Sadiku: Të më ulësh mua në stol është si të lësh një Ferrari në garazh

Publikuar më 03. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Klevis Deda

Bomberi i kombëtares shqiptare ka filluar një sfidë të re me Levanten e La Liga-s ku bën pjesë Reali dhe Barcelona. Profili i bomberit nga Cërriku që mban mbi super edhe shpresat e kombëtares shqiptare

Sulmuesi i kombëtares, Armando Sadiku është një nga lojtarët shqiptarë më në formë të momentit. Karakteristikat e tij si lojtar u dalluan që kur ai luante në kampionatin shqiptar të futbollit me skuadra amatore. Karrierën e tij ai e nisi në vendlindje në Cërrik me ekipin e grupmoshave kur ishte 17 vjeç. Kalimi te skuadra e parë e Cërrikut i dha atij një vetë besim të madh pasi në 40 ndeshje shënoi 10 gola edhe pse ishte vetëm 18 vjeç. Pas një viti ai u transferua te skuadra e Gramozit të Ersekës ku luajti vetëm për një sezon dhe shënoi vetëm 8 gola. Shpejtësi ishte arma që e karakterizonte sulmuesin elbasanas i cili më pas kaloi te skuadra e Elbasanit ku qëndroi vetëm një sezon. Rënia e skuadrës një kategori më poshtë ishte arsyeja kryesore që solli largimin e Sadikut. 5 gola në 14 ndeshje me këtë skuadër janë statistikat e bomberit shqiptar. Hapi i madh në karrierë për të erdhi pas largimit nga skuadra e Elbasanit ku u transferua jashtë kampionatit shqiptar, respektivisht në ekipin zviceran Locarno.

Ai u konsiderua në atë kohë si një lojtar me potencial që pritej të shpërthej nga ndeshja në ndeshje. Goli i tij i parë erdhi në ndeshjen e tretë me klubin. Paraqitjet e mira të sulmuesit u pasuan edhe në ndeshjes e kupës ku ai la shenjën e tij. Në 39 ndeshje me Locarnën, Sadiku tundi rrjetën plot 28 herë. Ashtu si në  eksperiencat e mëparshme, ai u largua nga Locarna pas vetëm një sezoni ku arriti të shpallej golashënuesi më i mirë. Lugano ishte destinacioni i radhës për sulmuesin elbasanas ku arriti të shpallej golashënues në sezonin 2012-2013 duke u ngjitur në kuotën e 24 golave në 43 ndeshje. Karriera e sulmuesit erdhi në rritje dhe ai kërkoi një tjetër sfidë interesante për karrierën e tij. Zyrih ishte skuadra që e impresionoi më tepër sulmuesin shqiptar i cili nuk arriti pritshmëritë pasi shënoi vetëm 15 gola në tre vite në Zyrih. Pas eksperiencës së dështuar me Zyrih, Sadiku pati një rënie drastike pasi kaloi me huazim te skuadra e Vaduz për një sezon dhe më pas u rikthye te Lugano.

Verën e kaluar Sadiku nënshkroi me skuadrën më të madhe polake, Legian e Varshavës. 750 mijë euro paguan polakët për të siguruar shërbimet e tij nga Zyrih. Ai premtoi se do të shënonte 20 gola me këtë skuadër, por që nuk arriti të mbushte premtimin e dhënë dhe drejtuesit e klubit e shitën në merkaton e janarit te skuadra spanjolle e Levantes për një milion euro. Me largimin nga Polonia, ai ironizoi me drejtuesit e ish-skuadrës së tij duke thënë që nuk i dhanë hapësira aq sa duhej. “U zhgënjeva që nuk pata më shumë shanse. Të më ulësh mua në stol është si të lësh një Ferrari në garazh. Nuk arrita objektivin tim për sa i përket numrit të golave, por si mund ta bëja kur nuk luaja. Gjithsesi, nuk i vë faj vetes, pasi bëra gjithçka munda dhe punoja mirë në stërvitje”, tha Sadiku. Ndërkohë që për kalimin te Levante, ai u shpreh shumë i lumtur për këtë zgjedhje edhe pse i duhet të luftojë për mbijetesë. “Jam një sulmues zone, ky është pozicioni ku ndihem më mirë. Jam gati të luaj. Ndihem mirë psikologjikisht dhe nëse trajneri më beson, unë jam plotësisht gati për të dhënë më të mirën”, tha Sadiku.