Rruga e Arbrit, shpallet fituese firma e përfolur një vit më parë

Publikuar më 01. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Neritan Gjergo

Mbyllet tenderi i Rrugës së Arbrit. “Gjoka Konstruksion” drejt firmosjes së kontratës që kushton 33.6 miliardë lekë. Dritëhijet me tenderët që përjashtuan disa kompani deri në pagëzimin e djeshëm të programit “1 miliard”

Siç pritej, pa asnjë befasi në garën koncesionare për ndërtimin e rrugës së Arbrit, mes tre kompanive që shprehën interesin, fituese është shpallur kompania “Gjoka Konstruksion”. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Infrasturkturës dhe Energjisë, “Gjoka Konstruksion” është paraqitur me të gjitha dokumentet në përputhje me kërkesat, duke lënë pas kompanitë “Adem Pojani” dhe “Alb Star”. Në fakt, projekti i “Gjoka” u shfaq fiks një vit më parë, kur qeveria refuzoi kompaninë kineze “China State Construcion”. Kjo e fundit u la jashtë gare në mënyrë të dyshimtë, teksa duke plotësuar të gjitha kushtet ishte angazhuar të përfundonte në kohë 27 kilometrat më të vështirë të rrugës me 300 milionë dollarët që ofroi. Pa asnjë argument dhe dokument zyrtar, tetorin e kaluar kinezët u tërhoqën me jehonën qeveritare se oferta e tyre vlente shumë lekë.

“Gjoka Konstruktion” u vetëofrua  me një projekt me kosto 250 milionë euro dhe u pranua, por teksa mbeti e vetme, qeveria hapi sërish garën. Pasi pranoi dy oferta një muaj më parë, ministria e Damian Gjiknurit dje ligjëroi “Gjoka Konstruktion” për të ndërtuar dhe mirëmbajtur rrugën.  Sipas ofertës, ndërtimi i rrugës do të zgjasë 46 muaj që nga momenti i lidhjes së kontratës. Premtimin për Rrugën e Arbrit pakkush mund ta besojë sot, teksa ai është folur me dhjetra herë në fushata e takime elektorale nga të majtët dhe të djathtët.  Megjithatë, kryeministri Edi Rama e përsëriti sërish dy ditë më parë, se pas një muaji do të nisin punimet për rrugën e Arbrit për të mos u ndalur më deri në ndërtimin e saj. “Ministria e linjës ka nisur bisedimet me kompaninë që rezultoi fituese në garë dhe në harkun e 35-40 ditëve kontrata do finalizohet dhe puna për Rrugën e Arbrit do fillojë për të mos u ndalur më”, tha Rama.

Projekti

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Rruga e Arbrit është e përfunduar plotësisht në 20.1 km, ndërsa 15.1 km janë përfunduar pjesërisht. Po ashtu, ka një projekt ekzistues edhe për 26.4 km. Në total janë 61.6 km të projektuar për gjurmën kryesore me standardin C3, nga të cilët 26.3 km nuk janë prekur me punime ndërtimi. Sipas studimit të fizibilitetit të hartuar rreth vitit 2005, thuhet në dokumentet e tenderimit, e gjithë gjurma Tiranë-Bllatë sipas këtij varianti pritet të jetë afërsisht rreth 73.5 km e gjatë, ç’ka do të thotë që afërsisht në total 11.8 km rrugë janë ende të paprojektuara.

Ky segment lidh Tiranën pikën kufitare të Bllatës. Projekt-Idea për “Përmirësim, Ndërtim, Operim, dhe Mirëmbajte e Rrugës së Arbrit” për kompletimin e të gjithë gjurmës së Rrugës së Arbrit përfshin projektet e segmenteve të paprojektuar (skajet lidhëse), përmirësimin e projekteve të segmenteve ku punimet janë ende të papërfunduar me synimin e përmirësimit të tyre nga standardit C3 të standardit të vitit 2001 në atë C2 sipas standardit të vitit 2015 si dhe mirëmbajtjen e segmenteve të ndërtuara.

Në projekt ide, të nxitur nga rëndësia që ka segmenti Zall Bastar-Dalja e Urës së Vashës, që është sa 1/3 e të tërë Rrugës së Arbrit është projektuar edhe lidhja e Rrugës së Arbrit me Klosin. Në projekt ide është marrë në konsideratë distanca kohore më e shkurtër, siguria e kërkuar në tunele, pasi parashikon edhe një tub emergjence, krahas atij kryesor dhe aksesi me i shpejtë i rrugës nga banorët e Matit përmes lidhjes me Klosin.

Gara

Komisioni i dhënies me koncesion të procedurës me objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit” përfundoi shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave të paraqitura në sistemin elektronik të APP duke shpallur fituese shoqërinë “Gjoka Konstruksion”. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të dorëzuar në sistemin elektronik, në këtë procedurë rezultoi se operatori ekonomik “Adem Pojani” kishte paraqitur disa dokumenta, të cilat nuk përmbushnin kriteret e kërkuara, rrjedhimisht oferta u skualifikua. Nga shqyrtimi i dokumenteve të sistemit u konstatua se operatori ekonomik shoqëria “Alb-Star” sh.p.k. kishte paraqitur disa dokumente teknike dhe ligjore por nga analizimi i tyre rezultoi se nuk kishte ofertë financiare dhe nuk plotësoheshin kriteret e kërkuara.

