Rrëfimi i piktorit: Dua t’i tregoj botës një imazh pozitiv për shqiptarët (FOTO)

Foto 1 nga 3 Pas Para

Nga Valeria Dedaj

Gjatë gjithë jetës fëmijët më të lidhur emocionalisht janë me nënën, sepse dashurinë e saj, të gjithë e quajnë hyjnore, të përjetshme! Këtë na rrëfen për gazetën “Shekulli” edhe piktori Gazmend Freitag, i cili në grafikën e radhës, që ka realizuar ka në qendër një nënë shqiptare, e cila i lexon fëmijës para gjumit një përrallë! Me “Përralla shqiptare për fëmijë” piktori, i cili prej vitesh jeton edhe punon në Linz të Austrisë do të prezantohet edhe në “MultikultiAward 2017” në Vjenë. Në krijimtarinë e piktorit zënë një vend të veçantë jo vetëm figurat femërore, por edhe figurat e njohura shqiptare, si Skënderbeu, Bogdani, Shën Tereza, Moisiu, Fehmiu etj.

Zoti Gazmend, puna e fundit me të cilën merrni pjesë në ekspozitën e radhës në Vjenë është “Përralla shqiptare për fëmijë”. Por, nëse riktheheni në kohë, a ka përralla, që nëna juaj ua tregonte kur ishit fëmijë?

Po! Nënë Qamile na ka treguar përralla gjithmonë, ka kënduar dhe rrëfyer vazhdimisht deri më 8 mars të këtij viti, kur u nda fizikisht nga ne, në moshën 77-vjeçare.

A ka një përrallë, të cilës i riktheheni herë pas here për shkak të kuptimin, por edhe të kujtimeve që u ngjallë?

Është përralla për heroin tonë të madh kombëtar, Skënderbeun, që patëm lexuar, si filloristë në shkollë. Në të është momenti ku Skënderbeu në shtratin e tij para vdekjes i thërret bashkëluftëtarët e tij dhe u demonstron simbolikisht me ca shkopinj thupre se si “bashkimi bën fuqinë”. Njërit i thotë provo të thyesh një shkop dhe luftëtari e thyen menjëherë. Pastaj, dy shkopinj, tre shkopinj… Pastaj Skënderbeu i thotë, provo të thyesh tërë tufën e madhe, por luftëtari nuk pati forcë t’i thyejë. Skënderbeu me këtë rast ka lënë amanetin e tij të fundit te shqiptarët, se “vetëm të bashkuar jemi më të fortë”! Kjo temë është sot shumë aktuale dhe e domosdoshme për popullin shqiptar! Unë mendoj se me anë përrallave mund të komunikohet më së miri me fëmijët. Unë për vete iu kam besuar dhe i kam marrë përrallat, si ngjarje të vërteta.

Në qendër të pikturës suaj, kësaj here, është nëna shqiptare. Përse e keni specifikuar kombësinë e saj?

Nënat janë lidhjet më të ngushta dhe intensive emocionale. Dashuria e nënës dhe ndaj nënës është hyjnore, e përjetshme. Grafikën që e kam realizuar në të cilën është një nënë shqiptare, që i lexon fëmijës përralla para se ta zërë gjumi. Ndoshta edhe rrëfimin për Skënderbeun. Si bazë kam pasur një foto, nga një libër shqiptar, që flet për artin popullor.

Gjatë punës, si piktor a ka një pikturë, me të cilin jeni më shumë i lidhur shpirtërisht?

Kam disa piktura me të cilat jam shumë i lidhur shpirtërisht dhe mbeten pjesë e koleksionit tim. Për ta përmendur, si të tillë është piktura “Baresha”, e cila u seleksionua për t’u ekspozuar në “Bienalen e Veronës”, në vitin 2014 dhe është pjesë e katalogut, ku janë qindra artistë të tjerë nga bota.

Vëmendje të veçantë, u kushtoni edhe portreteve të artistëve edhe shkrimtarëve shqiptarë. Punën me cilin prej do të përshkruanit, si më të veçantën?

