Rrugëtimi i një qeverie si një lëmsh pa fije, një hap para e dy mbrapa

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Dedë Preqi

Pse po fajësohen shqiptarët sot, nga dy qeveritë e tyre, me arsyen se nuk duan, apo nuk dinë të udhëheqin shtet dhe për faktin se timonin e qeverisjeve nuk e kanë marrë njerëzit e duhur dhe të përshtatshëm me përgjegjësi morale e politike, por mjerisht e kanë marrë timonin njerëz pa “patentë” moralo-politike,  për të qenë tragjedia e popullit dhe vendit të tyre, apo si vetëvrasje politike, e cila po e degradon jo vetëm një shoqëri, por edhe një rreth të gjerë njerëzor.

Po t’i shikojmë dhe dëgjojmë vetëm diskutimet e premtimet e tyre marramendëse nëpër forume të huaja, apo në Kuvende të veta, pothuaj se ua kalojmë të gjitha vendeve perëndimore në teori, por në çastet vendimtare, shumë pak, apo fare nuk realizohen programet e tyre, në favor të shtetit dhe mirëqenies qytetare, duke promovuar dhe prodhuar mjerim secilën ditë e më shumë, nga ngërçet politike dhe ngecjet ekonomike, si dhe mos funksionimi i ligjeve e zbatimi i tyre në Institucionet e vendit.

Gjithherë shumica është përgjegjëse ndaj pakicës, prandaj nuk duhet gjithherë të fajësohen të tjerët, duke qenë bartës i pushtetit dhe shtetit, është e turpshme në çdo çast të kërkojmë ndihmën e ndërkombetarëve për diçka që mundemi të arrijmë vetë, apo të presim që dikush tjetër të na i kryej detyrat dhe punët në shtetin tonë, ndërsa ne, të shikojmë anash, duke bërë vërejtje se alternativa e tyre nuk po i prek interesat dhe objektivat tona.

Po të ndalemi me pak fjalë në gjendjen e shtetit shqiptar, që nuk ka vend gjeografik e strategjik në rajon dhe më gjerë, që i plotëson kushtet, një ndër vendet më të bukura dhe të cilësuara, ku do të lakmonin shumë vende të botës nga bukuritë e rralla natyrore  e i rrethuar me ujin e njomët të detërave, por nga gjitha këto cilësi e bukuri që ka i ky vend, bënë përpjekje një shëmti dhe perde e zezë, që i bënë hije e ia zënë frymën këtij vendi e populli, dhe nuk e lë të mëkëmbet dhe zhvillohet kurrë, nga politikat e njerëzve të korruptuar, që i kanë frenat e këtij shteti në dorë.

Kosova si shtet i ri e ka të vështirë rrugën e saj e të shpejtë të bëhet shtet i qëndrueshëm dhe të realizojë objektivat e veta pa barrikada, duke u bazuar në kushtet dhe rrethanat nëpër të cilat ka kaluar ky vend, dhe nga ana tjetër, Shqipërinë është deshtë ta marrim si model të zhvillimeve ekonomike dhe politike, si dhe të qëllimeve tona të përbashkëta kombëtare e shtetërore.

Pa keqardhje duhet të thuhet se, politika e kryeministrit Edi Rama, me qeverisjen e tij të korruptuar dhe njerëz të pushtetit të involvuar me tregti të ndaluar, sikurse edhe qeveria e kryetarit Hashim Thaçi, që shkon me nga një hap para e dy mbrapa, nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, nuk do e lakmonin asnjë vend dhe as një shoqëri demokratike në botë, duke mos i shërbyer popullit dhe vendit të vet, pa i llogaritur as gjeneratat e reja, me të ardhmen e tyre në tentativë pa perspektivë.

Megjithatë, udhëheqjet politike në Kosovë, të gjitha kanë dështuar deri më tani, që pas vdekjes së presidentit Rugova, por nuk do të thotë që të dështohet edhe në të ardhmen, duke u bazuar në inteligjencën Akademike dhe rininë intelektuale, të cilëve akoma nuk u krijohet hapësirë sa duhet,  t’u dëgjohet zëri i tyre nga zaptimet që kanë sjellë analfabetët e politikës dhe privilegjeve të tyre, që Kosovën dhe të ardhmen e saj po e degradojnë për çdo ditë.

Edhe kryeminstri Ramush Haradinaj, i cili e mori qeverinë e Kosovës me një lëmsh të madh problemesh, i ka humbur fija e lëmshit dhe vështirë e ka t’ia gjejë vegzën, sepse vegza e saj është pështjelluar, që atëherë kur përfaqësuesit e popullit dhe udhëheqësit e shtetit u sjellën si përmbysës të vullnetit dhe përbuzës të gjakut e lirisë së këtij populli, përveç tjerash, duke e konsideruar edhe shtetin si pronë të tyre. Në çfarë formash dhe modelesh do të udhëhiqet shteti i ardhshëm, është vështirë të shpjegohet, nëse njerëzit e tillë gjinden akoma në vende kyçe të qeverisjes dhe ajo,  që do të ishte shumë brengosëse për Kosovën dhe popullin e saj, do të qëndronte në ftohjen e marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë dhe raportet e tyre të zbehura me vendin tonë, nga përshtypjet dhe zhgënjimi i tyre, që kanë fituar deri me tani nga qeverisjet e dobëta të vendeve tona.