Për këtë arsye, komisioni vendosi të skualifikojë operatorin “Alb-Star” sh.p.k. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur në sistem nga operatori ekonomik shoqëria “Gjoka Konstruksion”, rezultoi se ajo kishte paraqitur dokumentacionin teknik, financiar dhe ligjor në përputhje me kërkesat e dokumenteve të procedurës konkurruese dhe komisioni vendosi ta kualifikojë ofertën për fazën e vlerësimit. Gjatë fazës së vlerësimit, kjo ofertë u shpall fituese pasi u trajtuan elementët e propozimit teknik për ndërtimin e rrugës dhe mirëmbajtjes; ndikimin mjedisor; ndikimin social; afatin e përfundimit të punimeve dhe ofertën financiare.

Rrugët dhe urat që do ndërtohen

Sipas dokumentacionit të tenderit, periudha e koncesionit parashikohet të jetë 13 vjet, duke filluar nga nënshkrimi i kontratës, ndërsa është diskutuar, por nuk është vendosur nëse rruga do të jetë me pagesë.

Segmenti 1. Fillon në dalje të Tiranës, aty ku mbaron rruga ekzistuese, dhe përfundon tek Ura e Brarit, aty ku kanë filluar punimet për ndërtimin e rrugës. Gjatësia e tij është 1.153 km. Rruga ndjek një gjurmë të re, të ndryshme nga rruga ekzistuese që të çon tek Ura e Brarit. Ky segment përfundon para hyrjes tek Ura e Brarit.

Segmenti 2: Ura e Brarit – Zall Bastar, me gjatësi 5.46 km. Në këtë segment janë realizuar pjesërisht punimet me fonde të buxhetit të shtetit dhe aktualisht këto punime janë në shtresë çaklli, si dhe janë përfunduar veprat e artit, mbrojtja e skarpateve dhe konstruksioni i një tuneli të shkurtër.

Segmenti 3: Zall Bastar – Dalja e Urës së Vashës, sipas Projekt-Idesë është me gjatësi  23.188 km. Ky është segmenti kryesor i Rrugës së Arbërit, sepse është më i gjati, rreth 1/3 e rrugës, përshkon terrenin më të vështirë nga pikëpamja topografike, hidrologjike, dhe gjeologjike si dhe është tërësisht i paprekur nga ana ndërtimore. Në projekt ide gjatësia e këtij segmenti është 23.188 km.

Segmenti 4: Dalja e Urës së Vashës – Bulqizë, me gjatësi 9.715 km. Në këtë segment janë realizuar pjesërisht punimet me fonde të buxhetit të shtetit. Në një gjatësi prej 2.7745 km është hapur vetëm traseja e rrugës (pa nënshtresat) dhe janë ndërtuar veprat e artit, si tombino e mure mbajtës. Rruga ka një gjerësi 11 m me gjerësi asfalti 9 m.

Segmenti 5: Bulqizë-Ura e Çerenecit, me gjatësi 20.12 km.

Në këtë segment rrugor punimet kanë përfunduar në vitin 2009 dhe 2011. Gjerësia e rrugës është 11 m dhe asfalti 9 m. Duke qenë se ky segment rrugor është realizuar vitet e fundit nga D.P.Rr, sot A.RR.Sh, punimet ndërtimore për këtë segment kanë përfunduar dhe konsiderohet se është i hapur për trafikun. Ky segment është prezantuar por nuk është pjese e Projekt Idesë.

Segmeni 6: Ura e Çerenecit – Bllatë, me gjatësi  9.111 km.

Për këtë segment rrugor nuk ka projekt ekzistues. Ky segment rrugor fillon në afërsi të Urës së Çerenecit dhe përfundon në Bllatë, në afërsi të pikës doganore me Maqedoninë. Gjerësia e rruges do të jetë si në shumicën e segmenteve të tjera, 11 m gjerësi dhe asfalti 9.5m. Në këtë segment do të ndërtohen 2 ura, një në afërsi të Urës së Çerenecit mbi Lumin Zall i Bulqizës me një gjatësi prej 212m dhe ura tjetër mbi Lumin Drin i Zi me një gjatësi prej 292 m

Segmenti D (7): Bllatë – Maqellarë

Për të plotësuar nevojat e trafikut të ardhshëm, rruga ekzistuese Maqellarë-Pika kufitare Bllatë duhet të rikonstruktohet në standardin e një rruge urbane për shpërndarjen e të tërë trafikut të Rrugës së Arbrit në drejtim të Peshkopisë (Maqellarë) dhe Maqedonisë (Pika kufitare Bllatë). Ky segment lidh fshatin Bllatë me pikën doganore me gjë gjatësi prej 0.557 km, si dhe me Maqellarën me një gjatësi rreth 2.438 km.

Segmenti K (8) është degëzimi Dalje Ura e Vashës – Klos.

Ky segment rrugor ka një gjatësi rreth 3.092 km dhe lidh Rrugën e Arbrit me rrugën Burrel – Klos, në dalje të Urës së Vashës. Ndërtimi i këtij degëzimi është i rëndësishëm pasi do të lidhë Burrelin me Tiranën në distancë më të shkurtër nga aksi ekzistues që është sot Burrel – Milot-Tiranë.