Rreziku për shembjen e pallatit, ekspertët e Tiranës “përplasen” me ata të Gjirokastrës (VIDEO)

“Rrëshqitja përbën rrezik, rrëshqitja është në aktivitet, ata nuk duhet të jenë në banesa”. Gjeologët të cilët inspektuan pallatin që rrezikon shembjen në Gjirokastër thanë një ditë më parë se banorët duhet t`i braktisin shtëpitë për shkak të rrezikut që u kanoset. Por jo të njëjtin mendim ndajnë inxhinierët e bashkisë së Gjirokastër. Aleksandër Pesha tha për Ora News se ndërtesa 5 katëshe nuk paraqet asnjë rrezik për banorët ndërsa këtyre të fundit u bëri thirrje të jenë të qetë e të kthehen në banesa.

Aleksandër Pesha: ” Banorët nuk rrezikohen, pallati nga ana e strukturave nuk ka asnjë lloj problematike, i gjithë kavazi i shkallëve këtu u kontrollua, janë disa plasaritje të vjetra në suvatime ku ka pasur punime të restaurimit të Ujësjellësit. Qytetarët mund të flenë të qetë”. Por banorët frika i ka mbajtur tre ditë jashtë shtëpive. Një pjesë e konsiderueshme e tyre natën e kanë kaluar në automjete e të tjerë te të afërm. Bashkia ka ofruar për 18 familjet e prekura ambiente në hotele e konvikte por ata nuk kanë pranuar të largohen deri në normalizimin e situatës. Banorët pretendojnë se një banese dy katëshe në pjesën e poshtme të kodrës në pronësi të Marjana Kararit është bërë shkak i gjithë rrëshqitjes. Në këtë ndërtesë prej më shumë se 6 ditësh punohej me mjete të rënda dhe tronditjet mund të kenë shkaktuar rreshkitje të tokës. Rezulton se e zonja e shtëpisë punonte pa leje dhe për këtë arsye policia bashkiake së bashku me policine e rendit e kanë shoqëruar në ambjentet e komisariatit.
Ndërkohë Prokuroria e qytetit ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve që çuan në rrëshqitjen e dherave në lagjen ‘Punëtori” duke rrezikuar një pallat si dhe një ndërtesë tre katëshe. Studimet ndër vite nga Shërbimi Gjeologjik kanë nxjerrë si domosdoshmëri pyllëzimin e kësaj zone, pezullimin e ndërtimeve dhe stabilizimin e ujërave sipërfaqësore e nëntokësore por asnjë nga këto masa nuk është marrë.

Të tjera

Abissnet