Rrezikojnë punën, 13800 punonjës të shëndetësisë pa kredite

Në periudhën 4-vjeçare të mbledhjes se kreditive me detyrim, punonjësit refuzojnë të ndjekin aktivitetet. Dështon programi për infermierët që u futën për herë të parë në cikël. Vetëm 8% e profesionistëve i janë nënshtruar provimit

Enida Vërça

Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, ka publikuar raportin e 3-vjeçar mbi ecurinë e profesionistëve të shëndetësisë. Bazuar në të dhënat zyrtare, rezulton se 4855 punonjës të shëndetësisë janë pa kredite. Përkatësisht, 2897 mjekë, 965 stomatolog dhe 993 farmacist. “Në grupin e profesionistëve me detyrim të pakryer përfshihen profesionistët të cilët kanë marrë kredite më pak se numri i kërkuar si dhe ata që kanë marrë 0 kredite. Këta të fundit janë në total 2,251 profesionistë, nga të cilët 1,331 mjekë, 585 stomatologë dhe 335 farmacistë”, saktëson raporti. Po ashtu vihet re se kreditet e përftuara nga aktivitete të Edukimit në Vazhdim dhe të lidhura drejtpërdrejt me specialitetin e profesionistit duhet të përbëjnë të paktën 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve (mjekët 60 kredite, stomatologët e farmacistët 30 kredite dhe infermierët 20 kredite). Për mjekët, analiza e bërë sipas llojit të aktivitetit tregon se përqindja më e lartë e krediteve është marrë nga konferencat dhe më pak nga trajnimet. Me gjithë rëndësinë e tyre, konferencat nuk përfaqësojnë formën më efektive të edukimit në vazhdim. Në këtë mënyrë, botimet janë në masën 3%, konferencat zënë një hapësirë 37%; Leksionet zënë 4%; Aktivitet e edukimit në distancë, 2%; Seminare, 5%; Kurse pasuniversitare 8% dhe trajnime 22%. për profesionin e stomatologut. E njëjta situatë paraqitet edhe për farmacistët. Ajo që bie në sy është preferenca e farmacistëve për të ndjekur aktivitete të edukimit në distancë më shumë se mjekët dhe stomatologët. Kjo mund të shpjegohet edhe me natyrën e punë së farmacistëve, dhe mundësinë e tyre për t’i ndjekur aktivitetet nga vendi i punës.

Kreditet në bazë të aktivitetit

Bazuar aktiviteteve që kanë ndjekur profesionistët e kujdesit shëndetësor vihet re se për kategorinë e mjekëve pjesa më e madhe e krediteve janë marrë nga aktivitete të organizuara nga shoqatat e profesionistëve si dhe nga aktivitete të paakredituara paraprakisht nga QKEV. Ndërkohë aktivitetet e ofruara nga vetë institucionet shëndetësore nuk e  kanë arritur në masën 30 % akreditimin siç përcakton VKM Nr. 789, datë 22.9.2015 për “Përcaktimin e Kritereve, Standardeve dhe Procedurave të Programit të Certifikimit për Profesionistë të Shëndetësisë”. Për mjekët, aktivitet e paakredituara paraprakisht nga QKEV është 190. Profesionistët e kujdesit dentar për aktivitete të paakredituara paraprakisht nga QKEV, janë në shifrën 69. Për farmacistët aktivitete të paakredituara paraprakisht nga QKEV, është 51ndërsa për infermierët është 7. Në bazë të të dhënave, rezulton përqindja më e lartë e krediteve për stomatologët është marra nga aktivitete të EV të organizuara nga shoqatat e profesionistëve dhe nga aktivitete të paakredituara paraprakisht nga QKEV. Nga analiza e krediteve të marra nga farmacistët sipas kategorisë së ofruesit vërehet se farmacistët kanë marrë pjesën më të madhe të krediteve nga aktivitete të EV të ofruara nga Urdhri i Farmacistit. Ndërsa për infermierët pjesa më e madhe e krediteve është marrë nga aktivitete të organizuara nga OJF dhe shoqatat e profesionistëve.

Certifikimi

Programi i Certifikimit është sistemi i bazuar në cikle periodike 4-vjeçare, brenda të cilave profesionistët e shëndetësisë duhet të mbledhin një numër të caktuar kreditesh. Profesionistët e përfshirë në programin e certifikimit janë: mjekët, stomatologët, farmacistët e ndihmës farmacistët dhe infermierët e mamitë, shtetas shqiptarë dhe të huaj, që ofrojnë shërbime shëndetësore në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi, në institucionet publike ose private të kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe ata të institucioneve akademike shëndetësore. Referuar këtij raporti, thuhet se profesionistët që i janë nënshtruar provimit të certifikimit është në një numër prej 192, i përbërë nga mjek, stomatolog dhe farmacistë, vetëm 174 e kanë kaluar me sukses këtë fazë. Për infermierët dhe mamitë numri i nevojshëm i krediteve që infermierët dhe mamitë e përfshirë në programin e certifikimit duhet të mbledhin deri në përfundim të ciklit sipas kategorive të aktiviteteve është deri në 20 kredite të përfituara nga aktivitete të edukimit në vazhdim të lidhura me profesionin, jo më shumë se 20 kredite të përfituara nga aktivitete të edukimit në distancë dhe deri në 8 kredite nga aktivitete të vetëraporuara. Për periudhën 2016-2019, VKM nuk ka përcaktuar detyrim minimal vjetor dhe viti 2018 është viti i tretë i ciklit të infermierëve dhe mamive. Kjo gjë ka bërë që infermierët të mos paraqesin interes në vitet e para të ciklit. Një arsye tjetër që kjo kategori profesionistësh nuk e ka përmbushur numrin minimal të rekomanduar për vit mund të jetë dhe mungesa e aktiviteteve të organizuar enkas për infermierë. Bazuar në raportin e përgatitur nga QKEV për ciklin e parë të certifikimit, profesionistët me detyrim të pakryer arrinin në 2,180, nga të cilët 1,212 mjekë, 760 stomatologë dhe 209 farmacistë. Pra, vetëm 8% e profesionistëve me detyrim të pakryer i janë nënshtruar provimit. “Duhet verifikuar nga institucionet përgjegjëse se sa nga profesionistët me detyrim të pakryer vazhdojnë të ushtrojnë profesionin në sektorin publik ose privat”, sqaron raporti.

Regjistrimi

Në fund të vitit 2018 numri i profesionistëve të regjistruar ka arritur në 36,822, nga të cilët 1,681 janë profesionistë jo-aktivë. Në grupin e profesionistëve jo-aktivë përfshihen ata profesionistë që janë në periudhë specializimi, me raport leje lindje apo shkëputje nga puna për një periudhë kohore më shumë se 4 muaj, si dhe të gjithë ata që kanë pezulluar lejen e ushtrimit të profesionit pranë urdhrit përkatës. QKEV ka regjistruar rreth 6500 profesionistë të rinj në periudhën 2015-2018 dhe ka saktësuar të dhënat në kartelat personale për afro 20000 profesionistë. Regjistrimi i profesionistëve në programin e certifikimit është bërë mbi bazën e listave të marra nga Urdhrat profesionalë si dhe nga regjistrimet individuale të kryera nëpërmjet formularëve të regjistrimit. Regjistri i profesionistëve paraqet shumë pasaktësi sepse jo të gjithë profesionistët janë regjistruar vetë pranë QKEV. Më tej raporti sqaron se QKEV ende nuk ka marrë nga Urdhri i Mjekut dhe Urdhri i Infermierit të dhënat që lidhen me vlefshmërinë e lejeve e ushtrimit të profesionit dhe kohën e lëshimit të tyre.

Problemi i mjekëve, mungesa e programeve të edukimit në distancë

Në përfundim të ciklit të dytë të certifikimit 2015-2019 jep disa rekomandime për të arritur forcimin e  institucioneve shëndetësore. Si fillim, rekomandon për forcimin e  kapaciteteve të ofruesve për zhvillimin e aktiviteteve cilësore sipas standardeve të aktiviteteve të edukimit në vazhdim përfaqëson gjithashtu një sfidë të rëndësishme. Fillimi i zbatimit të procesit të akreditimit të ofruesve besojmë se do të ndihmojë dhe promovojë rritjen dhe forcimin e kapacitetit të tyre. Praktika e akreditimit të ofruesve nxjerr në pah një nevojë ende të madhe të ofruesve aktualë për të rifreskuar njohuritë në lidhje me vlerësimin e nevojave, planifikimin, vlerësimin e aktiviteteve të edukimit në vazhdim dhe për të respektuar kritere të tjera të akreditimit. Gjithashtu, numri shumë i kufizuar i ofruesve të akredituar deri tani sugjeron nevojën për të identifikuar iniciativa për ofruesit aktualë që të marrin statusin e ofruesit të akredituar. Marrja e statusit të ofruesit të akredituar është një garanci më shumë për cilësinë e edukimit në vazhdim. Një tjetër pikë në të cilën ndalet raporti është edhe zhvillimi i mëtejshëm i alternativës së edukimit në distancë ka qenë dhe mbetet sfidë e sistemit të edukimit në vazhdim. “Përpjekjet dhe ndërhyrjet e filluara disa vjet më parë nga projekti “Sistemi i Zhvillimit Profesional” nuk kanë vijuar në vitet e fundit. Forcimi i kritereve të akreditimit të këtyre aktiviteteve kanë bërë të mundur që këto aktivitete të jenë konform standardeve. Kjo alternativë edukimi duhet të marrë një përdorim më të gjerë, duke patur parasysh që ajo krijon lehtësira të mëdha për profesionistët që t’i ndjekin aktivitetet aty dhe atëherë kur ata e kanë më të përshtatshme. Nëse nuk do të ketë një mbështetje serioze për rritjen e kapaciteteve të ofruesve për edukimin në distancë dhe sigurimin e një infrastrukture të nevojshme për këtë formë edukimi, nuk mund të parashikohet ndonjë zhvillim i ndjeshëm në këtë drejtim. QKEV beson se kjo është një fushë që kërkon më shumë mbështetje teknike. 4. Rritja e financimit të aktiviteteve të edukimit në vazhdim përmes projekteve të ndryshme nga buxheti i shtetit është një investim largpamës dhe kostoefektiv. Ndonëse rezultatet e këtij investimi nuk janë të menjëhershme siç mund të jenë ato të investimeve në infrastrukturë, efektet dhe rezultatet e investimin në edukimin në vazhdim janë të qëndrueshme dhe cilësore në shërbimet shëndetësore”, përfundon raporti.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet