Rudina Dembacaj: Kur imitoja aktoren Meryl Streep

Foto 1 nga 3 Pas Para

Nga Valeria Dedaj

Dembacaj për herë të parë me një rol në teatër. Ajo tregon për personazhet që ka imituar në spektaklet e humorit, atë të Topallit, por jo vetëm. Ndërsa, ndalet edhe tek gjërat që e motivojnë edhe që e trishtojnë në jetën e përditshme!

Rolet që ajo ka interpretuar në spektaklet e humorit janë ngulitur thellë në kujtesën e njerëzve të thjeshtë. E megjithatë, ajo e ka të vështirë, që të veçojë prej këtyre karaktereve njërin prej tyre. Bëhet fjalë për moderatorin dhe aktoren Rudina Dembacajn, e cila ndonëse studimet e larta i ka përfunduar për drejtësi në një intervistë për gazetën “Shekulli” rrëfen se dëshira për të qenë artiste ka lindur bashkë me të. Rudinën nuk e kemi parë vetëm në spektakle humori, por e kemi parë edhe si drejtuese emisioni, ndërsa prej pak kohësh ka ndërmarrë një sfidë të re. I ka thënë “Po” ftesës për bashkëpunim, që i ka bërë regjisori Kiço Londo për të interpretuar rolin e shërbyeses në komedinë “Boeing Boeing”. Në këtë rrëfim ajo ndalet jo vetëm te karriera, por edhe tek familja, të cilën e konsideron të rëndësishme në jetën e njeriut.

Rudina, luani rolin tuaj të parë në teatër. Si lindi bashkëpunimi yt me regjisorin Kiço Londo?

Regjisori Kiço Londo më propozoi një bashkëpunim pikërisht për këtë rol, që unë në fillim kisha shumë emocione, sepse ishte një gjë e panjohur për mua. Nuk më mungonte vetëbesimi, por herë pas here mendoja se për mua tetari ishte shumë. Megjithatë, më karakterizon një guxim të tmerrshëm prandaj e pranova. Më vonë kur njoha edhe kastin, sinqerisht që puna më është bërë më e lehtë, sepse kam pasur ndihmë të madhe nga regjisori dhe kolegët.

Çfarë mund të na tregosh diçka më shumë për rolin tënd në këtë komedi?

Unë në “Boeing Boeing” luaj rolin e shërbyeses, e cila quhet Berta. Ajo është një zonjë që në këtë shfaqje ruan ekuilibrin mes personazheve, por ndërkohë nga ana tjetër është shumë nevrike. Për këtë e përgëzoj regjisorin Londo, i cili e ka përshtatur rolin edhe me karakterin tim, edhe pse Berta është shumë larg Rudinës në jetën reale.

Çfarë e nervozon apo e bën rebele Rudinën në jetën reale?

Unë rebele jam ndoshta edhe për shkak të origjinës sime, edhe nga Lezha edhe nga Vlora, kjo gjë mbase ndikon. Kështu kam qenë përherë, por edhe pse jam shumë ekspresive, jam edhe shumë e dashur, e ëmbël, vetëm se në momentin që kalohet caku bëhem impulsive.

Ka ndikuar ambienti ku je rritur në formimin e karakterit tënd?

Unë jam rritur në Lezhë. Origjina e hershme vjen nga Kelmendi, atje ku njerëzit flinin me pushkën, të tjerat mundet që t’i merrni me mend vet (qesh).

Dëshira për t’u marrë me art, si ka lindur tek ti?

Nuk e di, por mendoj se kam talent. Është një gjë që ka ardhur njëkohësisht, që me lindjen time. Pastaj unë kam filluar që ta kultivoj këtë talent edhe para se të merrja pjesë në spektaklet e humorit. Gjatë gjithë kohës kam qenë një person, që imitoja ata që takoja. Gradualisht fillova të dashurohesha me veprat e autorëve të ndryshëm edhe të shihja filma, të cilët i dubloja. Në televizion kur shikoja Meryl Streep përpiqesha të imitoja mënyrën se si aktronte. Shihja si kishte reaguar ajo edhe provoja se si do të reagoja unë një situatë të tillë. Nuk është e vetmja që dashuroj, Meryl Streep, por për momentin emri i saj m’u kujtua. Është diçka që e kam kultivuar me kalimin e viteve.

Po nga personazhet që ke imituar, cili është ai që do të veçoje?

