Rudina Thanasi: Ju tregoj se çfarë është mjekësia estetike

Rudina ThanasiNga Rudina Thanasi

Mjekësia estetike si objekt interesi ka jo vetëm përmirësimin dhe optimalizimin e aspektit të jashtëm, por bukurinë dhe gjallërinë që vjen nga rigjenerimi i brendshëm i lëkurës, trupit dhe rritjes së vetëbesimit. Sinonim i “Mjekësisë Estetike” apo emri i kompetencës mjekësore është “Dermatologjia Kozmetike”. Mjekësia estetike si asnjëherë më përpara, në fushën e mjekësisë, ka inkorporuar bashkëpunimin midis shumë specialiteteve të mjekësisë, duke sjellë kështu edhe informacionin unik dhe të pa zëvendësueshëm të çdo specialiteti. Ka mishëruar në vetvete mjekësinë ashtu siç ka qenë e konceptuar; një shkencë në bashkëpunim të ngushtë midis mjekëve dhe specialiteteve për një shërbim sa më të mirë në përfitim të pacientit. Mjekësia estetike është po ashtu e vetmja degë mjekësore që kryesisht trajton pacientin e shëndetshëm. Është pararojë në mjekësinë e parandalimit të sëmundjeve. Një karakteristikë themelore e mjekësisë estetike është shëndeti i procedurave dhe mjeteve kryesore që përdor ajo. Mjekësia estetike është e vetmja mjekësi në të cilën trajtimet nuk kanë efekte sekondare ose ku efektet sekondare janë edhe më të shëndetshme se sa ato fillestaret.

Metodat e tilla si, pilingu i mesëm i thellë, fillerat me acid hialuronik dhe mezoterapia, kur zgjidhen dhe përdoren siç duhet nga profesionisti, janë jo vetëm estetike, por përfitimet përsa i takon shëndetit të lëkurës dhe shëndetit të mendjes janë edhe më shumë domethënëse; parandaluese të shumë sëmundjeve dhe shqetësimeve në të ardhmen. Por shpesh herë, ashtu siç do fushë e re dhe e kërkuar, si çdo gjë që ka të bëjë me bukurinë dhe dëshirën për të qenë i dëshiruar, i kërkuar, tërheqja e saj është magnetike! Tërheq pas vetes të rinjtë, mjekët e apasionuar që besojnë në të ardhmen dhe të bukurën, por nga ana tjetër tërheq edhe amatorët. Pra si çdo magnet i fuqishëm, që tërheq pas vetes si “arin” ashtu edhe “llamarinat”! Mund të thuhet se mjekësia estetike është e lehtë dhe e thjeshtë; dhe vetë kjo thjeshtësi dhe lehtësi vjen shpesh herë nga informacioni i shumtë që qarkullon. Por keqkuptimi dhe keqpërdorimi i tij e bëjnë mjekësinë estetike jo rrallë herë, preh të vulgarizmit, injorancës dhe amatorizmit. Kemi celular me kamera por kjo s’na bënë fotografë! Thuajse të gjithë kemi parë persona që në pamje të parë duken të çuditshëm e madje të frikshëm pas një ndërhyrjeje estetike, e sidomos femrat: me buzët si të patës, me mollëza të theksuara, me vetulla të ekzagjeruara deri në ballë, por sytë me zgavra, me zigomatiket të tërhequra dhe të mbushura si 20-vjeçare, me faqet që bien poshtë hundës, frikshëm në profil, dhe me mjekrën e gjatë. Pra, këta persona dhe këto rezultate “estetike” na trembin dhe na bëjnë skeptik kundrejt procedurave të bukurisë.

Por, a e dimë ne në fakt se acidi hialuronik është i shëndetshëm për trupin? A ushqen dhe rigjeneron lëkurën; a është bazë ushqimore për çdo qelizë të trupit tonë; shëron shpejt plagët, nuk lejon të na krijohen njolla, na mbron nga faktorët agresivë fizikë etj? Që me zhvillimin e kirurgjisë Mohse, i ashtuquajturi pilingu kimik i mesëm i thellë, rifitoi rëndësinë e tij që i takonte. Që kur kemi filluar të kuptojmë më mirë anatominë e lëkurës, lokalizimet dhe përhapjet e kancerëve të lëkurës, pilingu kimik është bërë një linjë e rëndësishme në trajtimin e kacerëve të lëkurës dhe padiskutim linja më e fortë e parandalimit të shfaqjes së tyre. Po kështu, “Botunlinium Toxine” na mësoi funksionin e muskujve të fytyrës, zëvendësoi shumë operacione që më përpara ishin të sikletshme dhe traumatizuese si hemoroidet, aspirimin e gjëndrave te djersitjes, asimetritë e fytyrës, stigmatizimin, por ndihmoi edhe në terapinë e dhimbjes dhe në identifikimin e sëmundjeve të tilla si Parkinson e Alzheimer. Pra është i pakundërshtueshëm efekti i trajtimit që bëhet me “Botulinium Toxine” në psikozat, migrenat dhe depresionet kronike rezistente ndaj trajtimit klasik, etj. Mezoterapia dhe lipoliza dhanë një zgjidhje jo invazive, jo traumatizuese në trajtimin e depozitave të dhjamit, lipomeve, akneve nodulare tumorale, neurodermiteve, plotësimin e terapisë së kancerëve të lëkurës, trajtimin e melazmës rezistente, dhe liftingun kirurgjikal etj.

