja është thesar i çmuar edhe sot ku të gjesh njerëz, që t’i thërrasësh për t’u marrë mendimin. Mirëpo të rinjtë mendojnë se i dinë vetë të gjitha, vet skenaristë, vet producentë, vet regjisorë etj. Nuk e di, por më vjen në mendje një shprehje që thotë: “Kush i bën të gjitha, nuk bën asgjë”. Kështu shkatërrohet gjithçka!

“Kinemaja s’është vetëm dëshmi, por është edhe ambasador”

Në film sillni edhe pamje, që kanë në fokus ngjarje politike…

Unë kam shumë materiale, që i kam xhiruar vet, sepse kam pasur një kamerë, që e kam përdorur  shpesh. Shumë prej këtyre materialeve nuk i kam shfrytëzuar, por mendoj se historia duhet vlerësuar dhe nëpërmjet një vepre artistike mundet të servilet shumë më bukur. Kinemaja jo vetëm që është dëshmi, libër i shkruar në pelikulë, por është edhe ambasador, që mund ta mbash me vete në një CD, kudo që shkon.

A i keni parë filmat shqiptarë që janë realizuar së fundmi?

Është mirë kur prodhohet një film i mirë, sepse rritet interesi i publikut për kinemanë. Unë kam dhënë një kontribut për t’u realizuar filmi “Dita zë fill” i Gentian Koçit. Por, sot shumë pak filma përcjellin emocion. Është e vështirë që të bësh një film të bukur, tek ne të rinjtë nuk kanë hapësira.

Nëse buxhetet do të vazhdojnë të jenë kaq sa janë, ne nuk do të kemi mundësi të bëjmë filma. Artistët e rinj kanë buxhet shumë të vogël, prandaj duke mos pasur mundësi për të marrë aktorë të kategorisë së parë, do të marrin aktorë të kategorisë së tretë, të katërt, edhe kështu filmi nis e çeton. Unë u rekomandoj regjisorëve, që mos t’i marrin përsipër për t’i bërë të gjitha, sepse ata po fillojnë që të bëhen të gjithë skenaristë. Kinematografi do të thotë që të ndërtosh me lëvizje. Jashtë vendit skenaristët bëjnë shkollë. Këtu regjisorët nuk e njohin gjuhën e filmit, por bëjnë edhe gabime; skenarë të dobët, muzikë të vjedhur edhe aktorë mediokër. Filmi ka disa komponentë brenda, që je i detyruar t’i respektosh.

Në këto 27 vite, cili është ai film, që ju ka lënë mbresa?

Nga filmat, që janë realizuar gjatë viteve të demokracisë mua më kanë rënë në sy filmat e Gjergj Xhuvanit. Emra të tjerë kineastësh e kam të vështirë që të përmend.

Ndodh që edhe ata pak filma shqiptarë, që prodhohen, nuk kanë audiencë. Çfarë mendoni se duhet bërë më tepër për filmin?

Edukimi për filmin duhet që të fillojë që në shkollë, në mënyrë që fëmijëve të vegjël t’u injektohet se si mund ta përdorin celularin jo për të luajtur, por për të xhiruar një film. Për këtë duhet një ekip; një regjisor, një kameraman, që të shkojnë në çdo shkollë dhe t’i injektojnë brezit që  rritet dashurinë për kinemanë. Nëse nuk fillon edukimi shoqëror e ardhmja e brezave që do të vijnë do të jetë e vështirë.

Filmat shqiptarë, që janë realizuar në periudhën e komunizmit vazhdojnë ende të shihen në familjet tona. Por, duke lënë mënjanë propagandën për të cilën u detyronit që ta bënit, sa i mbështet QKK këta (ju) regjisorë, që kanë ditur të bëjnë art…

Në kohën tonë ne ishim në shërbim të propagandës, të gjithë filmat e asaj kohe ishin kryekëput propagandë e gjallë. Megjithatë, mendoj se nuk mjafton të jesh romancier i mirë, por duhet të dish të shkruash një skenar të mirë. Politika që bën sot Qendra e Filmit duhet të jetë më largpamëse dhe dashamirëse ndaj të vjetërve, sepse përvoja është thesar. Një shprehje thotë se: “Një mik i vjetër, vlen sa tre të rinj”. Unë do të thosha se një regjisor me përvojë, vlen sa tre të rinj.

Emrat, që përmenda, si Piro Milkani, Kristaq Dhamo etj., nuk duhet që të anashkalohen lehtazi. Nuk mbaj mend një herë, që Qendra e Kinematografisë t’i ketë bërë ftesë një regjisori për në Festivalin e Kanës, por ftojnë vetëm ca të rinj, shokë të njëri-tjetrit. Është një indiferencë, që mua nuk më bën të mos kem dëshirë të shkoj në QKK. Përpos kësaj afrojnë dhe elementë amatoreskë, elementë të panjohur fare. Nuk e di se çfarë politike ndiqet. Duket sikur dëshira për të harruar është e madhe… Marrin në krye njerëz, të cilët nuk kanë asnjë ide, kështu duket sikur çdo gjë është për fundosje.

“Ne na quajnë brez demode, ata që gjykojnë filmin janë profanë”

Për herë të fundit Festivali i Filmit Shqiptar është realizuar në vitin 2012, nuk mendoni se duhet rikthyer?

Kush do ta bëjë, kur të gjithë mendojnë për të bërë ndonjë lekë! Sot nuk të pyesin më: “A ke bërë ndonjë gjë të bukur?”. Por të pyesin: “A ke kapur ndonjë lek?”.

Sipas jush, çfarë mund të bëhet për të ndryshuar këtë gjendje? Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaros, çfarë do t’i sugjeronit?

Do t’i sugjeroja që ta fillonte nga kati i parë i ndërtesës (MK në ish-kinostudio), që ka marrë dhe ta kthejë në muze. Të marrë të gjithë trashëgiminë kulturore; dhjetëra makina që ruhen ende, t’i restaurojë dhe nëse nuk i vendosë te parku përreth t’i vendosë te sheshi. Të huajt mund të çuditen me origjinalitetin e trashëgimisë sonë kulturore.

Aktualisht me çfarë po merreni?

Për momentin me asgjë. Po mendoj për një film dokumentar, sepse kam shumë materiale në arkiv, por po pres dhe datën 27 janar, që të xhiroj. Unë dua të filmojë edhe ta kem, si pjesë të historisë atë që do të ndodhë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që dikur quhej bulevardi “Stalin”. Qysh nga ndërtimi i tij edhe deri në ditët e sotme nëse do të kishte gojë do të fliste për të gjitha ngjarjet, që kanë kaluar. Kështu ndërtohet filmi, që unë të tregoj një histori. Të gjithë pushtetet, që kanë ardhur këtu kanë lënë gjurmë në arkitekturë. Shekspiri ka thënë, se e gjithë bota aktron në atë që quhet skenë. Ne lëvrojmë këtu në skenën tonë, që është Tirana jonë. Nëse do të gjej fonde do të punoj një dokumentar.

Nga filmi i gjatë keni hequr dorë, nuk do të aplikoni më në QKK?

Jo, nuk aplikoj më, sepse është shumë e vështirë dhe se ne na quajnë brez demode. Ata që gjykojnë filmin janë profanë, që nuk kanë bërë asnjë gjë në jetën e vet. Këtu zgjidhën gabim edhe këshillat drejtues apo bordet, të cilët zgjedhin dhe votojnë njëri-tjetrin. Jam pesimistë për këtë, shumë i dëshpëruar.

E nëse këto ju bëjnë pesimistë, çfarë ju bën optimist?

Unë udhëtoj shumë, sepse më duket sikur të qëndruarit në një vend po më plak. Mua më vjen shumë keq që nuk jam aktiv, sepse papunësia po më plak. Por, një film nuk bëhet vetëm, sepse është një punë në ekip. Edhe pse njeriu duhet të punojë deri në fund të jetës, ne e kryem detyrën tonë. Një shprehje e një burri të mençëm thotë, se: “Ne nuk jemi të varfër, por jemi të paditur”. Sot brezi i ri, që rritet me disa gjuhë të huaja, është shumë sipërfaqësor.