Të gjithë presin që unë te veçoja Ajen apo Jozefina Topallin, edhe pse unë sigurisht që i dua të gjitha rolet që kam bërë. Unë mendoj se rolet për mua janë njësoj, si fëmijët. E nëse nesër unë do të bëjë edhe një fëmijë tjetër dhe njerëzit më pyesin, se cilin prej tyre dua më shumë, Viktorian apo fëmijën tjetër. Por kam një rol përzemër, që është Bora. Pavarësisht se nuk ka bërë shumë zhurmë, sepse nuk është ndonjë rol shumë komikë mua më ka pëlqyer shumë. Bora ishte një vajzë e re e zhgënjyer nga i dashuri, dumdume, që nuk ka lidhje fare me mua, prandaj e dua këtë rol. Një viktimë, që edhe pse mezi e luaja, më pëlqente.

Si ndihesh kur njerëzit të identifikojnë me personazhet që ke imituar, për shembull, me Jozefina Topallin?

Ndihem shumë mirë, sa gjysma e Jozefinës të isha unë si karakter.

E ke takuar edhe nga afër… Si i ka pritur ajo imitimet që ke bërë ti?

Po e kam takuar, edhe i ka pritur shumë mirë. Madje për dasmën time më bëri një surprizë, tek një nga klipet erdhi edhe më dhuroi lule. Sigurisht, që unë mendoj se figurën e saj brenda humorit e kam çuar në grotesk, por nuk e kam deformuar në asnjë moment.

Komedia “Boeing Boeing”

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim spahivogli” sjell sonte dhe nesër, ora 19.00 komedinë “Boeing Boeing” të autorit Marc Camoletti.

Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, Boing Boing paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe. Tri stjuardesa, më saktë, nga tre vende të ndryshme, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi (me ndihmën e shokut të tij të mefshtë Robert) lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. A do të mundet Don Zhuani gënjeshtar ta mbajë në këmbë këtë maskaradë, apo do të ndodhë katastrofa? Si i thonë fjalës: gjithçka është mirë, kur përfundon mirë.

Regjisor është Kiço Londo. Aktorë që luajnë janë: Amos Muji Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentjan Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Andia Xhunga dhe Linda Jarani

“Më trishton shpeshherë pamundësia për të ndihmuar njerëzit”

Drejton edhe një emision. Çfarë do të thotë kjo për ty?

Është një punë, që më krijon mundësi të kem njohje me njerëz të mrekullueshëm.

Cili është një nga personazhet që do të veçoje?

Për shembull, Alesia Xhemalin, Linda Jaranin, Grida Dumën, Ledri Vulën, Arian Çanin, Mimi Kodhelin, Robert Aliajn etj.

Cilat janë perspektivat e tua në teatër apo edhe në punën e përditshme?

Në punën e përditshme, mendoj se emisioni do të jetë në nivele të tjera, pastaj nëse do të mundem që të luaj edhe teatër për mua do të jetë një luks dhe një fat i jashtëzakonshëm.

Tashmë je bërë edhe nënë e një vajze, familja çfarë rëndësie ka për ty?

Mendoj se familja është gjëja më e rëndësishme e çdo njeriu, çdo gjë lind që aty, nëse nuk ke një familje të lumtur të tjerat nuk bëhen mirë.

Së fundmi, nëpërmjet një kamere të fshehtë pamë një Rudinë xheloze…

Të jesh xheloze nuk do të thotë që të reagosh përpara një fakti. Mua m’u duk sikur ajo që pashë ishte një fakt, prandaj edhe reagova. Madje unë kam qenë shumë e përmbajtur (qesh). Të jesh xheloze është që të jesh në punë apo në shtëpi edhe të mendosh se partneri po bën diçka. Të them të vërtetën unë ajo jam, në momente ekstreme. Ishim në ambientet e punës sime, turp i Zotit është, se unë nuk doja që ta zgjasja. (qesh)

Dhe së fundmi, çfarë të motivon edhe çfarë të trishton më tepër në përditshmërinë tënde?

Më trishton shpeshherë pamundësia për të ndihmuar njerëzit, sepse do të doja që të gjithë ata që njoh t’i ndihmoj. Zakonisht për të ndihmuar njerëzit që njoh vë veten time në dispozicion, me të gjitha njohjet që kam. Kjo pamundësi herë pas here, pasi sigurisht që unë nuk jam e plotfuqishme në asnjë fushë, më bën që të trishtohem edhe të ndihem jo mirë.

Të tjera

Abissnet