Kompetencat kryesore të “Dermatologjisë Kozmetike” apo “Mjekësisë Estetike” janë si më poshtë:

I- Rekomandimet e kremrave, larësve dhe mbrojtësve të përditshëm sipas llojit të lëkurës, kohës, moshës, situatës në të cilën ndodhet pacienti, mundësive të tij ekonomike dhe stilit të jetës. Qëllimi është ruajtja e lëkurës në kushtet më optimale të saj, parandalimi i shqetësimeve të ndryshme në lëkurë si, disbalanca, hidratimi dhe yndyrosja, parandalimi dhe trajtimi i pikave të zeza, njollave kafe, irritimeve, plakjes së parakohshme, dehidratimit etj. Dhe natyrshëm lind pyetja se, kush është specialisti që duhet të bëjë këtë gjë? I vetmi specialist që ka informacionin dhe kompetencën e duhur që mund ta japë këtë rekomandim është dermatologu më i specializuar në Dermatologjinë Kozmetike. Kushdo tjetër që mund të ketë informacion të pjesshëm, nuk është realisht në gjendje të bëjë një rekomandim të vërtetë profesional të individualizuar për personat që janë të interesuar, edhe sikur ky rekomandim të jetë i bazuar në analizën që vjen nga aparatura të sofistikuara me programe kompjuterike.

II- Trajtimin mjekësor dhe estetik të akneve të thjeshtë, të mesme dhe të rëndë, trajtimin e disbalancave të fytyrës si, yndyrë e tepërt apo e pakët, dehidratim, hipersensibilizimin e lëkurës, trajtimin e hiperpigmentimit apo hiperpigmentimit, rënien e flokëve, rrallimin e tyre të përgjithshëm ose të pjesshëm; hipertrikozën apo shpeshtimin e qimeve në trup, të pjesshëm apo të përgjithshëm si dhe shenjat e që lënë pas aknet. Qëllimi i trajtimit mjekësor është:

1-Ndalimi i përkeqësimit të situatës;

2-Stabilizimi i lëkurës dhe derivateve të saj: flokë, thonj, mukoza;

3-Trajtimi i patologjisë;

4-Mbajtja në kontroll për ruajtjen e rezultatit të përfituar nga trajtimi;

5-Të edukojë pacientin se si të kujdeset vetë në vazhdim;

Kush është specialisti që mund t’a bëjë këtë? Për të trajtuar aknet e lehta dhe të mesme, të vetmit mjekë që i kanë kë- to njohuri janë dermatologu specialist dhe dermatologu–kozmetik specialist. Ata mund të trajtojnë aknet me nivel të rëndë si, konglobate tardive, nucae, akne fulminante, telangektazi (damarët e kuq në fytyrë) rozacee, rinofime, hidrosadinite. Sigurisht në bashkëpunimin edhe me endokrinologun, gjinekologun dhe ndonjëherë në raste të rënda me reumatologun, hematologun dhe Onkologun. Pra kushdo mund të këtë informacione të pjesshme, por nuk ka as njohuritë dhe as kompetencat e duhura për t’iu ndihmuar në këtë aspekt.

Abuzimet

Kompetenca të tjera të “Mjekësisë Estetike”, shumë të pëlqyera por me të cilat shpesh herë abuzohet rëndë janë:

-Fillerat( mbushësit) e përkohshëm, gjysmë të përkohshëm dhe të përhershëm;

-Botulinium Toxine A, B, C; -Peeling kimik;

-Endermologjia, mezoterapia, lipoliza, liposkulptura dhe mezolifting;

-Fijet e tretshme, gjysmë të tretshme apo të përhershme.

Qëllimi i përdorimit të këtyre metodave është paraqitja apo përfitimi i një pamje të re të individit, më e relaksuar dhe e kuruar. Sigurisht, nëpërmjet këtyre metodave përdoret edhe një trajtim elegant jo invaziv i disa patologjive specifike si ai i djersitjes së tepërt, trajtimit të dhimbjeve, dobësimit, trajtimit të hemorroideve, trajtimit të çikatriçeve hiper-hipotrofike dhe keloide, trajtimit të njollave të thella rezistente, asimetrive të fytyrës, artriteve etj. Kush është specialisti i cili ka njohuritë dhe kompetencat e duhura që mund të sjellë këto shërbime? “Mjekësia Estetike” dhe “Dermatologjia Estetike” janë të vetmet degë mjekësore që trajtojnë pacientë të shëndetshëm. Janë degët mjekësore të ndërlidhura me të gjitha degët e tjera të mjekësisë, ndaj dhe u zhvilluan kaq shumë dhe kaq shpejt. Por fatkeqësisht nga dëshira e lindur e njeriut ndaj të bukurës dhe të resë, ndonjëherë vjen edhe padurimi, dhe kjo krijon hapësira të pafunda për abuzime që mund të kenë rezultate monstruoze.

