Rritet tatimi mbi pagat, ndryshimi për 24 mijë punonjës

Gjatë vitit të ardhshëm një person që punon në dy punë do të tatohet për të dy rrogat bashkë. Nga ky ndryshim do të preken 24 mijë persona. Tatimet e reflektojnë për formalizim, qytetarët dalin kundër skemës së re  

Neritan Gjergo

Personat që janë më shumë se një herë të punësuar dhe kur për çdo angazhim kanë pagë nën 30 mijë lekë në muaj do të duhet të paguajnë tatim. Në ndryshimet e paketës fiskale është sanksionuar se atyre do tu unifikohen të ardhurat, duke u vendosur kështu në sistem. Në këtë mënyrë nëse në dy punë individi merr në total 50 mijë lekë do të duhet të tatohet për 20 mijë lekëshin me 13 për qind. Kjo për shkak se deri në 30 mijë lekë nuk ka tatim mbi pagat. “Një individ që merr dy paka nga 29 mijë lekë, tek dy punëdhënës të ndryshëm, paguan 0 tatim mbi të ardhurat për pagat. Nga ana tjetër në rastet e dy apo më shumë të punësuarve, individët i shmangen formulës së llogaritjes progresive të tatimit mbi pagat duke zbritur shumën 30 mijë lekë si të patatueshme në të gjitha pagat që ai përfton”, sqaroi dje drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj. Nga ky ndryshim preken rreth 24 mijë persona të cilët më parë nuk përfshiheshin në skemë. “Nga verifikimet e kryera në sistemin tonë janë rreth 24 mijë individë që janë të dy punësuar apo tre punësuar nga punëdhënës të ndryshëm. Këta individë janë të profesioneve të ndryshëm si inxhinier, arkitekt, ekonomist, pedagog, konsulent, kuzhinier. Në shumë raste ata janë individë të caktuar në pozicione drejtuese”. Në Shqipëri ka në total 35 mijë të dy punësuar  dhe rezulton se 24 mijë prej tyre nuk i deklarojnë të ardhurat.

Ndryshimi ligjor

Me një ndryshim në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, Ministria e Financave parashikon që individët që janë të punësuar në më shumë se një punëmarrës do të bëjnë deklarimin vjetor të të ardhurave, edhe nëse ai nuk i kalojnë 2 milionë lekët në vit. Ky ligj është ende në fazë diskutimit dhe pritet të hyjë në fuqi në 1 janar. Tatimet sqaruan se ai merr zbatim në momentin e hyrjes në fuqi pra nuk përfshihen pagat e vitit 2019. Më herët, detyrimin për të bërë deklarimin vjetor e kishin vetëm individët që kishin të ardhura prej më shumë se 2 milionë lekësh. Ndryshimi përcakton që të gjithë individët, të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëmarrës, “deklarojnë në deklaratën e tyre vjetore të të ardhurave, në një shumë të vetme, të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi, llogarisin shumën totale të detyrimit tatimor mbi pagat, zbresin kur është rasti, tatimin e mbajtur në burim nga punëdhënësi dhe përcaktojnë shumën e detyrimit tatimor që duhet të paguajnë për buxhetin e shtetit”. Ndryshimi pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Kjo do të ndryshojë tërësisht mënyrën sesi llogaritet tatimi mbi pagat e tyre, duke bërë që individët të përfitojnë vetë një herë nga përjashtimi për të ardhurat deri në 30 mijë lekë, ndërsa nëse shuma e dy pagave të tyre i kalon 150 mijë lekët, do të tatohen për shtesën me 23%.

Shembull

Një individ që ka dy paga mujore nga 50 mijë lekë, aktualisht paguan në vit si tatim mbi të ardhurat 62,400 lekë në total (për të dy pagat, llogaritet vetëm 13% e shumës mbi 30 mijë lekë). Në fillim të vitit të ardhshëm të vitit, kur të bëhet deklarimi i të ardhurave dhe rillogaritja, ai do të duhet të paguajë shtesë në total edhe 46,800 lekë (pasi tatimi do të llogaritet mbi një pagë të vetme prej 100 mijë lekësh dhe do të rezultonte në total 109,200 lekë për gjithë vitin). Shuma e paguar do të rritet në këtë rast me 42%. Në rast se individi ka dy paga që i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, tatimi që ata do të paguajnë do të jetë edhe më i lartë, pasi pjesa mbi 150 mijë lekë do të tatohet me 23%. Për shembull, një individ me dy paga nga 90 dhe 80 mijë lekë në muaj (170 mijë lekë në total), aktualisht paguan 171.6 mijë lekë tatim në vit. Me deklarimin e të ardhurave, tatimi total do të rezultojë 242.4 mijë lekë, ose 78,800 lekë më shumë. Shuma totale që duhet paguar është 30% më e lartë, sesa kur deklaronte dy rroga veç e veç. Prej mëse dy vitesh, kjo mënyrë deklarimi dhe rillogaritje kryhej për ata individë që ishin të dypunësuar, por të ardhurat e tyre e kalonin kufirin e 2 milionë lekëve në vit, ose mbi 167 mijë lekë në muaj.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet