Ruçi mbron Ndreun: Nuk ndëshkoj sharjet në komisione

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Byroja e Kuvendit nuk e ka pranuar kërkesën e PD-së për përjashtimin e Pjerin Ndreu dhjetë ditë nga Kuvendi, pasi gjykoi se deputetit socialist e ka kërcënuar deputetin Ervin Salianji në komisionin parlamentar të para pak ditëve me shprehjet “do hash dajak, ti do rrahur”. Gramoz Ruçi, kryetar i Kuvendit, i habiti të gjithë me deklaratën e tij kur tha se “mbledhja nuk mund ta shqyrtojë këtë rast, pasi Byroja nuk ndëshkon kur njerëzit shahen në komisione. Dy deputetë socialistë, më 7 nëntor, e kanë kërcënuar deputetin e PD, Ervin Salianji, në komisionin e Sigurisë. Pyetja që Salianji i drejtoi ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, për buxhetin e ushtrisë, nuk i pëlqeu Xhaçkës, së cilës i kanë dalë në krah dy ish-oficerët e lartë të Policisë, Paulin Stërkaj dhe Pjerin Ndreu. Ervin Salianji e pyeti ministren Xhaçka: “A ju duhet më shumë buxhet për të kontrolluar ish-repartet ushtarake, që përdoren për magazinim droge? A ju duhet më shumë buxhet për të vendosur në funksion radarët?!” Por, përgjigjen pyetjes ia ka kthyer ndryshe, Paulin Stërkaj: Je bilbil mali! Se vetëm për të folur ke ardhur. Kurse, Pjerin Ndreu, pa mikrofon, iu kthye Salianjit: Mos i provoke të gjithë se do të hash dajak!

Reagimi

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji reagon ashpër pas vendimit të Byrosë së Kuvendit për të mos dënuar deputetin e Partisë Socialiste, Pjerin Ndreun, me përjashtim për 10 ditë nga Kuvendi. Salianji thotë se nuk bëhet fjalë për një çështje personale por për çështje parimesh, të cilat, siç tha ai u shkelën sërish nga mazhoranca. “Vendimi tregon që Ruçi nuk është as aq i virgjër sa hiqet gjatë seancave. Kjo nuk është çështje personale, se përveçse nuk llogaris asnjë lloj dordoleci pa personalitet, do mbroj çdo parim deri në fund. Edhe në këtë rast mbrojta parimin dhe u pa qartë se disa përjashtohen se kërkojnë te drejtën e fjalës, disa mbrohen se bëjnë karikaturën e krimit”, u shpreh ai. Me anë të një kërkese, Partia Demokratike pretendonte që deputeti i djathtë, Ervin Salianji ishte kërcënuar nga Pjerin Ndreu në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë dhe kërkoi përjashtimi e tij me 10 ditë, por Byroja rrëzoi sot kërkesën e PD, pasi sipas kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, ishte e pabazuar në ligj.

I.K