Në ciklin e portreteve të personave të njohur, kohë pas kohe realizoj portrete të figurave shqiptare. Këta persona më kanë fascionuar dhe inspiruar gjithmonë përgjatë rinisë sime, por edhe sot e kësaj dite. Kur kam lexuar lidhur me mësuesin Havzi Nela, lidhur me persekutimin makabër, që regjimi komunist shqiptar i ka bërë, të cilin e ka ndarë nga nxënësit dhe e ka ekzekutuar pak kohë para se të shembej regjimi komunist në Shqipëri, kam realizuar menjëherë portretin e këtij martiri të frymës demokracisë shqiptare. Edhe portretin e Martin Camaj e kam realizuar, duke u nisur nga kjo histori, si viktimë e këtij regjimi, i cili në dimrin e vitit 1949 u largua nga Shqipëria për të mos u kthyer më kurrë në vendlindje. Nuk do duhej të harrohet e kaluara e dhimbshme e popullit shqiptar nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, ku shumë intelektualë janë ekzekutuar dhe internuar. Portreti i Skënderbeut, Pjetër Bogdanit, Shën Terezës, Aleksandër Moisiut, Bekim Fehmiut, Lasgush Poradecit, Ali Podrimes, princeshës Fevzia, Ibrahim Rugovës, Ismail Kadaresë, Rita Orës, Krist Malokut e tjerëve që kam realizuar dhe që do të vazhdoj pandërprerë përcjellin një logjikë të tërë. Mesazhi im është shumë i qartë dhe serioz: Unë dua t’i tregoj botës për imazhin pozitiv të shqiptarëve dhe mendjeve të shndritura!

Figura femërore, duket sikur mbizotëron në vizatimet tuaja. Portrete shprehëse, që rrëfejnë për gjendje të ndryshme në natyrën e një femre. Ju vet, çfarë doni që të evidentoni më tepër gjatë realizimit të portreteve të tyre?

Figura e femrës është gjithmonë atraktive dhe inspiruese për punën time, për portrete, situata përditshmërie, por edhe për zhanrin e nudos. Është një kënaqësi e veçantë kur merrem me motive të femrës, realizimin e situatave të ndryshme të saj, në hije apo në drite…

Sot, si e shihni marrëdhënien mes artit dhe shoqërisë sot?

Arti është i vjetër aq sa është edhe njerëzimi, kështu që janë pjesë e njëra-tjetrës.

Çfarë është piktura për ju?

Mund të them se arti për mua është vet jeta ime, përditshmëria ime.

Zakonisht, kur dhe ku pikturoni?

Unë pikturoj kryesisht pasdite, por edhe natën deri në orët e vona, në banesën -atelier, ku  edhe jetoj, Jägerstrasse 10, Linz.

Nëse një ditë do të linit pikturën, cila është arsyeja që do ta bënit?

Momentalisht për mua është e pakuptimtë dhe nuk mund ta imagjinoj dot jetën pa pikturën.

Çfarë ju mungon më tepër prej Kosovës?

Kaluan 27 vite qe jam larguar fizikisht nga vendlindja, por shpirtërisht dhe në mendje Kosovën e kam pandërprje. Nga këto gati tri dekada, në vitin 2004 isha disa muaj në Kosovë dhe Shqipëri ku kalova momente jashtëzakonisht të bukura të jetës sime.

Dhe së fundmi, a keni menduar ndonjëherë për të çelur një ekspozitë vetjake në Shqipëri?

Ëndrra ime e madhe është për të ekspozuar në Tiranë për fat të mirë do bëhet realitet vitin e ardhshëm. Në kornizën e “Vitit kulturor 2018 Austri-Shqipëri”, ambasada austriake në Tiranë më ka ftuar për t’u prezantuar me një ekspozitë personale. Ekspozita do të hapet në galerinë “Kalo” në Tiranë. Jam shumë i lumtur që më mundësohet të paraqitem para publikut shqiptar me një përzgjedhje nga repertori im.

Kush është Gazmend Freitag?

Gazmend Freitag (1968) është lind në Kosovë. Në Prizren përfundoi shkollën e mesme. Ndërsa, në Prishtinë nisi Juridikun (1990), por nuk e përfundoi. Në vitin 1990 u zhvendos në Gjermani. Që nga viti 2004 jeton dhe punon në Austri. Ka përfunduar studimet në drejtimin “NUDO” në Universitetin e Arteve, nën udhëheqjen e Annelies Oberdanner. Ndërkombëtarisht është bërë i njohur pas pjesëmarrjes, në Bienalen e parë në Verona, Itali. Është prezantuar në ekspozita personale dhe kolektive në shumë galeri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet