Rritja ekonomike dhe e vërteta e panjohur!

Nga Kasem Seferi

Ende nuk kemi informacion se sa ka qenë rritja ekonomike e vitit 2017, por kemi një njoftim zyrtar se në tremujorin e tretë ka qenë 3,55 për qind. Ndërkohë zëra opozitarë të qeverisë thonë se nuk janë realizuar të ardhurat tatimore të parashikuara, të cilat projektohen mbi bazën e llogaritjeve dhe pritshmërive të rritjes ekonomike. Sa e vërtetë është kjo?! Le ta vërtetojë qeveria! Por shqetësimi im si qytetar dhe, veçanërisht, si ekonomist është të marr vesh (të informohem drejt) mbi të vërtetën.

Për arsyen e vetme dhe të pamohueshme se rritja ekonomike e një vendi arrihet kur vendi ka: Burime natyrore. A kemi vërtetë burime natyrore apo ia bëjmë qejfin vetes duke deklaruar shifra, të cilat po të ishin të vërteta, do të sillnin të ardhura nga shfytëzimi i tyre. Për shembull, supozojmë se kemi një rezervë nafte në një sasi prej x milionë fuçi. Ka kaq vjet që kanë hyrë e dalë kompani të huaja, po ku janë të ardhurat nga kjo pasuri. Kështu mund të vazhdohet edhe me lloje të tjerë pasurish natyrore si kromi, bakri, etj, por prap do të ngrihej pyetja: Ku janë të ardhurat e përfituara nga kjo pasuri?!

Infrastrukturë. Kemi dhe nuk kemi, për vetë faktin se pjesa më e madhe e zonave rurale, tashmë të braktisura dhe aspak aktive në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë (madje të katandisura në nivele mesjetare) nuk lidhen dot me tregjet. Investimet e qeverisë në lidhje faktorin gjeografik pothuajse kanë munguar këto vitet e fundit. Ngelet të themi: Rrofshin premtimet!

Popullsi në moshën e punës. Kemi me bollëk, por nuk vende pune. Migracioni i brendshëm vetëm se ka rritur përqindjen e papunësisë, veçanërisht, në zonat urbane. Kapital njerëzor. Kapitali njerëzor po largohet nga vendi përditë e më shumë. Mungojnë investimet e brendshme dhe të huaja që sjellin teknologji moderne në të gjithë fushat e veprimtarisë ekonomike.

Thuhet se kemi legjislacion modern, por në qoftë se do të pranonim një pretendim të tillë, para së gjithash duhet të pranojmë nëse ky legjislacion zbatohet, nuk zbatohet, apo zbatohet me përzgjedhje. Vetëm ndryshimet ne legjislacionin tatimor kanë sjellë rënie të numrit të bizneseve, konkurrencë të padrejtë në treg dhe rënie të klimës së biznesit. Për më tepër po të analizohet praktika e konçensioneve do të vihet re se:

Nuk janë bërë përgatitje në mënyrën e duhur për për ortakëri publik – privat;

Nuk është krijuar një vizion i qartë me të gjithë të interesuarit;

Nuk është arritur të kuptuarit e ortakëve dhe lojtarëve çelës;

Nuk ka pasur qartësi për risqet dhe shpërblimet për të gjithë palët;

Nuk është vendosur një proçes i qartë dhe i arsyeshëm për të gjithë palët;

Nuk është bërë e sigurtë që të gjithë palët të kryejnë detyrat e tyre;

Nuk ka pasur lidërship të bashkërenduar dhe të qëndrueshëm;

Nuk ka komunikim të hershëm dhe të shpeshtë;

Nuk është bërë negociimi i strukturës së marrëveshjve të konçensioneve; dhe

Nuk është bërë ndërtimi i besimit si vlerë thelbësore.

Faktorët që nuk lejojnë që të arrihet rritja ekonomike e vendit kanë qenë:

Shëndetsi e dobët dhe nivele të ulta në arsim. Kaq shumë komente, kritika dhe mendime negative ka sa edhe një det nuk do t’i mbante. Mungesa e infrastrukturës së domosdoshme, veçanërisht, për bujqësinë, çka u përmend më lart dhe nuk ia vlen të shtosh detaje që njihen dhe i mërzisin fermerët dhe specialistët e fushës. Le më t’i shtosh kësaj gjendje edhe çështjet e rezervuarëve, kanaleve kulluese, fermave “harna“ me mesatare 1.2 ha etj. Largimi i kapitalit. Së fundi pati komente për “Sheratonin”, por ka e dhe të tjerë shembuj, veçanërisht, largimin e kapitalit vendas.

Paqëndrueshmëria politike. Vjedhja e votës, përfshirja e krimit në pushtet dhe qeverisje dhe, veçanërisht, pakënaqësia e përgjithshme kundrejt politikanëve. Më ra në sy shkrimi i Profesor Sherif Bundos dhe analiza e tij e hollësishme në lidhje me binomin: POLITIKË – INTELEKTUAL. Kuadri institucional. MEDET, O ZOT! Pa Këshill të Prokurorisë, Me gjykata të nivelit të lartë në nivelin e të sakatuarit që i mungon një këmbë, një dorë, një vesh, një sy dhe një dreq e di se çfarë dhe mjaft të tjera që analistët thonë se jetojmë në kohën e përkoshmërisë, veçanërisht, në POLICINË E RENDIT SË FUNDI. Organizatat ndërkombëtare.

Veçanërisht, OBT nuk tregohet dorëgjërë me vende të tilla në tranzicion si vendet e Ballkanit Perëndimor ku për fshihemi edhe ne si vend. Për të mos shkuar më larg, doja të adresoja për të gjithë ata që “flasin me kompetencë“, se cilin prej tipave të mëposhtëm të rritjes ekonomike përfaqëson ekonomia e Republikës së Shqipërisë: Boom – in dhe/ose ciklet e fortë të biznesit?! Orientimin në Eksport?! Konsumatorin/fuqinë blerëse në rritje?! Eksporte të qëndrueshme?! Kosto mjedisore normale?! Më vjen ndërmend At Gjergj Fishta për atë që i shkruante Faik Konicës, thënie të cilën do ta ndryshoja si më poshtë: QYTETAR SHQIPTAR! SHQIPËRIA PËR TË CILËN KANË LUFTUAR BREZA TË TËRË DHE QË ËNDËRROJMË DHE DUAM NE NUK BËHET ME KËTA POLIKANË!

Të tjera

Abissnet