Kujdes! Llojet e injektimeve në mjekësinë estetike

Fillerat

Filleri i përkohshëm dhe gjysmë i përkohshëm injektohet në dermin sipërfaqësor dhe dermin e mesëm. Kjo do të thotë që specialisti që ka kompetencat e duhura për të ofruar këtë shërbim është ai që e njeh shumë mirë lëkurën si anatomi dhe histopataologji, por edhe procesin e granulimit. Kjo gjë e kualifikon dermatologun e thjeshtë nga ai kozmetik, nga kirurgu plastik dhe kirurgu dermatolog, për të gjitha llojet dhe zonat e injektimit. Po kështu edhe stomatologun nga kirurgu bukomaxilofacjal (i shumë specializuar në mjekësinë estetike dhe kozmetike apo anti-moshë për zonën rreth gojës dhe buzëve); mjekun ORL të specializuar shumë në estetikë për zonën rreth hundës; oftalmologun e mbi specializuar në estetikë kozmetike dhe anti-moshë për trajtimin e zonës rreth syve. Gjithashtu edhe gjinekologun nga kirurgu plastik, kirurgun dermatolog dhe dermatologun kozmetik, për trajtimin e gjoksit, organeve gjenitale dhe trajtimin e shenjave. Çdokush tjetër që nuk është mjek dhe nuk ka njohuri të paktën elementare të lëkurës, si përsa i takon anatomisë ashtu edhe histopatologjisë është totalisht i dëmshëm dhe mund të prodhojë katastrofa.

Piling Kimik

Piling-u kimik është një metodë e kontrolluar djegieje me qellim pastrimin e lëkurës së vjetër dhe rigjenerimin e lëkurës së re. Tek kjo lloj metode situata është disi më e thjeshtëzuar. Mbase keni dëgjuar shpesh herë për persona që bëjnë piling kimik, por e vërteta është se 99% e tyre janë metoda kimike apo fizike eksfolimi, domethënë pastrim i lëkurës së vdekur. Procedurë kjo e cila është e mundur të realizohet edhe në kushtet e shtëpisë duke përdorur krem të posaçëm me kokrriza apo lëngë limoni. Ndërkohë kur flitet për piling kimik flasim për rreth tre lloje: piling të mesëm, të mesëm të thellë dhe të thellë. Ata që mund të praktikojnë te pacientët këto lloje trajtimesh janë vetëm tre specialistë: dermatologu kozmetik, kirurgu dermatolog, kirurgu plastik, të cilët duhet të jenë kryesisht të specializuar në endermologjinë e piling, patologjinë e shërimit të plagëve dhe histopatologjinë e lëkurës. Edhe vetë specialistët e sipërpërmendur nëse nuk kanë këto specializime janë të ndërgjegjshëm se nuk duhet të guxojnë të bëjnë kë- to lloj trajtimesh. Në fakt piling-un (pastrimin) kimik e aplikojnë shumë pak specialistë në botë. Ky lloj pilingu është metoda më preçize por edhe më e vërteta e mjekësisë estetike.

Botulinium toxina

Botulinium toksina është një substancë e injektueshme për qëllim relaksimin e muskujve në zonën e injektimit. Botoksi kozmetik mund të bëhet nga mjeku estetistë, dermatologu kozmetik, kirurgu dermatolog, kirurgu plastik, oftalmologu, neurologu, psikiatri. Botoksi terapeutik bëhet nga të gjithë specialistët e mësipërm plus edhe nga ortopedi i specializuar në terapinë e dhimbjes, urologu, proktologu. Injektimi i toksinës botulinium kërkon njohuri preçize të anatomisë dhe anatomisë dinamike. Meqenëse efektet sekondare mbajnë vetëm dy javë, kjo e bënë këtë metodë gjerësisht më të përhapur. Shqetësimi kryesor në injektimet me botox janë substancat e përdoruara. Me gjithë zhvillimet e ndodhura në botën e farmaceutikës, substancat e sigurta numërohen me gishtat e një dore.

Mezoterapia

Mezoterapia në vetvete është një specialitet dhe mënyrë e të konceptuarit dhe administruarit të trajtimit mjekësor. Për këtë lloj terapie kërkohen njohuri speciale të biokimisë dhe farmaceutikës. E preferueshme është të  bëhet vetëm nga mjeku i specializuar në mezoterapi ose endermologji, qoftë ai dermatolog, kirurg plastik apo mjek estetikë. Gjithashtu mjekësia estetike përfshin edhe shumë metoda të tjera si, fijet, injektimet e dhjamit, lazerat etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Stadiumi “Rama Ik!”

Arben Rrozhani Ditari (a)politik Mijëra shqiptarë ishin mbrëmë në stadiumin “Air Albania”. Por protesta e tyre me baner e pagëzoi…

Abissnet