Sabjen Lilaj: Jemi në rrugën e titullit

Publikuar më 04. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Tonin Frroku

Mesfushori i Skënderbeut, Sabien Lilaj qëndron me këmbë në tokë pas fitores ndaj Kukësit pasi thekson se kampionati nuk ka përfunduar. Në lidhje me takim e radhës në Europë, ai kërkon vetëm fitoren edhe pse shanset për kualifikim janë shuar.

Sabjen, 2-1 ndaj Kukësit, dhe 8 pikë nga vend i dytë. Është fundi i kampionatit?

Padyshim që fitorja dhe thellimi i diferencës në renditje na kënaq dhe është ajo që duhet në këto momente. Vinim nga tre barazime radhazi në kampionat dhe fitorja ishte objektivi jonë i vetëm në këtë takim, qoftë për ecurinë qoftë se luanim në fushën tonë. E përgatitëm mirë ndeshjen dhe kishim dëshirën për të marrë maksimumin. Tani që i’a dolëm jemi të gjithë të kënaqur.

 Ishte e vështirë përballë Kukësit?

Sigurisht që ishte e vështirë pasi luanim kundër një ekipi që kishte ardhur këtu me objektiva të qartë dhe kërkonte të afrohej në renditje. Por them se bëmë mirë në pjesën më të madhe të takimit dhe pavarësisht mungesave shfrytëzuam mirë rastet e duhura dhe arritëm të marrim tri pikët. Mbetet një fitore që ka një vlerë të dyfishtë qoftë personalisht qoftë si grup.

Kur thoni vlerë të dyfishtë i referoheni sezonit të kaluar?

 Sigurisht pasi në mendjen tonë sado që përpiqemi të mos mendojmë për atë takim ende kthehen ato kujtime. Por arritëm të fitojmë këtë takim dhe treguam se kush është ekipi më i fortë i kampionatit. Kjo na bën shumë të lumtur.

Kukësin e keni mundur dy herë në dy faza. Një avantazh më shumë?

Sigurisht që po, keni të drejtë, është një avantazh më shumë. Kjo për vetë faktin se nëse një ekip fiton në vazhdimësi është një plus i madh. Nëse mund në ndeshje direkte rivalët për titull është një bonus i shtuar. Ne kemi dy fitore me ta dhe kjo është pozitive. 8 pikë më shumë janë diferencë komode.

Skënderbeu është arratisur?

Jo nuk mund të flasim për titullin që në këtë moment. Dihet që diferenca është e mirë për ne pasi na bën që të jemi më të qetë. Por është ende herët për të parë arratinë. Duhet të luajmë ndeshjet një e nga një dhe më pas të bëjmë llogaritë në fund të fazës së dytë.

Pavarësisht ngarkesës së madhe vijoni të jeni në formë…

Tashmë ngarkesa nuk është se ndihet shumë. Sigurisht nuk është e lehtë të luash ndeshje çdo tre ditë pasi do një përgatitje shumë më të madhe. Por ne kemi punuar shumë që në qershor dhe jemi mësuar tashmë me këtë ritëm. Tani Europës po i vjen fundi dhe duket se do të kemi më shumë ditë për të përgatitur ndeshjet e radhës në kampionat pasi ky është objektivi jonë kryesor. Tani mendja tek Jang Bojs.

Çfarë duhet të presim nga ky takim?

Sigurisht ne shohim gjithmonë ndeshjen e radhës. Do të jetë një ndeshje e fortë siç janë të gjitha në Europë dhe kjo nuk bën përjashtim.