“Rri si nuse e bukur e s’na takon”, ish-të përndjekurit protestë i zënë pritë ministres

Publikuar më 11. 01. 2018 nga Eno Shkëmbi

Dhjetëra ish-të përndjekur politikë kanë protestuar sot para Ministrisë së Drejtësisë.

Protesta u zhvillua në një kohë kur ministrja Etilda Gjonaj zhvilloi një takim me kreun e Autoritet Kombëtar Italian të Anti-korrupsionit, Raffaele Cantone.

Ish-të përndjekurit deklaruan se nuk kanë marrë asnjë këst shpërblim për vitet e burgut, ndërsa paralajmëruan për një tjetër grevë urie si ajo e vitit 2012. Ata lëshuan akuza në drejtim të ministres Gjonaj ndërkohë që kjo e fundit po dilte nga dera e ministrisë.

“Ajo rri aty si nusja e bukur dhe nuk na takon. Këta janë komunistë. Jam i burgosur politik dhe jemi rreth 60 vetë në protestë. Për ne që bëmë grevën e urisë nuk e vë njeri ujin në zjarr. Nuk kam marrë asnjë lek, kam bërë 5 vite burg. Do bëhemi gati për një grevë urie si në vitin 2012”- ka thënë një nga ish të përndjekurit.