“Sabat Mater”, sot testohet akustika e ArtTurbinës

U prezantua ditën e djeshme kalendari artistik i TKOB për këtë sezon. Konferenca u shoqërua me diskutim rreth akustikës së ArtTurbinës, Kamenica justifikon situatën.  Përpos dy premierave në balet premtohet se operat do të rivihen në një tjetër formë

Anila Dedaj

Ditën e djeshme prezantimi i kalendarit artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për tremujorin shtator-dhjetor u shoqërua edhe me diskutime përsa i përket akustikës në godinën e Turbinës. Drejtoresha e këtij institucioni Zana Çela bëri me dije se nga 141 aktivitete gjatë këtij sezoni premiera do të jenë 9.  Pas 2 shfaqjeve premierë të sezonit të kaluar, operat në këtë tremujor do të vinë si rivënie.  Risia, sipas Çelës, do të qëndrojë tek artistët e rinj të cilët do të vijnë në Shqipëri edhe në prag të implementimit të Protokollit të Bashkëpunimit me vende si Beogradi dhe Shkupi. Opera “Karmen, “Traviata” dhe “Lakuriqi i natës” janë disa nga veprat që priten të rivendosen në skenë. Ndërkohë që premierat në operë mungojnë, vëmendje pritet t’i kushtohet baletit me 2 premiera dhe shfaqje të tjera. Do të rivihet në skenë në nder të koreografit Agron Alia edhe vepra “Zhizel”. Koncerte gala si ai kushtuar krijimtarisë së Agim Krajkës, apo shfaqje-koncert në nderim të 150 vjetorit të vdekjes së Rosinit pritet të pasurojnë kalendarin artistik për këtë sezon. Drejtoresha  e TKOB gjatë konferencës foli gjithashtu për vëmendjen që do t’i kushtohet edukimit të të rinjve duke realizuar koncerte me koret e shkollave.  Ajo u shpreh se ky sezon do të ketë artistë të nivelit të lartë të cilët do të kthehen për të interpretuar në skenën e tyre. “Ardhjen e talenteve të reja në teatrin tonë e kemi stimuluar tërë kohës”.

Ndërkohë që vepra korale që do të prezantohet sot në orën 19.00, do të testojë edhe akustikën e shumëpërfolur të Turbinës. Çela shprehet se shfaqja “Sabat Mater”  është një himn i mrekullueshëm për shpresën pas një humbje edhe një dhimbje të madhe, autori i veprës fton të gjithë universin që të shpresojnë jo vetëm për një jetë, por për gjithçka të bukur që e pret njerëzimin në vazhdimësi. Ndërkohë që gjatë vënies në skenë të “Amor Brujo” publiku në radhët e fundit kishte vështirësi për të dëgjuar në sallën e Turbinës, ajo që e justifikoi ndodhinë ishte mexosopranoja Vikena Kamenica, njëkohësisht edhe protagoniste në shfaqjen në fjalë që erdhi si bashkëpunim me ORA-n (Orkestra e Mbretërisë së Aragonit). Sipas Kamenicës vepra spanjolle që u vu në skenë ishte një vepër specifike. “Vepra këndohej shumë poshtë, recitohej në patosin dhe dramacitetin e vet. Normalisht që akustika edhe të ishte në TKOB me parametrat maksimale, prapë ajo do të krijonte një lloj vështirësie të formës sesi u trajtua dhe se si u realizua”. Kamenica gjatë konferencës ditën e djeshme mori përsipër të premtojë se gjatë vënies në skenë të “Sabat Mater” do të ndodhë ndryshe. “Do jetë kori, do të vihet në një formë të impostuar, pra do të jetë diçka tjetër”.

E megjithatë, mexosopranoja shprehet se balancat e para të akustikës do t’i realizonin gjatë mbrëmjes (së ditës së djeshme). “Do ta provojmë për herë të parë sot(dje) bashkë me korin, me solistët dhe me pianon. Sot do të shikohen tamam se deri ku shkojnë parametrat.” Ndërkohë që u premtua se akustika për TKOB do të jetë në parametrat maksimale, Kamenica shtoi lidhur me Turbinën se : “Diskutime për akustikën në fakt  ka në shumë teatro në botë dhe janë me kokrra ato teatro, ku akustika është maksimale”. Normalisht në një situatë të tillë, nëse problemet me akustikën e teatrit të ri janë reale, atëherë natyrshëm lind pyetja: Nëse në TKOB akustika po bëhet në parametrat maksimale, çfarë nuk shkoi mirë për Turbinën? Gjatë prezantimit të kalendarit artistik për TKOB u fol gjithashtu për ecurinë e rikonstruktimit të këtij institucioni. Që media të shikojë nga afër zhvillimin e punimeve, pavarësisht gatishmërisë së drejtoreshës së institucionit, duhet të presë konfirmimin e ministres së Kulturës. Çela u shpreh se janë duke i ndjekur nga afër ecurinë e punimeve. “Ne ishim dje bashkë me një pjesë të spalave të orkestrës sepse në ato momente specialistët e po merreshin me gropën e orkestrës dhe do të donin mendimin tonë sa i përket disa detajeve që kishin lidhur me akustikën. Kemi punuar dje dhe një ekip ka qenë edhe sot”.

“Sabat Mater” në ArtTurbina

E ftuara speciale në këtë shfaqje është dirigjentja Arlinda Majollari, e cila jeton dhe punon jashtë vendit.  Ajo shprehu kënaqësinë për këtë bashkëpunim me TKOB si dhe foli për angazhimin e madh që kanë bërë së bashku me korin dhe solistët. “Kjo vepër që po bëjmë është shumë e vështirë për solistët edhe për korin, 1 orë e 30 min vepër edhe kërkon impenjimin e çdo pjesëtari. Është një vepër që është shumë e bukur edhe nga muzika edhe nga mesazhi që ai kalon. Edhe pse Dbrovak kishte humbur tre fëmijë, ne nuk ndiejmë në asnjë moment pathos, por shpresë”, u shpreh ajo.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet