Rritje page 7% për 3559 punonjës të Policisë së Burgjeve

177 milionë lekë do jetë buxheti për policinë gjyqësorë të burgjeve për vitin 2019. Deputeti socialist Bashkim Fino tha se nga reforma në drejtësi po mundohen të përfitojnë institucione të tjera që nuk kryejnë funksione në proces

Lindita Bushgjokaj

Qeveria rrit rrogat për gardianët e burgjeve të vendit. Buxheti u diskutua dje, në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut. Ministria e Financave parashikoi një fond të posaçëm prej 177 milionë lekësh, i dedikuar vetëm për policinë e burgjeve. Ëështë një fond 177 milionë lekë i pashpërndarë, i dedikuar për kontigjencën e rritjes së pagave për policinë gjyqësorE të burgjeve, nga të cilët përfitojnë 3559 policë, tha Geraldina Prodani, përfaqësuese e Ministrisë së Financave nga Ministria Drejtësisë. Ndërsa për deputetin socialist Spartak Braho, siguria në burgje nuk është në nivelin e kërkuar dhe duhet të bëhen monitorime urgjente. “Pyetja ime lidhet me projektligjin që do të vijë së shpejti për policinë e burgjeve. Mesa di unë janë projektuar marrje masash për sigurinë e nivelit të lartë në burgje, gjë që patjetër do të shoqërohet me zhvillimin e projekteve të mëdha, sepse ne sigurisht nuk i kemi burgjet në nivelin që kërkohet. Një monitorim i burgjeve sot është emergjent dhe kërkon zhvillimin e projekteve të rëndësishme, të posaçme dhe të shtrenjta në kuptimin financiar. Keni ndonjë parashikim?” Zëvendësministri i Drejtësisë, Toni Gogo, i përgjigjet pyetjes së Brahos me shifra konkrete që parashikon buxheti i vitit 2019. Për këto kemi të parashikuar një faturë diku 700 milionë lekë. Janë dy komponentë kryesorë. Njëri komponent është modernizmi, rritja dhe fuqizimi i stafit policor të burgjeve, për shkak se ata heqin një pjesë të madhe të rrezikut që ekziston atje, kështu që ka të bëjë me pagat e tyre dhe është diku gjysma. Ndërsa pjesa që ka të bëjë me infrastrukturën dhe investimet që rrisin sigurinë është diku 146 milionë lekë të reja”.

Kostot e buxhetit                                                                                                                                   

Një nga skeptikët kundrejt kërkesave financiare ishte deputeti socialist Bashkim Fino, i cili tha se pjesë e buxhetit janë edhe kostot financiare, që vijnë si pasojë e shtesës së personave. “Më lejoni të them, se në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë janë shtuar 70 veta dhe janë në plan buxhet. Pra, duhet parë dhe mundësia e kostos. Tjetër gjë që është shtuar në buxhet, është se në kuadrin e rritjes së pagave edhe policia e burgjeve do ketë ngritje të pagave për vitin 2019, me rreth 7%. Dhe shumë prej 177 milion lekësh nuk është në evidencën e Ministrisë së Drejtësisë, por është në shumën e kontigjencës dhe është në buxhetin e madh që do të miratojmë. Dhe 177 milion lekët, sipas ministrisë së Financave me 7% rritje të policisë së burgjeve, do të vijë një rritje e tyre nga 1 prilli do vijë më vonë tek Ministria e Drejtësisë. Ndërkohë që ajo është pjesë e kontingjencës së qeverisë, e cila do të ketë rritje për shumë kategori për vitin tjetër. Infermierë, mjekë, diplomatët, pra janë një kategori njerëzish të cilët i kemi pasqyruar në kontigjencën tonë, por nuk i kemi ndarë në ministrinë e linjës”.

Përfitimi

Sipas Finos, nga paketa e reformës në drejtësi po mundohen të fitojnë edhe institucione të tjera, apo individë që nuk kryejnë asnjë funksion në proces. “Vitin tjetër do të ketë një buxhet ekstra për rritjen e pagave të policisë së burgjeve. Problemet e Ministrisë së Drejtësisë mbetën gjithmonë probleme të investimeve, këtu do të kemi parasysh burgjet, që do të thotë, se sa më shumë fonde të kemi ne dhe sa më shumë t’i japësh Ministrisë së Drejtësisë jam shumë i bindur se ato alokohen shpejt dhe do të duhet të investohet më shumë në sistemin e burgjeve. Nga kjo reformë në drejtësi po mundohen të përfitojnë edhe institucione të tjera, që nuk e meritojnë të përfitojnë rritjet e pagave. Duke thënë se X ka këtë pagë. Mirëpo, gjyqtari bën vetingun, por ky tjetri që nuk bën vetingun, pse duhet ta marri këtë 80%. Të gjithë kërkojnë këtë rritjen e pagave, mirëpo te ministria e Drejtësisë kjo gjë është e zgjidhur dhe e ezauruar”.

Burgjet, 643 milionë lekë për tu barazuar me Policinë e Shtetit

Disa nga kërkesat financiare të parashikuara nga Ministria e Drejtësisë kanë të bëjnë me buxhetin financiar të policisë në burgje. Fondi në fjalë përfshin shifrën prej 643 milionë lekësh, që shkojnë për stafin policor, me qëllim unifikimin e gardianëve me punonjësit e Policisë së Shtetit.  “Për shpenzime personeli 654 milionë lekë, ndër të cilat 643 milionë lekë janë për stafin policor. Kjo shtesë vjen për gradat me qëllim unifikimin e gradave të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të punonjësve të Policisë së Burgjeve. Dhe shtesa për vjetërsinë në punë, të trajnohen stafi policor i burgjeve, që të trajtohet njësoj me stafin e policisë së shtetit. Dhe kjo shifër shkon 643 milionë, pothuajse në shifra të barabarta për të dy zërat, për gradën dhe për vjetërsinë në punë”, bën të ditur Ministria e Financave. Një tjetër kërkesë që parashikon kjo ministri përfshin edhe fondet që duhet të shkojnë për drejtorinë e ndihmës juridike, si dhe 317 milionë lekë për mallrat dhe shërbimet. Ndërsa 11 milionë lekë ne i kishim parashikuar për drejtorinë e ndihmës juridike falas, pasi kishim parashikuar rreth 371 milion lekë për mallra dhe shërbime, ku 21 milionë lekë si kontribut për pjesëmarrje në Agjencinë e Stabilizim Asociimit. Një tjetër zë shumë i rëndësishëm që ministria ka menduar t’i japë një fond të posaçëm është edhe sistemi i burgjeve, e cila parashikonte një vlerë prej 849 milionë lekë, ndërsa janë marrë parasysh vetëm 200 milion lekë.

Toni Gogu: Të rishikohen pagat e oficerëve në burgje                                                                                                        

Zëvendësministri i Drejtësisë, Toni Gogu dje nga Komisioni i Ligjeve teksa ka folur për buxhetin e vitit 2019 pohoi se duhet të rishikohen pagesat për oficerët e burgjeve. Sipas Gogut, një tjetër çështje me rëndësi që duhet të merret në konsideratë është dhe ajo që lidhet me mbipopullimin nëpër burgje.  “Buxheti 2019-ës, konsolidon përparësitë e qeverisë. Ka investim serioz në pagat e magjistratëve. Oficerët e burgjeve të kenë pagesë financiare të denjë, të adresojmë çështjen e mbipopullimit në burgje. Por në buxhet janë dhe një sërë prioritetesh të tjera, siç është aksesi në drejtësi, ku një pjesë e rëndësishme e paketës ka të bëjë me ndihmën juridike, por gjithashtu dhe jetësimin e reformës së drejtësisë penale për të mitur. Një gur shumë i rëndësishëm në këtë themel të reformës në drejtësi, ka të bëjë me reformimin e sistemit të sistemit ndëshkimor apo të burgjeve. Aty kemi një sfidë shumë të madhe, pasi oficerët tanë të policisë së burgjeve duhet të kenë një shpërblim financiar të denjë për detyrën që ata i kryejnë publikut shqiptar. Një pjesë tjetër e rëndësishme e paketës së buxhetit të programit të drejtësisë është gjithashtu dhe lufta kundër korrupsionit, ku ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve transparente, ofrimin e shërbimeve në kohë të qytetarëve, por gjithashtu dhe mbështetjen e strukturave përkatëse të cilat kryejnë këto punë. Rritja e vitit 2019 është 17%, krahasim me buxhetin e vitit të kaluar”, tha Gogu.

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet