Rumani-Shqipëri/ Dora D’Istria, të përbashkëtat gjuhësore dhe vizitat e munguara të zyrtarëve

Një konferencë-ekspozitë në kuadër të marrëdhënieve historike dhe kulturore Shqiptaro-Rumune. Historiania Eva Hyskaj rrëfen për “Shekulli”-n, Dora D’Istrian një nga figurat kyçe që lidh dy vendet. Paskal Milo ka një mesazh të fortë për rregullimin e raporteve mes dy vendeve

Anila Dedaj

“Kur shoqëritë janë të ndërlidhura kulturalisht midis tyre, mundësitë që bota të emancipohet janë më të mëdha”. Është ky mesazhi i shkrimtares rumune Elena Gjika (Dora d’Istria), të cilën historiania Eva Hyskaj, e solli dje në kuadër të konferencës shkencore  “Tiranë – Bukuresht: Historia e zhvillimit social dhe kulturor e dy kryeqyteteve”.  Gjatë këtij takimi studiuesja Mimoza Karagjozi Kore foli edhe për ngjashmëritë gjuhësore mes dy vendeve, dhe gjurmëve të hershme te trakishtes tek ilirishtja. Ndërsa, historiani Paskal Milo ndali tek marrëdhëniet aktuale Shqipëri-Rumani, në kuadrin e partneritetit Euro – parlamentar. Konferenca e mbajtur në Muzeun Historik Kombëtar u shoqërua gjithashtu nga një ekspozitë, në të cilën vizitorët patën mundësi të njiheshin nga afër me objekte libra e gazeta, mes të cilave edhe Kallamarin e përdorur nga Asdreni dhe Flamurin e Kolonisë Shqiptare në Rumani, përdorur gjatë viteve 1938-1953.

Zonja Hyskaj,  në kuadër  të konferencës “Tiranë – Bukuresht: Historia e zhvillimit social dhe kulturor të dy kryeqyteteve”, ju zgjodhët të ndaleshit tek figura e princeshës shqiptare Elena Gjika, ose siç njihet Dora D’Istria. Mund të na thoni diçka më shumë rreth emrit me të cilin ajo u bë e njohur, si shkrimtare dhe si i lidh kjo figurë dy vendet Rumani-Shqipëri?

Asokohe ky ndryshim i emrave apo shpesh edhe i origjinës ndodhte edhe për shkak të martesave të shumta. Por ashtu siç shpjegon edhe Elena Gjika në librat e saj, qysh në shekullin e XVI-të hasen marrëdhënie të ngushta midis dy vendeve. Më saktë, duke nisur që nga Albert Gjika I (1656-1659), e deri tek Aleksandër Gjika II  (1834-1848) principatat e Vllahisë dhe të Moldavisë sundohen nga princër shqiptarë, konkretisht nga familja Gjika.

Vetë Elena Gjika, e konsideruar si një nga femrat më të famshme të shekullit të XIX-të, mendoj se bën një zgjedhje të tillë të emrit, Dora D’Istria, edhe për shkak të afrisë që ajo kishte me arbëreshët e Italisë. Kujtoj këtu korrespodencën e vazhdueshme që ajo kishte me personalitete arbëreshe, si Jeronim de Rada, Zef Serembe, Thimi Mitko etj. E gjitha kjo, në kuadër të emancipimit të kombit dhe në kuadër të bashkëpunimit të të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë territorit shqiptar.

Në 1849-ën Elena Gjika martohet me dukën rus Aleksandër Kolstov-Massalski. Edhe pse bashkëshorti i saj shfaq pikëpamje nacionaliste, ajo duket se qëndron larg nga të tilla ideologji, apo prej fanatizmit ortodoks të oborrit. Ndërkaq që vijon të mbajë lidhjet e forta, përpos Shqipërisë me Francën dhe Italinë. Nga se nxitej një zgjedhje e tillë e saj sipas jush?

Ashtu siç ajo shpjegon edhe te vepra e saj  “Shqiptarët në Rumani në shek. XVII-XIX”, nga të gjitha bashkëpunimet, lidhjet më të ngushta vendi i pati me Francën dhe Italinë. Tek Italia, sepse rumunët ishin shumë të pasionuar pas historisë së Romës antike dhe në të gjenin elemente të përbashkëta me kulturën e krahinave të caktuara si për shembull Dacia (provincë romane). Ndërsa, lidhjet me Francën lindin edhe për faktin se pas konflikteve ruso-turke, dhe më pas ruso-franceze, oficerët rumunë si dhe ata rusë patën sjellë elementë të kësaj kulture.

Siç ndodhte shpesh lëvizjet e njerëzve, kishin sjellë elemente të kulturës franceze, të cilat kanë ndikuar shumë në principatat e Vllahisë dhe të Moldavisë, deri në krijimin e shtetit rumun. Për këto arsye kemi të bëjmë me këtë qasje të Elena Gjikës me Italinë dhe Francën.

