Sadiku dhe Hysaj njëzëri: Fitojmë ndaj Turqisë

Publikuar më 12. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Klevis Deda

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit do të zhvillojë ndeshjen miqësore ndaj Turqisë ditën e hënë në orën 18:30, një rast mjaft i mirë për të eksperimentuar. Në konferencën e djeshme për shtyp kanë dalë sulmuesi Armando Sadiku dhe mbrojtësi Elseid Hysaj. Bomberi nga Elbasani shprehet se pavarësisht se është një ndeshje miqësore, motivimi do të jetë i njëjti për të fituar.“Kjo është një miqësore. Do ta vlerësojmë maksimalisht, por e rëndësishme është të shohim ku jemi dhe sa jemi rritur. Kjo miqësore është perfekte për secilin prej nesh. T’i japim sinjale pozitive trajnerit. Shpresojmë ta mbyllim me sukses këtë vit me sukses dhe rezultat pozitiv. Nuk duhet të shohim problemet e Turqisë”, shprehet Sadiku. Ai thekson se situata në grup është shumë e mirë dhe për teknikun Panuçi ka vetëm fjalë të mira. “Mbyllim vitin futbollistik. Kemi pasur më shumë kohë që të qëndrojmë së bashku, të forcojmë grupin tonë dhe për ti dhënë mirë seardhjen lojtarëve të rinj. E vlerësojmë ndeshjen përballë një kundërshtari si Turqia.

Është një trajner shumë serioz, që i shikon gjërat në detaje dhe bën stërvitje profesionale. Mendoj që trajneri ka futur një frymë të re në ekip. Këto ditë kanë shërbyer edhe për trajnerin, sepse ka pasur më shumë ditë që të na njohë, të bëjmë stërvitje. Ky grumbullim ishte pozitiv”, tha Armando Sadiku. Ai është ngjitur në kuotën e 9 golave me kuqezinjtëduke qenë në rrugë të mbarë për të kaluar golashënuesin më të mirë me 18 gola Erjon Bogdani.“Deri më tani kam shënuar 9 gola në Kombëtare. Gjithmonë kur vesh këtë fanellë më bëhet mishi me kokrra. Kur këndohet himni, kur futem në fushë dhe kur vesh këtë fanellë për mua nuk ka lodhje. Mundohem të bëj disa gjëra që ndoshta me klubin nuk i bëj, për të dhënë 100 për qind për vendin tim. Do të mundohem në çdo ndeshje të shënoj. Respekt për Bushin dhe Bogdanin që kanë shënuar shumë gola. Unë do të jap maksimumin, nëse do t’i arrij apo jo si golashënues kjo do të shihet në të ardhmen”, përfundon Bogdani. I motivuar në konferencë u shfaq edhe mbrojtësi 23 vjeçar Elseid Hysaj. Ai beson se ekipi do të zhvillojë një ndeshje të mirë për shkak se ka pasur kohën e duhur për tu përgatitur.

“Besoj që do jetë një ndeshje e bukur, e dimë që do të luajmë ndaj një kundërshtari shumë të vështirë, megjithatë kemi pasur kohën e nevojshme për ta përgatitur në mënyrën më të mirë këtë sfidë. Gjatë kësaj periudhe ne futbollistët jemi njohur më mirë me njëri-tjetrin por edhe me trajnerin.Do të jetë një ndeshje kontrolli, për të kuptuar se ku kemi arritur dhe në çfarë forme jemi. Turqia është një skuadër shumë e fortë ka lojtarë të nivelit të lartë që luajnë në klube shumë të mira. Ky do të jetë një test impenjativ për ne që do të bëjë të kuptojmë se cili është potenciali ynë i vërtetë. Nëse fitojmë do të merrnim shumë vetëbesim për të ardhmen. Grupi është fantastik, edhe lojtarët e rinj që kanë ardhur janë përshtatur menjëherë dhe mendoj që do të na japin një dorë për të arritur rezultate sa më pozitive”,shprehet Hysaj. Fakti se kombëtarja u pozicionua e tretë në eliminatoret e Botërorit ka të bëjë me grupin e vështirë sipas Hysajt.“Ishim në një grup me Spanjën dhe Italinë dhe nuk duhet të anashkalojmë kurrë këtë fakt. Për ne eliminatoret e Botërorit ishin shumë të vështira. Vendi i tretë ishte pozitiv për ne, megjithatë duhet të shohim se ku kemi gabuar, për të sistemuar ato gabime në mënyrë që të përgatitemi sa më mirë për eliminatoret e Europianit të ardhshëm”, përfundon Elseid Hysaj.