Ndërkaq lidhjet mes dy vendeve, ruheshin të forta edhe për shkak të pranisë së komunitetit shqiptar në Rumani. Ç’mund të na thoni për bashkëpunimet më me rëndësi?

Lidhjet mes dy vendeve kanë qenë mjaft të ngushta, madje vështirë të flasësh për shkëputje deri në 1848-ën. Madje mund të them edhe se Bukureshti bëhet iniciator i hartimit të tekstit të Himnit Kombëtar nga Asdreni, për t’u kompozuar nga kompozitorë rumunë. Përpos kësaj mund të përmend faktin se për krijimin e Qeverisë së Vlorës shuma e parë e parave jepet pikërisht nga komuniteti shqiptar në Rumani. Pra gjatë historisë është shumë e kollajtë të gjesh ura bashkëpunimi mes Shqipërisë e Rumanisë.

Përsa i përket elementëve që bashkojnë dy vendet qëndron gjithashtu ajo që profesoreshë Mimoza (Mimoza Karagjozi Kore) ceku më herët, për ngjashmëritë gjuhësore. Pra nëse deri tani këto fjalë të ngjashme, mendoheshin se vinin si pasojë e ndikimit sllav, tani studiuesit qartësojnë se vetë ilirishtja ka gjurmë trake (trakishte, gjuhë e vjetër indoevropiane).

EMANCIPIMI

Nëse kthehemi te figura e Elena Gjikës, siç ju e cekët më parë, ka qenë një nga femrat më me ndikim të shek. XIX. Cilën nga veprat e saj do të veçonit për nga impakti?

Përpos librit “Shqiptarët në Rumani në shek. XVII-XIX” të sjellë në shqip nga Viktor Kadeli, për mua me ndikim të madh ka qenë “Gratë e Orientit” e botuar në Paris në 1860-ën. Është një vepër, ku flitet për nevojën për emancipim të gruas. Elena ndërkaq ka shkruar edhe kujtimet e saj, veçanërisht kur për shkak të shëndetit që nuk i priu pas martesës, zhvendoset në Evropën Qendrore, e më pas në Firence ku edhe ndahet nga jeta. Në këto kujtime, lajtmotivi i saj bëhet kultura. Ajo thotë se sa më të kulturuar të jenë njerëzit, sidomos gratë, aq më përpara do të mund të ecë shoqëria. Po ashtu, Elena theksonte se kur shoqëritë janë të ndërlidhura kulturalisht midis tyre, mundësitë që bota të emancipohet janë më të mëdha.

Paskal Milo: Ka kohë që pritet një vizitë e kryeministres rumune në Tiranë

Gjatë konferencës shkencore  “Tiranë – Bukuresht: Historia e zhvillimit social dhe kulturor të dy kryeqyteteve”, historiani Paskal Milo evidentoi në krye të fjalës së tij kontributin e paçmuar të rumunëve, për t’i ndihmuar shqiptarët gjatë luftës. “Asnjë komb e vend tjetër  në rajon nuk e ka dhënë këtë kontribut për të mos thënë, që qarqe të caktuara nacionale të shteteve fqinjë kanë bërë edhe të kundërtën. Është pikërisht kjo frymë e miqësisë që vjen nga e shkuara që u dha marrëdhënieve shqiptare-rumune dimensione dhe përmbajtje të re pasi dy vendet dolën nga epokat e diktaturave komuniste, nga më të egrat që janë njohur në Evropën Lindore”. Historiani theksoi se kjo cilësi e re marrëdhëniesh u fiksua edhe në Traktatin e Mirëkuptimit dhe të Fqinjësisë së mirë, që u nënshkrua 25 vjet më parë në Bukuresht. Një traktat, që siç Milo tregon, u pasua edhe me marrëveshje në fusha të tjera. “I solli marrëdhëniet midis dy vendeve sot në një nivel, që mund të konsiderohen nga më të mirat në rajonin tonë dhe më gjerë. Por siç thotë një fjalë e urtë. E mira nuk ka fund, ndaj kërkohet që sot e në të ardhmen të bëhet më tepër që marrëdhëniet të marrin përmbajtje e cilësi të re”.

Milo shtoi se edhe pse qeveritë e dy vendeve në shumë raste kanë shprehur vullnetin e përbashkët për të zhvilluar këto marrëdhënie, ka ardhur koha që kjo të materializohet edhe me hapa e veprime konkrete. “Në fakt, këto vitet e fundit, ka një trend të ngecjes përsa u përket shkëmbimeve politike të nivelit të lartë. Sigurisht arsyet që jepen në rrafsh diplomatik janë ato të vetë proceseve të brendshme, të zhvillimeve të brendshme dhe proceseve elektorale. Dhe natyrisht që vështirësi mund të ketë herë pas here, siç ka në fakt në dy vendet tona. Janë vështirësi që vijnë nga vetë lufta politike që zhvillohet herë pas here, përtej kufijve normal të politikës ballkanike, por që shpeshherë  këto përcaktohen edhe nga vetë proceset që nganjëherë dalin jashtë kontrollit edhe për një numër arsyesh të ndryshme. Por qeveritë prandaj janë qeveri, ato duhet të luftojnë jo vetëm skoriet burokratike që përpiqen t’i frenojnë marrëdhëniet, por duhet të heqin dorë nga dilemat dhe trysnitë e orientimeve pragmatiste që shpeshherë i detyrojnë të lënë mënjanë një nivel marrëdhëniesh politike në një vend të caktuar dhe të përqendrohen më shumë në marrëdhëniet me një vend tjetër”, u shpreh historiani.

Milo tha se duhet të bëhen përpjekje nga të dyja vendet, për t’i dhënë një stad të ri zhvillimit të marrëdhënieve politike në një nivel të lartë. “Ka tashmë katër vjet që nga vizita e kryeministrit shqiptar në Bukuresht, ndërkohë që ka kohë që pritet një vizitë e kryeministres rumune në Tiranë. Sikurse ka kohë që është planifikuar, me aq sa jam unë i informuar një vizitë e Presidentit të Republikës dhe e Kryetarit të Kuvendit tonë në Bukuresht. Po ashtu Tirana ka qenë dhe mbetet në pritje të vizitave të tjera të nivelit të lartë, të Kryetarit të Senatit apo të Dhomës së Deputetëve të Rumanisë. Sigurisht që këto nivele marrëdhëniesh është mirë që të nxiten, është mirë që të planifikohen dhe të realizohen, sepse në fund të fundit janë ato që përcaktojnë intensitetin dhe thellësinë e marrëdhënieve”, u shpreh më tej historiani.

Milo gjatë fjalës së tij vlerësoi bashkëpunimin tregtar midis dy vendeve, duke nënvizuar se që prej ’92-shit shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë 3-fishuar. “Bashkëpunimi ekonomik ka tendencë që të zhvillohet më tej, po siç thashë është e nevojshme që burokracitë e dy vendeve të lëvizin më shpejt dhe të mund të nxisin shkëmbimet midis aktorëve të ndryshëm ekonomik, midis grupit të interesit të dy vendeve, bizneseve, të cilat kërkojnë një mbështetje nga autoritetet zyrtare, sepse pastaj rrugën e dinë dhe punën e bëjnë vet”. Po ashtu historiani foli për shtysën e bashkëpunimeve në fusha të tjera, të artit e kulturës, arsimit e shkencës etj. “Nëse dinamizojmë kontaktet midis qarqeve universitare dhe institucioneve shkencore të dy vendeve tona, falë një vullneti të mirë politik, do të mund të arrinim rezultate shumë të mira”.

Rumania, si presidente e Bashkimit Evropian

Sipas historianit, është një fat i mirë për Shqipërinë dhe vendet e rajonit perëndimor që një vend i Europës Juglindore, anëtar i Bashkimit Evropian kryeson këtë organizatë ndërkombëtare. “Edhe për faktin se një nga përparësitë në programin e presidencës rumune ka qenë dhe mbështetja e integrimit dhe hapja e negociatave me vendet e Ballkanit perëndimor. Shqiptarët e kanë përshëndetur këtë mbështetje që ka dhënë Rumania mike dhe besojmë se pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, që është një moment i rëndësishëm për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor e Shqipërinë, do të kemi mundësi që presidenca rumune, në qershor të mund të japi një mesazh të mirë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por sigurisht jemi në Tiranë dhe na intereson shumë vendimi i KE-së për Shqipërinë. Do të ishte shumë mirë që të kishim një mesazh pozitiv. Ne e presim, shqiptarët kanë punuar që ta meritojnë një mbështetje, le të urojmë që Rumania duke qenë një vend mik dhe fqinjë do të ketë mundësinë që presidenca e saj të kurorëzohet me sukses edhe në adresë të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Rumania dhe çështja e Kosovës

Gjatë fjalës së tij, Milo u ndal edhe tek ndikimi që mund të ketë Rumania në çështjen e Kosovës. “Si mik që i ka shqiptarët, do të mund të kuptojë se jo vetëm shqiptarët e Shqiptarisë, por shqiptarët e të gjithë rajonit dhe perspektivën e tyre evropiane. Gjithashtu do të mund të kuptojë ardhmërinë e tyre të përbashkët në përcaktimin e rrugës sonë, e cila vërtetë nuk është e lehtë, por ne mendojmë se ka shumë arsye që Rumania fqinje dhe mike, për vite e vite për të mos thënë për shekuj, të mund me një qasje të re t’i afrohej me një realizëm politik edhe çështjes së Kosovës, me qëllim që si vend anëtar i NATO-s, si vend i BE-së, pavarësisht nga disa vështirësi të mirëkuptueshme nga ana shqiptare që ajo ka në raport me të tjerët,  të mund të jepte në këtë rast një kontribut shumë domethënës në favor të miqësisë sonë, e cila gjithsesi mbetet e shenjtë, dhe mbetet me një të ardhme të shkëlqyer”, konkludoi historiani.

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet